Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Berat ..

114
Sigal

Nuk di ç’të shoh, ç’të prek më parë,

s’e kam vetveten më në duar.

Këtu mund të vish si udhëtar,

dhe të kthehesh, një i dashuruar.

Mbi kokë kam një mbi një dritare;

Gorica plakë më rri përballë ,

dhe pse me to, nuk njihem fare

se di as vet, pse ndjej kaq mall!

Ndofta kjo ndodh vetëm me mua

që gjithçka prek, e dashuroj,

ose magjia e këtij lumi,

që ngut vetveten , larg të shkoj.

Do të doja shumë t’i vete pranë

ta ndjek nga pas gjer në mesditë

por sot kam ardh për Buharanë

që asgjëkund s’po ma zenë sytë.

Në vend të tij një vajzë prej flladesh

më reciton serbes, serbes

një poezi nga Gjylistani,

një strofë të bardhë prej Shahnamesë.

Me djell, më ngrohet befas trupi!

Më meken fjalët s’di ç’ti them.

Mëngjesi ngjit kalanë prej guri

dhe zbret ngadalë mbi Mangalen.

Si ndjej më këmbët, ku më shpien;

Ato këtu lëvizin vetë.

Unë jam dashnor i bukurive

ndaj s’ndahem dot prej tyre lehtë.

Tashmë në gjoks si kalë beteje

trokon mesjetë dhe lashtësi.

Ka hyrë qyteti brenda meje

apo kam hyrë unë… brenda tij?

 

 

Ode dashurie për lumin e fëmijërisë sime

Lumi s’duket, por ndihet prania

nga oshëtima e ujrave, që vërshojnë me vërtik.

Në brigjet e tij më kaloi fëmijëria

më kot s‘kam thënë, e kam mik.

Pranë tij vija shpesh, në kohën e shkuar

(Shoqëria me një lumë është bekim).

Ai zgjaste drejt meje dy valë, si dy duar

të më fuste në gjoks pa ngurrim.

Qëndronim bashkë, gjer në të ngrysur

pa parë se ç’bëhej rreth e qark.

Ai kurrë prej meje s’është bezdisur

mjafton t’ia mburrje dallgët pak.

Ndonjëherë, e shihja të mërzitur,

ndonjëherë, gjithë gaz e gjallëri…

Nëse unë shpesh ndryshoj papritur

do të thotë, se kam diçka prej tij.

Ç’nuk kemi thënë e llomotitur;

për çdo të fshehtë dhe çdo secret.

Unë nuk i hapem lehtë njeriu,

por pranë tij fjalët dilnin vetë.

Ende dhe sot nuk e kam zgjidhur

pse u soll me mua si fisnik ?

Nga dallgët e tij kaq njerëz janë mbytur,

dhe emri i tij sërish ngjall frikë.

Lumi nuk duket, por ndihet prania;

nga gjëmimi i ujrave, që rrjedhin me zhurmë.

Pranë rrjedhës së tij, rrodhën vitet e mia,

prandaj të kam thënë, se unë, ndihem pak lumë!