Kurrë, mos më thuaj, do të puth nesër!
Ndoshta nesër, as unë më s’do të jem,
nesër ndoshta është një gënjeshtër,
ditë korbash, që krakëllijnë me ujem .
Kurrë, mos thuaj, do të vë zemrës nesër,
kur sot më ke pranë, djegur nga malli,
ndoshta nesër, dëshira zgjohet e verbër,
duke thërrmuar , çdo ndjenjë kristali.
Kurrë, mos më thuaj , do të puth nesër,
kur agut të shkreptijë rrezja e parë!
Ndoshta dielli nesër, dergjet ndër shtretër,
piskama dhimbjesh rrëzon nga lart.
Kurrë,mos thuaj,do të mbaj gjirit nesër
kur dua të fle e të zgjohem mbi të,
natyrshëm të vdes e të rilind grua tjetër,
ndaj fjalën nesër, s’dua ta dëgjoj më!
Kurrë, mos më thuaj, do të puth nesër,
ndoshta nesër, as unë më s’do të jem,
nesër ndoshta është një gënjeshtër,
ditë korbash që krakëllijnë me ujem!
EJA I SHTRENJTI IM, EJA !
Të thirra i dashur, kur m’u gris petku i hollë ,
por ti s’u përgjigje, më le vetëm nën mollë.
Hiret vuri në shënjestër, një skifter prej reje,
oh, ikja jote, më preu mishin me gjithë deje!
Mos më ler, të më pushtojnë bimësitë e egra,
degët me gjemba, janë fole për grerëza,
molla që mbolle ti, psherëtin sa, tunden degat,
mos vallë, e tund ti, apo luan me mua era?!…
Eja i shtrenjti im, më i hijshmi ndër burra, eja !
Hyrë në strehën time, butësisht, si rreyja,
me ato buzët e flladit,që ke te zemra ,
qetëso biskun e durimit,që s’pret të vijë pranvera!
Zjarr’i dashurisë s’mbahet ndezur me fije bari,
me një shkulmë bryme e shuan acari!
Shpirti thërrmohet si një suvenir kristali,
nga pesha e pamatshme që ka malli.
Eja i shtrenjti im, më i hijshmi ndër burra, eja !
Braktisi viset e huaja, e shkurtër është jeta.
eja të shkrihemi në rrjedhën ku tretet eshtra,
udhët do t’i shtroj me yje,.dhe në vdeksha !…