Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Një fëmijë i pagjumë

Unë dhe babi duhej të dilnim për të pritur mamin. Por më parë duhej të mbaronim punë me motrën dhe vëllain. Me Lizën e shtymë njëfarësoj; do ta mbante një kohë tabletin e saj, ku shikonte ndonjë film vizatimor. Kurse vëllaçkoja, që s’kishte asnjë motiv argëtues, nuk flinte dhe as që bëhej fjalë t’i mbyllte sytë. (Ç’na kishte bërë ky ekskursioni i mamit!)

Meqë babi tha se do të bënte gati motorin, desha s’desha, qëndrova gjithë durim tek krevati i vëllait. I flisja. E përkëdhelja. Jo që jo! Ndërkaq, fillova të mendoja për mamin. Nuk e kam dashur asnjëherë si atë ditë. Jo pse nuk po na shkonte edhe aq mbarë. Jo. Mendoja për mirësinë e saj. Me ç’përkëdhelje na ka rritur? Si na ka mëkuar e vënë në gjumë? Me ç’fjalë magjike? A thua një puthje e saj vlente sa për njëqind… Oo, u kujtova për përrallat.

Sigal

-I dashur vëllaçko, – i thashë Altinit, – tani ti mbylli sytë, kurse unë do të të tregoj një përrallë shumë të bukur… Na ishte seç na ishte. Na ishte një vajzë e vogël, e bukur, e urtë. Ajo mbante një kësulë të kuqe…

Kësulëkuqja ia afroi paksa gjumin vëllait. Po nuk mjaftoi. Atëherë fillova t’i tregoja “Shtatë kecërit dhe ujku”. Pastaj “Borëbardhën”… Tinit po i mbylleshin sytë, por mendjen e kishte top fare. Tjetër, thoshte, tjetër… Dhe unë, ku ishin e ku nuk ishin, gjysma – gjysma apo të sajuara, i tregova atij të paktën çerekun e përrallave më të bukura që ka bota. A fjeti ai? Jo.

Ndërkohë ishte kthyer babi dhe po më zgjaste duart. Pra… s’e paske vënë në gjumë ende?!

-Mbylli sytë se do të të hajë ujku, – e kërcënoi ai, i nxehur sa më s’bëhej.

Por Altini bënte sikur flinte dhe më tundte dorën. Kjo donte të thoshte se duhej të vazhdoja. Po me çfarë? Mua po më mbylleshin sytë për vete. Zura t’i tregoja për së dyti përrallën e mrekullueshme “Katër shokët”. Na ishte një gomar plak dhe i drobitur…

-Ej ej, – më ndërpreu Altini, – këtë ma the njëherë.

S’më mbetej gjë tjetër tani, veçse të sajoja nga mendja përralla të reja. Ndonjë gjë me dhelpër, me ujk… Por ndoshta nuk ishte më e nevojshme, sepse ja tek u hap dera dhe mbërriti ujku vetë. Domethënë babi ynë, i maskuar si ujku. Ai kishte hedhur në kokë diçka si… Obobo! Estradë fare. Ecte ngadalë dhe hungërinte shurdhër, në një mënyrë që të shtinte frikën.

-Seç është këtu një mistrec, një zevzek, një Tini… që unë… ah mos e shtënça në dorë!

Babi e luante shumë bukur pjesën. Por pikërisht prej kësaj u prish puna fare. Altini i shkretë u llahtaris. Ai u mblodh brenda kuvertës, krejt si ndonjë iriq. Dhe filloi të lëshonte ca klithma që s’kisha patur rast t’i dëgjoja asnjëherë më parë. Dhe ujku, domethënë babi, u tremb më shumë se ai. E hoqi nga koka atë gjënë lemerisëse dhe filloi ta merrte Altinin me të mirë. “Shpirt i babit! Po babi bëri shaka… Si nuk e kuptove ti që babi bëri shaka? Një fëmijë e mbarë duhet ta kuptojë shakanë. Mos u tremb zemër, mos u tremb. Babi të ka yll… A trembet fëmija e mbarë? E pra, xhan i babit, ti s’mund… sepse unë… sepse ne…”

Altini i prapë përfitoi nga këto ligjërime të ëmbla dhe luftoi sërish me ne dhe me gjumin; të paktën edhe një gjysmë ore tjetër. Dhe kur më në fund iu mbyllën sytë vërtet, mua nuk do të më dukej çudi sikur të shkrepej ndonjë top. Babi nxitoi t’i lutej njërës prej fqinjave tona të rrinte me Lizën dhe Altinin vetëm për pak kohë. Për fare pak…