Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Pasqyrat pa gojë

22
Sigal

Dëshira për të parë veten,

në xhamin e pasqyrës,

lindi qëkur pellgu ujor,

i tregoi njeriut të lashtë,

se në dimensionet e trupit

dhe formën e fytyrës,

kishte ndryshime,

me njerëzit e egër përqark.

Pasqyra evropiane,

zbuti indianët e Amerikës,

gënjeu indigjenët e Guinesë,

si dhuratë e paparë.

Ata i qeshën vetes,

pa menduar tmerrin e frikës,

që do u sillte më pas,

baruti i njeriut të bardhë.

Dikur Arkimedi i Sirakuzës,

me pasqyra konkave,

mblodhi diellin gjigant,

sa një grusht përvëlues,

duke fiksuar zjarrin qiellor,

me energji kolosale,

shkrumboi anijet

me gjithë ushtarët pushtues.

Pasqyrat me refleks amalgami,

të çdo formati,

u bënë më pas,

më i nevojshëm send vetjak

për të mbajtur në kontroll

çrregullimet e shtatit

dhe paraqitjen e fytyrës,

për sytë e tjerë perqark.

Përpara pasqyrave,

dalin të përmirësojnë dukjen,

vajzat që zbukurohen,

të joshin djemtë e dashur,

nuset, që gjatë natës,

çngjyrosen nga puthjet,

plakat, që mbulojnë

zhubrat e moshës së zbardhur.

Pa pasqyra, shoferët,

do mbanin kokën përjashta,

të kontrollonin lëvizjet e mjetit,

gjatë çdo manovre.

Sikur amalgami të fiksonte

gabimet e mbrapshta,

pasqyrat në aksidente,

do ishin dëshmi prove.

Pasqyrat reflektojnë,

tërë bukurinë e njerëzimit

dhe gjithë shëmtirat,

që krijon natyra, në nxitime.

Por, po të kishin gojë,

të dëshmonin mashtrimet,

s’do kish mbetur pasqyrë,

pa u bërë copë e thërrime!…