Të rri këtu s’kam ç’të bëj më!
Edhe vetë vdekja u mërzit.
Nga horizonti më vjen një zë:
Po ti çfarë pret, ik ore ik!
Po ik or ik merr arratinë,
aty ku je nuk ka më keq.
Rininë e dogje me benzinë,
aty do ngelen vetëm pleq.
E rri mendohem thellë e thellë,
se mos ka ngelë ndonjë dëshirë.
Këtu o mik jeta s’ka vlerë,
çdo gjë u kthye shkretëtirë.
Dhe e kthej kokën nga kam ardhë,
një pikë loti kthehet si lumë.
Si nuk pamë një ditë të bardhë,
s’di çfarë them dhe unë më shumë.
Dhe po ika s’kthehem më,
balta ime nuk më mbajti.
Që të iki s’humbas gjë,
që të rri më lëngon shtrati.
Dhe po ika s’do bëj zhurmë,
as njeriu s’do t’i them.
Këtu s’më ngeli një gjurmë,
nga do vete s’di ç’tu them.
Di që bota është “humane”,
thonë ti dhuron dy gisht dhe.
Kjo këtu është hane-hane,
vet të vretë e vet bën be.
Shpesh herë them qenkam pa fat,
ndoshta më vjen këtë herë.
Po ika do marr një vrapë,
më si kthej sytë nga kjo derë.
Boll me kaq, shteroi fuqia,
këtu njerëzit s’janë normalë.
Fund nuk merr kurrë babëzia,
gjithmonë tërmet mbi tetë ballë.
Dikush edhe mund të qeshi,
ndoshta dhe nuk i vjen mirë.
Se kush pushtetin e veshi,
vrau,vodhi me dëshirë!
Popull ngele në mëshirë!