Suplementi Pena Shqiptare/ Bledar Koçi: Karadaku

12
Sigal

Heroit të Popullit, Xheladin Beqiri (Karadaku) në 80-vjetorin e rënies (6 Qershor 1944 ) në Qafën e Gjarprit –

Sërë-sërë fishekët ngjeshi
djali prej Gjilani.
Se e rriti Kurveleshi,
në soj jatagani.

Një atdhe e heq përpara,
tjetri e ndjek ëndrrës.
Mes buçimash me mortaja,
po shkon trim’ i këngës.

Trembi diellin përmes resh,
Trumbetë e kushtrimit.
Mbi nazistë derdhet rrebesh,
Xheladin Beqiri.

Trup më trup, e dhëmb për dhëmb’
turret Karadaku!
Ngjeu gurët te një shkëmb
me stërkala gjaku.

U këput si yll i ndrirë,
mbi Qafën e Gjarprit.
Nënë Kosova qan të birë,
në mal tẽ Skraparit.

Një vëlla, një theror,
Pëllumb në liri;
shkoi e mbeti ndër dëshmorë,
për një Shqipēri.

DRITËZA

Ca dritëza duken atje!
Oh, ç’dritëza…
Si ato që shihja ëndrrave të mia.
Ja, njëra rrjedh pragjesh.
Një tjetër, është varri i gjyshit.
Tjetra përfund jam unë,
fëminor që kacavirrem tek retë.
Shihni, shihni…
Kapardisur rrëzëllin dhe një plep.
Qyshkur vetmitar,
ulur galiç,
fërshëllen melodi të vjetra,
grigjës nën shpatin e malit.
Ca dritëza…
Ca dritëza duken atje!
Që ikin e vijnë ngaherë.
Atje, atij qielli
Orakuj derdhur prej malli.

E NDRIRA FJALË ..

I moçmi plak më tha në vesh:
“Ndër udhë ti mos u ep.
Në daltë i ligu, buzëqesh,
dhe gurin mbaj në xhep.

E liga, bir, të vë përfund,
lufto me dashuri!
Një zemerbardhë,
e mposht gjithkund
të zezën ligësi… “

Më humbi jetës ai plak
s’e pashë më ndër të gjallë.
Me thinja zverdhur, e shtatpaktë,
që la të ndrirën fjalë.

S’mbaj mend në mbajta gurët pirg,
veç gaz derdha me lot.
Dhe ndofta bashkë me një të lig
jetova nëpër botë.

Ç’e mirë të keqen fort e mund!
Në palcë, gjak e eshtër.
Ndaj buzëqeshni, ju them unë,
siç tha një plak i vjetër.

E THJESHTA LUMTURI

Rendim më kot drejt lumturisë
dhe ndodh të jetë aq afër nesh,
mundim i verbër shpirtin gris,
e lehtë t’a gjesh, vështirë t’a kesh.
Kam parë një herë të lumturuar,
një ditë pazari në qytet,
me fije malli të arnuar
nja dy tre djem në qejf të vet.

Këmbkryq të ulur një lulishte,
fytyrëqeshur përmbi bar,
s’mbaj mend ish festë, a ç’ditë ishte,
kujtoj veç djemtë, zemërbehar.

Një pjepër dyllë në duar mbanin
të prerë në thela me biçak,
shijonin ngastrat e gajasnin,
qëndiste lëngu mbi jatak.

Lëkurët flaknin, hidhnin pas
pranë kalit jele ngjyrë flori,
përtypte, çonte në gurmaz,
një çast të lumtur dhe ai.

Ja pra, e ëmbla lumturi
s’kërkon më shumë e bardha letër.
E gjeta thjesht, as vetë se di,
me djemtë, një kalë, edhe një pjepër.

BALADA E SHQIPONJËS

Kam dashur atje, nga rrjedh kaltërsia
të kem një shqiponjë prej visesh të mia.

….

Një vjeshte të largët më erdhi dhuratë,
shpendi sundues i malit të lartë.

I nxirë një krah nga plumb vrastar,
dhe syve shkreptima që kurrë s’kisha parë.

Dëshirë e imja, e çmendur dëshirë;
t’a mbaja për vete shtatore të ngrirë.

Ç’dhimbje i dhashë, e ç’ngasje s’më ndali,
të lija xhelatin t’a ngrijë së gjalli.

Nga helm i gjilpërës vështrimi iu vesh,
dhe dielli i vjeshtës u fsheh prapa resh.

Te maja mbi majat, ku shqipja sundonte,
me kthetrën e mbledhur tani më s’jetonte.

S’kisha më zemër t’a shihja pa shpirt
shtatore të ngurtë, me sytë pa dritë.

I hodha në krahë dy flatrat e saj
nemitur, e ngrita, e s’munda të qaj.

Përmes, kraharori ish enjtur me lot.
Dy duar s’më bënin t’ia hapja një gropë.

Mes qiejve u zhduk, u mbyt hëna gri,
kur shpendin mbuloja me dheun e zi.

Tek ikja, ra terri…  mesnatës u ngjiz,
si plagë e shqiponjës mbi krah të lirisë.