Suplementi Pena Shqiptare/ Spiro Mëhilli: Homo sapiensët

150
Sigal

 

 – Doktor, të kërkojnë në telefon, – më tha një ditë  Rama, nëpunësi i gjendjes civile.           Dhomat tona i ndante një mur i hollë kallamash me baltë. Infermieri që unë zëvendësova, e kish veshur me gazeta të gjithë atë anë. Të vërtetën e mora vesh më vonë. Punonjësit e administratës ishin kuriozë që të shikonin se çfarë bëhej në infermieri kur për vizitë vinin femra, gra ose vajza, prandaj kudo ata kishin hapur vrima. Gazetat dukeshin sikur të ishin shqyer nga minjtë. Me vrap shkova e kapa receptorin që akoma e mbante në dorë Rama. Dëgjova zërin e drejtorit.  – Alo  – Ju dëgjoj shoku drejtor. – Di gjë që në fshatin Vesqi ka vdekur një djalë nga poliomieliti? – Nuk më kanë informuar – Nejse, na prit nesër në ora njëmbëdhjetë. Fshati Vesqi  ndodhej pranë rrugës automobilistike  nacionale, ndërsa qendra e lokalitetit ishte shumë larg. Fshatarët e kishin më kollaj që të shkonin në Tiranë dhe të vizitoheshin tek mjekë specialistë sesa të vinin në lokalitet, me kalë ose me gomar dhe të vizitoheshin tek doktori i fshatit, që në atë kohë isha unë, ndihmësmjeku. Të nesërmen ekipi erdhi në ora dymbëdhjetë. Po i prisja prej kohe. – Do ta fillojmë nga shkolla, – tha drejtori. Si pamë shkollën dhe vizituam nxënësit në fund bëmë dizinfektimin e mjediseve. – Tani do të na çosh tek shtëpia e djalit që vdiq. – Të pyesim. Unë nuk e di akoma sesi quhet ai dhe për më tëpër shtëpinë e tij. -Hëëë! Kështu e kryen detyrën? – tha me të qeshur drejtori. Ishte dita e tretë që djali kish vdekur. Familja ishte në zi. Kur u futëm në shtëpinë e Sokolit, se ashtu quhej ai, nuk pamë asnjë fshatar që të kishte  shkuar për ngushëllim. Në të tilla raste dhe për më tepër ditët e para pas vdekjes vizitat ngushëlluese ishin të zakonshme. Megjithatë nuk na shkoi mendja për keq. Pasi mbaruam punë në atë shtëpi dhe kur po bëheshim  gati që të largoheshim i ati i djalit na tha:  – Doktorë, rrini për drekë. Është vonë. Jeni të lodhur. Të hamë me ç’na ka dhënë Zoti. Në krahasim me shumë shtëpi të tjera ku unë kisha hyrë ajo dukej mjaft e mirë, prandaj pranuam me kënaqësi. E ëma e djalit theri një gjel deti dhe e poqi në saç. Në sofër, kur po drekoseshim, i zoti i shtëpisë më pyeti sesi quhesha: Kur dëgjoi mbiemrin tim më pyeti: – Po shokun Vangjel, çfarë e ke? – Xhaxha. – E kam mik shtëpie. Ai i ka prerë flokët Sokolit. Pas dy orësh ekipi u nis për në Tiranë, ndërsa unë u ktheva në Baldushk, që ishte qendra e lokalitetit. Të nesërmen, pa u futur mirë në infermieri, Rama më tha:  – Doktor, Tirana. “Ç’më duan kaq herët”, – po thoja me vete, kur nga receptori: – Ti je? – më fliste drejtori me zë të ashpër. – Po,unë jam. – Nisu urgjent për në Tiranë. – Pse? – Si pse? Na more më qafë. Na çove te shtëpia e kulakut të fshatit. Na presin në Komitetin e Partisë. Nuk u shqetësova për veten time, sepse do ta gjeja një mënyrë për t’u shfajësuar, por për  tim ungj, duke menduar se ndonjërit prej anëtarëve të ekipit do t’i kishte shpëtuar goja pa dashje. Fatmirësisht, emri i xhaxhait nuk u zu me gojë. Më vonë e mora vesh se HOMO SAPIENSËT survejonin shtëpinë e “kulakut”, si ditën, ashtu dhe natën, pas shkurreve dhe ferrave, për të parë se kush do të shkonte tek ata për ngushëllim.