Autoritetet italiane kanë zhvilluar një operacion anti-drogë në orët e para të mëngjesit në Torino dhe Frozinone. Aksioni është shtrirë edhe në Shqipëri.
Mediat fqinje shkruajnë se janë lëshuar disa urdhër-arreste, më saktësisht 6 në Itali dhe 3 jashtë vendit, ku këto të fundit nuk janë ekzekutuar ende. Aksioni, i quajtur “Car Wash” (Lavazhi), nisi pasi të dyshuarit përdornin një lavazh si bazë për të koordinuar trafikun e drogës mes Ekuadorit, Belgjikës, Francës, Spanjës dhe Italisë.
Ata, mes shumë gjërave të tjera, kishin ndërtuar dhe testuar një nëndetëse të vogël, e cila mund të drejtohet nga distanca, për të transportuar drogën. Mjeti ujor pavarësisht se ishte ndërtuar nuk ishte përdorur asnjëherë.
Kjo organizatë kriminale drejtohej nga dy vëllezër me origjinë shqiptare me kapacitete të mëdha ekonomike, aq sa mund të kryenin trafikun e drogës mes Italisë dhe Shqipërisë e të paguanin njerëzit që transportonin lëndën narkotike në Torino.
Gjatë hetimeve, të cilat janë përqendruar më së shumti në Nëntor 2021 dhe fundin e vitit 2022, hetuesit sekuestruan mbi 204 kilogramë kokainë e hashash duke gjurmuar disa anije të ndryshme.
Kokaina arrinte në Itali nga Amerika e Jugut. Fillimisht kalonte përmes Holandës, ndërsa më tutje shkonte në Torino nga Spanja ose Franca. Zakonisht transportuesit e fshihnin në dysheme false të makinave lëndën narkotike.