Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail Xhaferi: Letër qershorit

Tani që lëndinat janë mbushur me lule,
do t’i shkruaj muajit qershor një letër…
T’i dërgoj një tufë trëndafilash të bardhë
miqve të mi, të rinj e të vjetër.

Do të kërkoj nga ky muaj magjik,
të hedhë mëngjeseve edhe pak shi!
Të harkohet një ylber si kostumet lunxhiote,
nga Gjirokastra deri në Lunxhëri.

NOA

Do t’i kërkoj të fshijë edhe ca re,
që yjet në qiell të shfaqen çdo natë.
T’u mbushë duart grave me lule,
t’i bëjë burrat të çmenden për gratë.

Do t’i shkruaj muajit qershor një letër,
që lulet më të bukura t’i bëjë dhuratë për nënat!
Nëse nuk i mjaftojnë lulet e tij,
t’i këpusë brenda nesh, tek zemrat…