Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, deklaroi se rekomandimet e miratuara nga Kuvendi për veprimtarinë e AMA-s janë kthyer në katër prioritete kryesore të punës së institucionit.Gjatë shqyrtimit të projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2025” në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Krasniqi theksoi se zhvillimet e shpejta teknologjike po ndryshojnë mënyrën e funksionimit dhe rregullimit të medias, ndaj edhe autoritetet rregullatore duhet të përshtatin vazhdimisht qasjen e tyre.“Në një mjedis mediatik që transformohet me ritme të shpejta, ku zhvillimet teknologjike ndryshojnë mënyrën se si rregullohet media, edhe përgjigjja e autoriteteve rregullatore duhet të zhvillohet me të njëjtin ritëm”, u shpreh Krasniqi.Krasniqi u ndal te rekomandimi për përmirësimin e kuadrit ligjor për reklamën institucionale dhe harmonizimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian.Sipas saj, AMA monitoron volumin e reklamës në transmetimet audiovizive dhe në zbatim të rekomandimeve të Kuvendit, që prej janarit 2023 ka zgjeruar procesin e monitorimit të reklamës institucionale në katër televizionet kombëtare.Të dhënat, tha Krasniqi, raportohen në Kuvend dhe publikohen në kanalet zyrtare të AMA-s, me synim garantimin e transparencës dhe forcimin e llogaridhënies institucionale.Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale miratoi projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për vitin 2025″ që do i paraqitet Kuvendit.



















