Suplement Pena Shqiptare/ Maksim Zaka Diploma

708
Lenci dhe Latifi ishin shokë të një lagjeje. Ata ishin bashkëmoshatarë. Bashkë bënë shkollën fillore dhe 8-vjeçaren. Lenci vazhdoi shkollën e mesme dhe e përfundoi atë me rezultate shumë të mira. Ai fitoi të drejtën për në shkollë të lartë, dega jurisprudencë. Universitetin juridik e mbaroi shkëlqyeshëm. Pasi punoi disa vite në gjykatë, Lenci u bë pedagog në një universitet të vendit. Ndërsa shoku i tij Latifi, iu përvesh punës. Ai u bë fermer. Dëshira e tij ishte të blinte një traktor, por nuk kishte mundësi financiare dhe bleu një kalë. Me të sajoi një biroçe. Gjithë ditën së bashku me gruan punonte në arë. Kalin e përdorte dhe për parmendë, dhe për kafshë ngarkese. 
– E kemi të bekuar këtë kalë, – i thoshte Latifi shpesh të shoqes.
– E po mirë more burrë, do të na bëhet një gjë fat që të rritim fëmijët. Dhe ja, Zoti na fali këtë kalë, – iu përgjigj e shoqja. Më tej gruaja vazhdoi:
– Latif, pse nuk merr një diplomë për juridik? Ti e ke shok Lencin. 
-Ç’e dua unë, moj grua. Ne jemi bujq. Ky është zanati ynë, i prindërve të mi dhe i gjyshit
– Po e kanë marrë diplomën gjysma e fshatit dhe mos ta marrësh ti, që je burri më i mençur i fshatit. 
Kjo thënie e gruas Latifin e vuri në mendime. Tërë natën nuk fjeti, përpiqej në krevat si peshku në zall. Me sy nga tavani, me vete mendonte: “Si do t’i them Lencit? Vallë do ta mirëpresë ai kërkesën time?! Po sikur ta refuzojë?! Pasi nata ishte thyer dhe gjumi s’e kishte zënë akoma, vendosi që të nesërmen të shkonte në Tiranë. “Të bëhet çfarë të bëhet, – tha ai me vete dhe i mbylli sytë. Pa u gdhirë mirë, Latifi u nis për në kryeqytet. Shkoi në universitet dhe pyeti për pedagog Lencin. Lenci erdhi, e përqafoi dhe të dy u drejtuan nga bar-kafeja. Pasi u ulën, fjalën e mori Lenci: 
-Po hë, mo Latif, çfarë e mirë të solli?
– Më solli një hall, o vëlla, – iu përgjigj Latifi dhe vazhdoi- Posi ta them, e kam pak të vështirë, por do ta them.-
– E po thuaj, ne jemi vëllezër, – foli Lenci. 
– Po ja, dua një diplomë për juridik, – e plasi më në fund bombën Latifi
– Unë mendoj se nuk të duhet diploma, Latif
– Jo, jo, e dua. Nuk jam i humburi i fshatit unë të rri pa diplomë juristi. 
– Po mirë, meqenëse e paske vendosur, do ta japim një diplomë, – iu përgjigj kërkesës këmbëngulëse të Latifit, pedagog Lenci.
– Të faleminderit Lenc. Shoku, shok mbetet. Dhe në Hënë të vejë, prapë ai mbetet shoku yt, -mbylli fjalën i kënaqur Latifi. 
Latifi u kthye i gëzuar në shtëpi. Gruaja, nga gëzimi që burri mori diplomë, bëri një darkë të vogël. 
– Tani, – tha ajo, – e hodhëm hallin, se nuk dilnim dot në fshat. Të hanin prej syri laskuriqët. 
– Hë, ku e ke diplomën ti Latif? -të thoshin ata që ishin më gomarët e fshatit. Ndaj nesër burrë, vazhdoi gruaja,-vare në qafë diplomën, që ta shikojnë të gjithë. Të plasin nga marazi ata që tërë ditën rrinë në majë të gomarit dhe bëjnë sikur punojnë.
Të nesërmen Latifi mbërtheu biroçen, vari diplomën në qafë dhe, së bashku me gruan, u nisën për në arë
– Kaloje biroçin mespërmes fshatit, – i tha gruaja. Të shikojnë të gjithë dhe kalin mos e fshikullo që të ecë ngadalë. 
Ashtu bëri Latifi. U nis mespërmes rrugës së fshatit. Sapo kishte bërë rreth 100 metra, përpara takoi disa gra të fshatit. Ato sa e panë, i thanë njëra – tjetrës: – Ua, moj shoqeni edhe Latifi me nuskëz! Ai sikur thotë se nuk beson! Njëra prej grave, me emrin Nadire, i drejtohet të shoqes së Latifit: 
– Sëmurë e ke Latifin, moj Hënë apo e ruan nga syri i keq? 
– Jo, moj, smirëzezë. Nuk është nuskë; por hapi sytë mirë; është diplomë për juridiks.
– E mirë, mirë ta gëzojë Latifi yt se e meriton!
Latifi nuk po kuptonte gjë nga kjo bisedë. Ai shikonte sa gratë, sa të shoqen. 
-Foli kalit burrë! Mos dëgjo këto të ndërkryerat, – i klithi e shoqja, Latifit. 
Biroçja filloi të lëvizë. Kur ja, te lisi në mes të fshatit, ishin mbledhur disa burra. Ata kthyen kokën nga biroçja. Njëri prej burrave iu drejtua së shoqes së Latifit: 
– Çfarë e ka Latifi atë pusullë në qafë, moj Hënë? Mos ka marrë ndonjë dekoratë dhe ne nuk dimë gjë?
-Nuk është pusullë, por diplomë me vulë, o qyq, – iu përgjigj flakë përflakë gruaja e Latifit, fshatarit thumbonjës.
– Pse moj, ç’i duhet ajo letër më vulë? Apo e ka patentë për biroçen? -ia priti një burrë tjetër pak më i gjatë se i pari dhe u shkeli syrin shokëve. 
Bashkëbisedimin hidh e prit ndërmjet gruas së Latifit dhe bashkëfshatarëve e ndërpreu varja pas biroçes e disa fëmijëve. Madje, dy prej fëmijëve u ngjiten lart në biroçe. Njëri prej tyre, ai më i vogli, iu drejtua Latifit: 
– Ma jep ta mbaj dhe unë pak diplomën.
Gruaja e Latifit i goditi me fshikull fëmijët dhe i shtyu poshtë. Latifi, me sy të zgurdulluar, i foli kalit. Përpara i doli mësuesi i vjetër i fshatit. Ai vuri syzet dhe po shikonte copën e letrës varur në qafë të Latifit. Latifi iu drejtua serbes: 
– Është diplomë për jurist. Iku koha jote. Të kujtohet që më thoshe shpesh, se kur të marrë gomari nota të mira, do të marrësh edhe ti. Po ja, erdhi demokracia dhe nuk të pyet më njeri ty. Unë tani jam me diplomë.
– Mbaje Latif, mbaje, se dhe kjo të mungonte. – Gjithë bota vënë përpara kalin, ti e ca të tjerë keni vënë përpara gomarin,- dhe u largua qetë-qetë mësuesi veteran.
– Çfarë gomari thotë ai, moj grua. Nuk e sheh ai kalin?
– Mos e dëgjo atë plak matuf. Ai ka rrjedhur. Ai ka inat se nuk ka vet diplomë; por ec Latifi im, ec, – i tha Hëna të shoqit. 
Kështu Latifi kaloi mespërmes fshatit. U përshëndet me bashkëfshatarët. Ca e uruan, ca i shkelën syrin, të tjerë shqyen sytë nga habia apo zilia, pati nga ata dhe që qeshën. Latifit i dukej se edhe ata që e uronin, në fakt e tallnin. Por prapë ndihej krenar. U kthye në darkë i lodhur, por dhe i gëzuar. Pas buke, gruaja i afrohet, e përkëdhel dhe i thotë: 
– Më merr dhe mua një diplomë. Pse e shoqja e Luftiut e ka marrë dhe unë jo?!
– Lërë grua atë, se ajo aq di, nuk e kupton që vjen pak si e trashë. 
– E trashë jam vet. Nuk ma kalon dot mua ajo. E kam belin 90 unë.- Mirë more Latif, – mori fjalën përsëri gruaja. Po barazia gjinore ku vajti? I ke parë ato nuset shalë jashtë në televizor që flasin çka u vjen nga …ytha e nxjerrin nga goja?! Jemi të barabarta me burrat, – thonë ato. Burrat thonë fjalë të ndyra edhe ne do të përdorim fjalë më të pista se ata. Latifi nuk foli më, por e bloi me veten e vet. Gruaja ka të drejtë dhe psherëtiu:” E demokraci, demokraci, e bëre robin një gjini; sesi do lindin këta fëmijë, një perëndi e di.” Dhe pastaj shtoi: 
– Po mirë, po shkoj dhe po të marr një diplomë ty. 
Të nesërmen ai shkoi te shoku i tij Lenci. Pasi pinë kafe, 
– Hë, – i thotë Lenci, – çfarë e mirë të solli prapë? 
– Më hëngri veshët gruaja, – tha Latifi. Dhe vazhdoi: Dua një diplomë për të. 
– Mirë e ke menduar, – i tha Lenci, – i marrin edhe asaj një diplomë. 
Latifi i gëzuar u nis për t’u kthyer në shtëpi. Ai sa hyri te porta e shtëpisë, nxori diplomën dhe pa ndalur hapat, thërret me zë të lartë: 
– Grua, grua moj, e mora. Tani je me diplomë. 
Ajo doli dhe gjithë gëzim mori diplomën, e puthi, i qepi nje rrip lecke dhe e vari në qafë. 
– Tani, – tha gruaja, – u barazuam me fshatin. Diplomë ata, diplomë ne. M’u bëfshin kurban se na hëngrën prej syri! Por ne Latif, për inat të tyre do t’i marrim një diplomë edhe kalit. Atëherë ata që nuk na duan do pëlcasin, bamb do t’ia bëjnë. 
– Jo, moj grua, ç’e do kali, ai është kafshë, – kundërshtoi Latifi 
– E po pastaj, o derëzi, çfarë do të thuash me këtë? Po gomari i Sabriut nuk është kafshë? E ke parë diplomën që e mban varur në qafë. U bë gomari i Sabriut t’ia kalojë kalit tonë. O ik merri një diplomë kalit, ndryshe unë nuk dal më në punë! 
Deshi, nuk deshi Latifi, nuk vonoi dhe u nis përsëri te shoku i tij Lenci. Lenci pak i çuditur, pak i inatosur, i thotë: 
– Po tani çfarë halli ke? Nuk është e kënaqur gruaja? Mos të duhet ndonjë diplomë tjetër?
– Jo, përkundrazi, gruaja ime është shumë e lumtur, dhe ajo të falënderon. Por unë dua një diplomë tjetër për ….. dhe nga emocioni nuk po mundte të mbaronte fjalinë. Lencit po i humbiste durimi. 
– Po fol pra, për kë e do? Mos të ka rënë më qafë ndonjë mik? 
– Jo, jo. Por ja, e dua për atë të uruarin, për … kalin, – e shkrepi, më në fund Latifi.
– Për kalin!? Nuk të jap diplomë për të, – ia preu menjëherë dhe shkurt Lenci.
– Po pse nuk më jep? Kali bën punë më shumë nga unë. Ai më dëgjon, vrapon gjithë ditën dhe nuk ankohet. E përdor si kafshë ngarkese. Në pranverë dhe në vjeshtë me të punoj arën. Më ndihmon çdo ditë nga mëngjesi në darkë. Njëherë unë dhe gruaja shkuam në arë. Djali hipi në kalë, filloi të vrapojë dhe diku ra. Ne me gruan të dhënë pas punës e harruam fare djalin. Kur ja, dëgjoj hingëllimin e kalit. Kali ishte larg në fushë. Ai kthente kokën nga ne, hingëllinte dhe pastaj ulte kokën dukej sikur me dikë këshillohej dhe përsëri hingëllinte. Unë dhe gruaja mbetëm duke parë kalin. Asgjë nuk po kuptonin. Kur kali u nis me revan drejt nesh. Erdhi dhe u kthye nga djali. Kur gruaja klithi: Djali burrë, korba unë djali! I hipa kalit dhe fluturimthi ai më çoi të djali i rrëzuar. Ai kishte thyer këmbën dhe nuk lëvizte. Kështu jetën e djalit e kam nga kali, o shok i mirë. E kam si pjesëtar të familjes. Ai është i mençur dhe shumë fisnik. 
– Po pse është i mençur dhe fisnik, prandaj nuk të jap. Po të kishe gomar, po, do t’i jepja diplomë. 
– Po gomarit nuk i takon se është budalla, ndaj i thonë gomar. Ai dhe kur ikën këmbët i heq zvarrë dhe…. 
Por Lenci ia priti me hakërrimë:
-Ma nxore me grepa, o Latif. Po do ta them, Ne u japim diploma vetëm gomarëve, – përfundoi fjalën pedagogu. 
Latifi ngriti kokën. Si vegim iu shfaq mësuesi, i cili kishte vënë pak buzën në gaz. Pastaj pa Lencin në sy për disa sekonda me dyshim, shqeu pak sytë, uli kokën dhe, pa thënë asnjë fjalë, u largua. 
Sigal