Nisur nga mbreti Charles: A mund ta humbësh shijen nga trajtimet kundër kancerit?

17
Sigal

Mbreti Charles III ka nisur prej kohësh trajtimin kundër kancerit (lloji i të cilit ende është i panjohur për publikun) dhe ndërsa ishte duke folur me një veteran të ushtrisë britanike, i cili gjithashtu kishte kaluar kancerin, u shpreh se tanimë, ai ka pasur probleme me humbjen e shijes.

Ky efekt anësor është i zakonshëm për pacientët që ndërmarrin trajtime të ndryshme kundrejt kancerit. Sipas Canadian Cancer Society, trajtimi nga kanceri mund të sjellë edhe humbjen e shijes. Ndryshimet mund të ndodhin në një humbje të lehtë të shijes, në alternim të shijes dhe në humbjen totale të saj. Është e paqartë se cilën ka përjetuar Charles.

Nga ana tjetër, këto trajtime mund të sjellin edhe humbje të oreksit dhe rënie në peshë.

Shkaqet

Receptorët që gjenden kryesisht në gjuhë, në qiellzë, në anët e gojës dhe në një pjesë të fytit na ndihmojnë të shijojmë gjithçka, duke identifikuar shijet e tharta, të ëmbla, të kripura, apo edhe të hidhura. Çdo trajtim i kancerit që i prek këto zona mund të shkaktojë ndryshime në shije.

Trajtimi me rrezatim

Receptorët e shijes janë shumë të ndjeshëm ndaj rrezatimit. Njerëzit që ndjekin këtë lloj terapie, sidomos për kancerin në kokë apo në qafë, hasen shpesh me dëmtimin e receptorëve të shijes dhe me ndryshime të tilla në këtë shqisë. Ndryshimet nisin herët, zakonisht gjatë 2 javëve të para të trajtimit dhe janë më të dukshme rreth 2 muajve pas fillimit të trajtimit. Ndryshimet varen nga çdo person, por nga studimet, është vënë re se fillimisht, ndryshon shija e ushqimeve të kripura dhe më pas, gradualisht, ceken edhe shijet e ëmbla.

Kimioterapia

Ilaçet e kimioterapisë mund të dëmtojnë receptorët e shijes dhe të shkaktojnë ndryshime, të cilat sërish, varen nga personi i prekur me kancer.

Ilaçet e kimioterapisë që zakonisht shkaktojnë ndryshime të shijes përfshijnë:

cyclophosphamide
dacarbazine
doxorubicin
fluorouracil
methotrexate 
cisplatin
paclitaxel
vincristine

Këto ndryshime mund të jenë edhe më të dukshme nëse pacientët kanë probleme me dhëmbët, mishrat e dhëmbëve dhe infeksione të ndryshme në gojë.

Kirurgjia

Kirurgjia mund të shkaktojë ndryshime në shije, nëse hiqen pjesë të ndryshme që kanë receptorët e shijes.

Ç’të bësh kur hasesh me një simptomë të tillë?

Konsultohu me ekipin tënd të kujdesit shëndetësor, ose me një dietolog. Ata mund të të sugjerojnë disa hapa konkretë se si ta menaxhosh ndryshimin e shijes. Gjithsesi, të japim disa këshilla të përgjithshme:

Provo ushqime të reja që zakonisht nuk i ha

Shmang ushqimet që nuk të pëlqejnë

Shtoji shije ushqimit duke përdorur erëza

Kujdesu për higjienën orale

Ha ushqime të ftohta për të zvogëluar shijet e forta

Përdor salca me shije

Marino mishin, peshkun dhe perimet për të përmirësuar shijen e tyre

Zgjidh burime të tjera proteinash (si vezët, peshku, arrat, fasulet) nëse mishi ka shije të çuditshme

Përtyp çamçakëz

Shmang ushqimet e tharta ose të hidhura

Shto pak mjaltë ose shije të ëmbël nëpër ushqime

Sa i përket mbretit Charles III, lajmi se ai është diagnostikuar me kancer u bë publik nga pallati mbretëror më 5 shkurt. Lloji i kancerit nuk është zbuluar, por sipas deklaratës së pallatit, mbreti ka nisur trajtimin dhe është pozitiv për trajtimet dhe rezultatet e tyre.