Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Mbeta muhaxhir

14
Sigal

Si një muhaxhir udhëve të botës kam ikur,

kam qarë si fëmijë nga streha në strehë,

shpresa rrinte strukur kur shikoja yjet fikur,

pak ngrohtësi i kërkova botës ndonjëherë.

Një natë dimri gjeta një mjeran të braktisur,

nën pallton e vjetër e mbajta ditëve me shi,

se më ngrohu me paqe shpirtin e arratisur ,

dhe rrezja e miqësisë shkriu akullin në gji.

Udhës së huaj se do kush plakun e rraskapitur,

as veshjen time se shohin me sy të mirë,

atje ku më përshëndet dhe shpendi në të ikur,

s’më bën përshtypje kur më thërrasin muhaxhir.

 

I varfëri dinjitoz i lagjes time

I varfëri, i harruari dinjitoz i lagjes time,

mbrëmjeve shushuritëse rend heshtur,

përshëndet me dorë mbi zemrën jetime

i varfri, i harruari, dinjitozi shpirtqeshur.

Ai thahet si gjethja vjeshtës zhveshur,

kërcitjen e nofullës ndiej, tek rri zgjuar,

asgjë s’ka mbetur, veç frymës së pa tretur,

errësirës pus, ku dritë e jetës rri shuar.

Dhe për një çast, këngës dhimbur ia thotë,

zërin dëgjoj që dridhet duke qarë,

i varfri, i harruari i mëhallës time nëpër lotë,

ofshamën e mjerimit derdh në çdo varg.

E dhimbja shtratit, s’më lë të fle e qetë,

ai s’është si të tjerët, lapanjoz, huligan,

atë se tremb, asnjë shtrëngatë e rrëmet,

i harruari i lagjes time,është njeri i rrallë.

Ç’dreq bote është kjo?! E vrisni, e shani,

ia rrëmbeni zemrën, copa-copa ia ndani,

pijani gjakun, por këngën mos ia ndalni,

dheut mos e kallni, por dinjitetin ia qani !…