Suplementi Pena Shqiptare/ Klodi Stralla: “Lulet e mollës”

109
Sigal

Dikush kish postuar sot,  në fb-uk, këtë foto nga kopshti i shtëpisë të tij. Është një degë molle, në lulëzim të plotë (muaji prill është muaji i lulzimit të shumicës të drufrutorëve). Vetiu kujtesa më çoi larg, në vitet e mia të shkollës, kur më ra në dorë për lexim një libër me format të vogël por me emocione të mëdha, i titulluar “Lulet e mollës”, një novelë e një dashurie tragjike, vepër e shkrimtarit anglez John Galsëorthy (1867-1933), për të cilën dy muaj para vdekjes iu dha çmimi Nobel për Letërsi.

Historia e Migen Devid, një fshatareje të thjeshtë nga një fermë e largët angleze, me Frenk Esherstin, vazhdon të emocionojë çdo lexues, pavarësisht kohës kur John Galsëorthy e ka shkruar. Vetëm 17 vjeçe. Migen bie në dashuri me studentin që qëndron disa ditë në fermën e prindërve të saj. Në pak ditë zemra e vajzës së re pulson për djaloshin me flokët e verdhë me balluket mbi ballë, i cili ka të njëjtat ndjenja për të. Në kopshtet ku gjallon pranvera, ajo dëgjon fjalët më të bukura të dashurisë prej tij. Eshersti i thotë se do ta marrë me vete në Londër, do t’i blejë fustane të reja dhe do të jetë gruaja e tij. Në ëndërrimet e saj, Migen ëndërroi arratisjen nga fshati, dhe jetën e lumtur pranë Esherstit … Por në fund, Esherstit i duhet të zgjedhë dikë tjetër për grua dhe ta lërë Migenin ashtu me fustanin e saj të thjeshtë prej basme teksa sheh qelqet e dyqaneve londineze ku ka mbërritur për ta kërkuar atë.

Fundi tragjik i Migen është realiteti i kohës kur Galsëorthy shkroi veprën. Vdekja e saj është një tregim për dashuritë e pamundura, për dy kulturat e ndryshme që s’mund të jenë asnjëherë bashkë. Një anglez i sërës së lartë të epokës viktoriane, nuk mund të martohej asnjëherë me një vajzë ferme, dhe nëse e donte atë. Kjo është zgjedhja që bëri Eshersti te një nga novelat më të bukura të shkruar nga John Galsëorthy, “Lulet e mollës”. Një libër që të përlot, pasi të ka ofruar një botë kaq të pastër ndjenjash. I konsideruar si një nga novelat më të mira të dashurisë.

Nuk e di sa popullore është sot kjo novelë mes të rinjve, por në kohën time nuk kishte nxënës/e shkolle të mos e kish lexuar. Ajo u ekranizua edhe në film me shumë sukses.