Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi për dashurinë: Dritëro Agolli, Teodor Keko, Federik Rreshpja…

30
Sigal

“Mjegulli i Dashurisë”

Dritëro Agolli

 

Kur ikja larg, drejt teje vija.
Kur vija afër, ikja larg.
Për dreq më trembte largësia
dhe afërsia bëhej çark.

As e kuptoja si të desha;
një mjegull pus, një çmenduri,
si një poet që shkruan vjersha
dhe ndez një shkrepëse, i bën hi!

Dhe ndoshta kjo ish dashuria
e çakërdisur kuturu…
Për dreq më trembte largësia
dhe afërsia gjithashtu.

“Mos e mallko me ndarje këtë natë”

 

Frederik Rreshpja

Mos e mallko me ndarje këtë natë!
S’duhet të ndahemi në këtë peizazh me erë,
nën këto re të qiellit rrënojë.
Argjendi i dhembshur i këtij peizashi
në shpirt si medalion do të të rëndojë.

Se në ditët më të trishtuara
të kam mbrojtur nga pikëllimi i qiellit me shi!
Dashuria ime mund të bëhej çati e tërë botës;
e çdo vjeshte. E çdo stine.

Jam i trishtuar. Trëndrafilat e tu
më mbetën në duar si plagë
dhe perëndimi rend pas mollëve me pishtar
t’i vërë flakën kësaj nate.

Ndoshta do të kthehesh një ditë,
por pas mollëve e viteve…
Atë botë perëndimi do të ketë djegur çdo gjë.
Ah! Në këtë botë të madhe, vetëm unë e ti
nuk do të jemi të lumtur më…

 

Përqafimi”

 Teodor Keko

 

Po fryn një herë e ngrohtë jugu,
në park, ngadalë përkulen pemët,
si krahë të dridhshëm të dashuruarish
në përqafim ndërthuren degët.

Dhe mua më kujtohesh ti
e ngrohtë, e bukur si kjo erë,
me krahët lidhur pas trupit tim
për puthje etur dhe pamje mjerë.

Çfarë mrekullie do ish të vije
në sup symbyllur të rrije pranë,
dhe puthja jote, si dorë artisti
ta kthente gjoksin tim në kitarë.

Por ti, s’vjen më! Mjerisht s’vjen!
Veç motin ngroh e dërgon erë
që unë të qaj me një lot
që unë të përqafoj një pemë.

 

Xhevahir Spahiu

“Shembja e një nate dashurie”

 

Ktheva kokën, mbajta hapat:
binin tjegullat, binin trarët,
binte qielli i një nate dashurie.

Atje mbi papafingo, pranë yjeve e pata puthur,
shemben yjet tani, bëhen pluhur.

Dritare s’ka, ka sy të zgavërt,
s’ka mure me plasaritje të ethshme,
skelete fjalësh në gjysmëerrësirë,
skelete ëndërrash, premtime të nesërme.

Ngrihet tymi si një mjegull e bardhë,
një grusht eshtrash të një nate gërmadhë.
Në cep të rrënimit
dy burra po pinë qetë-qetë cigare.
Ej, ju atje! Nuk dëgjoni si ulërijnë brenda meje xhindet,
edhe pak e llava do të dalë jashtë meje si tek vullkanet?

Mos u kthe në kujtim,- i thashë!
Mos u kthe në harrim,- më tha!
Botës i falëm një natë dashurie
dhe kjo s’është pak.

Një natë. Dhe çfarë nate!
Dora mbi sup,
hëna mbi mal,
qielli i kaltër i botës mbi krye…

Mbajeni, mbajeni!
Ajo po bie…po bie…!

Dhe ishte një natë e paemër,
siç ishin të paemërt yjet.

Kini mëshirë, mos e shembni atë natë!
Është rënkimi im apo klithma e saj?

Kini mëshirë, kini mëshirë!
Ajo isHte një natë dashurie
që kurrë s’duhej të kish gdhirë.

Kini mëshirë
në mos po atje nën gurë,
nën peshën e natës së shembur do të shembem,
i vrarë jo nga urrejtja, po nga dashuria,
që, përjetësisht quhet dhembje.

 

Agron Tufa

Sonet”

 

Kupën e kujtimit tënd ku ta fsheh e ku ta hedh?
Bëj ta flak e bëj ta thyej, bëj ta lë e më rrënqeth.
Kupa e kujtimit tënd valon shkumë dashurie
m’u ka ngri si një servis mbushur pije çmendurie.

M’u ka ngri në dorën time ky bardhak i fildishtë,
i hedh zjarrit, zjarri digjet si në ethe kaltërsisht.
Nuk e pi kujtimin tënd. Kupa le ta pasqyrojë
sonte qiellin lakuriq edhe hënën e pagojë.

Le të rendet e përlotur përmbi kupën e mallkuar,
ftyra ime ndër reflekse zbehtësisht e vizatuar.
Kupa e kujtimit tënd më s’do mbushet kurrë me ty.

Bëj ta flak e bëj ta thyej, bëj ta pi e dot s’e pi.
Do të rend pra krejt i marrë me servisin e hënuar
gjersa shkuma nëpër kohë do jetë tretur, avulluar…