Nga Petrit Beqiri, Çano Nora
Poetë dhe publicistë.
* Asnjë poezi nuk është e tepërt në këtë libër, por çdonjera prej tyre është një hallkë e një zinxhiri të bukur poetik
* Dyqind poezitë e librit “Në të kaptë të erës”, që vijnë e mbeten tek lexuesit dhe jo të vinë e të ikin si erë e tepelenës
* Le të na vijë vdekja nga poezitë e këngët. Po ka për të ardhë Lefter Çipa thoshte: o shokë, vdeksha nga kënga!”
* S’kam pse të pyes të tjerët për të shkruar e për të bërë poezi. Pyes zemrën. Ajo më thotë shkruaj!
Valbona Pasha Kordha, poetja e lindur dhe e rritur në Tepelenë , që e vogël u rrit me ndjesinë për të bërë vargje të thjeshta që nga fillimet e saj , por që do të vinin duke u konsoliduar dhe t’a prezantonin këtë si një poete me dinjitet dhe me vlera përfaqësimi në komunitet. Në të gjitha poezitë e librit të ri të saj “Në të kapte të erës”, frymëzohet nga përjetimet , aty në vendlindjen e saj të dashur, në Tepelenë, me historitë, me dashuritë, me gjithçka që e ngacmon në shpirt për të shkruar e që përbën lajm poetik. Në brendësi të çdo poezie është era e Tepelenës me kapriçot e saj. Kryeneçësia e lumit të Vjosës, është kënga për birbilejtë,është aroma dehëse e luleve të Këndrevicës, është vetë jeta në këto anë, me të mirat dhe me vështirësitë, është gjithçka që e ngacmon poeten dhe e frymëzon për të bërë poezi të bukura, që të kënaq lexuesit dhe t’i rezistojnë kohës, si një diamant.
Valbona, aty ka marrë lëndën e parë , e ka përpunuar me kujdes dhe na ka dhënë ne lexuesve një produkt aq të pëlqyer , poezinë që lexuesit e ndjejnë , e pëlqejnë dhe shijojnë ëmbëlsinë e vargjeve të kësaj poeteje . Kjo edhe pse numëron dy libra të vetëm me poezi, vjen me një përvojë , që e ka ngritur në nivele të tilla, për të konkuruar denjësisht pa droje edhe me krijues që kanë kohë që e kanë nisur me kohë këtë rrugë poetike. Lexon e shkruan. Shkruan e boton. Kjo poete tepelenase, nuk vjen në letërsi si Dritëro Agolli, Kadareja, Fatos Arapi , Natasha Lako, Iliriana Sulkuqi etj, por vjen me emrin e zërin e saj. Kjo e bën atë më të veçantë. Kështu ajo mbetet vetvetja , se duke mbetur dhe ardhur si e tillë ,Valbona ka bërë diçka për lexuesit dhe vendin e saj. Poezitë e poetes së vargjeve të bukura, Valbona Kordhës , të krijojnë përshtypjen e një skene teatrore, ku lëvizin personazhe pandërprerë , që s’ndalin, por e mbajnë frymën gjer në fund. Poezitë e Bonës kanë ritëm brenda, kanë melodi , kanë ndjenjë , kanë dashuri pa fund , gjithëçka të bukur që i bëjnë lexuesit për vete, duke ardhur tek ata si një lajm i mirë! Ajo poezinë e mban në shpirt , si një erë Tepelene, që përplaset në Vjosë dhe gjithë relievin poetik të saj. Valbona, një erë që u frynë reve , që ka çelësin poetik të ndezë yjet..
Vargu udhëton në shtigje hëne , udhë që e ka shkelur më parë poezia e Agim Shehut, Petrit Rukës , Ilirian Zhupës , e të tjerë poet tepelenas , poezi e faqosur si lot i ngrirë. Stina e poezisë së saj , më shumë është vjeshta ndaj është edhe e begatë në ngjyrë dhe vjelje detajesh…
Çfarë pozicioni ka zënë Valbona , në të kaltër të natës? Kohë poetike ( e gjetur kaq bukur te kjo shprehje frazeologjike),që është shumë e volitshme për të pikasur e zënë poezinë që në zgjimin e saj të parë figurativ.
Poezia e kësaj poeteje shpesh është e rastësishme , që vjen nga vëmendja e ngritur poetike , për të kapur detajin e çastit. Poezia e saj është “far” , që orienton qëllimin e mbritjes te shpirti i lexuesit.
Anijet përtej ngrenë velat,
e ikin në ishujt e lashtë,
ato nuk do të kthehen kurrë,
fati i hapur si dorë,
dritë do të ndrijë
për ndonjë rikthim rastësor.
Që kur e gjen dhe nis të shkruaj poezinë përfytyron edhe stilin e faqosjes , si imitim i reve të bardha ,”faqosur” në qiell. Ajo i bie në “kokë” trishtimit , me një ujvarë buzëqeshjesh.
Valbona,, në rrjedhën e saj ,dëgjon zërin e të pazëshmes dhe e hedh në vargje , që ngjajnë si metafora, kryqëzuar e kokolepsur si kulpra në pemën e poezisë. Ajo rri në pritje të dëgjojë se çdo t’i thotë zëri i vjeshtës , kur t’i dalë , që të bëjë shpirt në poezinë e saj. Poezia e kësaj poeteje është planifikim shpirti, jo si e lindur pa plan në një univers anemik , por ka universin e saj , të mbushur me jetë e frymëzime.
Tema e dashurisë futet në poezinë e saj si një trumcak i trembur , që gëzohet e ringrihet, shpesh edhe prej dhimbjesh , me cicërima vargjesh. Dashuria cicëron në poezinë e Valbona Kordhës. Bëhet eshtër për dilemën : ” Luftë e dashuri”?!Ajo e zgjidh në shtrat të poezisë këtë gjëndje , ku çmenduria vishet në metafora dashurie.
“Çmenduria” e poetes ka fytyrën e dashurisë!
Për afirmimin si racë e zgjedhur poetësh në trevën pjellore poetike të Tepelenës gjen këndvështrimin e saj duke deklaruar se i njeh mirë poetët dhe “çmenduritë” e tyre është futur në zgavra dhimbjesh , që ndizen në sytë e tyre. Është ushqyer me fjalë të yshtura e të kënduara, duke kapërcyer pragun dylbejan , si një magji e penës së artë tepelenase. Sa lehtë bëhet prozë poezia e Valbonës!
Poezinë :”Si e pikturova dashurinë” ,po e heqim nga korniza dhe kriteret që ka poezia dhe po e shkruajmë si prozë në këtë paragraf:- Vendosa shkallët në kupë të qiellit , ku hëna kishte shtëpinë dhe u ngjita me bojëra në duar. E gjeta në gjumë , flinte me poezinë. Qiellin e ktheva të gjithë në telajo dhe hodha në të, gjithë epshin e bojtë , për të ndërtuar shtratin e poezisë dhe një ylber , si hark dashurie , me kolor ngjyrash pikuar.
Më doli fytyra e dashurisë!
Pastaj , zbres në një udhë të gjatë , ulem ngadalë nëpër shkallë zemre dhe shkallë ylberi.
Dashuria është qielli i shtatë!
E vendosur në kërkim të poezisë , ajo e gjen atë , se poezia është gjurmë e saj në ajrin që thith , zbret me shkop magjik fjalën e zgjedhur “në gjurmët e një ëndrre, apo si krahë blete , kapur si varg”…
Më lerë ku të duash, në male me shtigje,
atje ku ujkonjat rrinë me vetminë,
do ndriçoj më shumë se farët në brigje,
që të më vish çdo mbrëmje, si një rrëfim….
Poezinë e Valbonës , një ëndërr e shpeshtë në zgjimet e kryqeve të udhës,një këngë e zogut të prillit ,që ndjek shtratin e lumit që lag dhe mbyt Tepelenën me vërshime të befta e të papritura poezish nga emra që lindin çdo ditë.
Muza është përherë në Valbonë , si magji që e bën të dalë nga vetja , të dalë nga shtrati duke bërë shteg për qastra poezish të përditshme e të përkohshme.
Poetja përmend shpesh ëndrrën , që mund t’a gjesh pothuajse në çdo cep poezie dhe flet shpesh me ato ç’i kujtohen nga gjithë përjetimet në zgjimet poetike aqsa shpreh dëshira të pamundshme realizimi në jetë si për shembull kur thotë:” re u bëfsha në krahët e erës , në vesë u kthefsha , si një pikë lot”…
Një imagjinatë piktoreske , si sfond i bukur i poezisë …
I vjedh terrin natës , u merr dritën yjeve, luan shumë me hënën , dritë u jep hijeve…
Poetja krijon stinën e pestë , atë të poezisë .Poezinë që shkruan e sheh si dëshminë më të fortë të mos harresës , si parashtrim i një eposi , që do flas edhe pas shumë kohësh në qytezën e poezisë , murrosur në shtratin e Valbonës , si një stinë shtesë, që e kanë vetëm poetët.
Me epitetet në tituj , si “Stinë e harruar” , Shpirt i harruar” , ajo në fakt kujton dhe zgjon poezinë që fle brenda shpirtit të saj. Valbona poete është indiferente ndaj mërisë , e le të shkojë , e thënë kaq bukur në këto vargje:
“Natyrshëm i lë ujrat, të rrjedhin mëritë,
humbas pas melodisë në dallgë të mëdhaja.
Dashuritë lindin , jetojnë dhe vdesin një ditë,
dhe shkojnë e prehen lartë, në mjegullnaja”…
Kështu na vjen poezia e Valbonës në këtë libër , pa mëri e daramete , si një Vjosë në rrjedhë të qetë dhe mot pranveror….
Një gjë të mbetet në mëndje kur mbaron së lexuari vargje nga ato të kësaj poeteje , sepse asnjë poezi në libër nuk është e tepërt , por çdonjera prej tyre është si një hallkë e një zinxhiri të bukur poetik.Temat e çdonjerës prej poezive të saj, i përzgjedh me kujdes në jetën e përditshme , aty ku punohet, ku mbijetohet, ku triumfon optimistja, zhvillimi e jo regresi, aty ku dashuria merr kuptimin maksimal të jetës , ku çdonjeri e do shumë jetën, atje ku qajnë e qeshin zemra njerëzish. Rri pranë njerëzve dialogon, frymëzohet . Se poezia është e realizuar mirë dhe përcjell art e mesazhe pozitive, jo vetëm kur të pëlqen ty si poet, apo edhe dhjetë e më shumë të tillë, por kur pëlqehen nga lexuesit e shumtë. Ti kënaqesh e lumturohesh me të parët, por do të lumturohesh më shumë nga këta të fundit, se poetë ka pak, ndërsa lexues ka shumë. Kështu poezitë e pëlqyera nga lexuesit do të jetojnë më gjatë në memorien e tyre dhe ti si krijuese nuk të humbet emri i mirë që e fitove me aq mund. Poetja jonë tepelenase jeton çdo çast e tensionuar dhe e vëmendshme , për të sjell krijime me frymëzime reale e të vërteta , që dhe në poezinë më të shkurtër të shprehet qartë e plotë kolorit. Poezitë e saj ngrihen nga ligjërimi më i thjeshtë e gjer tek gojëtaria më e lartë. Sapo fillon që të njihesh me vargjet e kësaj poeteje e kupton lehtas se ke të bësh me një krijuese , që është e ndërgjegjësuar dhe e bindur plotësisht për të hedhur në letër dhe për t’jua servirur lexuesve me një përgjegjësi dhe dashuri vargjet, që të mbeten tek ata sa më gjatë dhe jo të humbin si flakë kashte. Ajo nuk vjen në “sheshbetejë” duke luajtur me vargun , dhe t’a ndryshojë stilin e krijimit sa herë të dojë , ajo vjen natyrshëm pa dalë nga shtrati poetik , duke rendur e orientuar brenda një “argjinature” që të mbron kurdoherë nga “përmbytjet” poetike. Dhe kur lexuesit sapo kanë përfunduar dhe vargun e fundit të thonë:” Këto janë 100 përqind vargjet e Bonës . Këto janë 100 përqind bio!”.Valbona Kordha vjen para lexuesve tepelenas , gjirokastritë dhe më gjerë , me 200 e ca poezitë e librit”Në të kapte të erës” , me vargje që vinë e mbeten në shpirtin e tyre dhe jo të vijnë e të ikin si erë e Tepelenës. Një libër dinjitoz, me poezi të kapura fort tek njera – tjetra, marrin jetë te lexuesit aty buzë Vjose, përmbi Tepelenë. Erdhi Bona me vargjet e bukura, me vargje të faqosura këndshëm si shamia e një nuseje ! Erdhi kjo poete ,pas një pune disavjeçare, duke na sjellë vargje si një melodi për shpirtin, si një këngë e përjetshme.
Po na erdhi vdekja, le të na vijë nga poezitë dhe kënga thoshte Lefter Çipa gjersa iku:” O shokë,vdeksha nga kënga!”.Kur e pyetën poete Valbonën në një takim me nxënësit e një shkollë në qytetin e Tepelenës,buzë Vjose ,se çfarë të shtynë për të bërë poezi?
Ajo përgjigjen menjëherë e kishte gati:- S’kam pse të pyes të tjerët për të bërë poezi, për të shkruar. Pyes veten, pyes zemrën. Zemra më thotë shkruaj!