Prof. Dr.Osman Metalla: Tradita e anijeve lundruese vazhdon!

135
Sigal

Anija më e re me flamur Shqiptar “Ermias Kledi” u ul sot në ujë. Pas afro tre vitesh pune intensive të mjeshtrit Eduart Cenko, Inxhinierit të talentuar të Ish Kantjerit Detar Durrës Fatmir Drago, u bë e mundur ndërtimi dhe ulja në ujë anijes “Ermias Kledi”. Anija preku për herë të parë ujin e detit në orën 16:19 LT. Kjo anije është projektuar dhe modeluar nga ana e inxhinierit Drago dhe ndërtuar krejtësisht në mënyrë artizanale nga ana e mjeshtrit Cenko. Anija u ul në ujë me anë të bigës lundruese “Adem Reka”. Gjatë ndërtimit të kësaj anije një numër studentësh të degës Navigacion të Fakultetit të Studimeve Profesionale Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, kanë zhvilluar orë praktike dhe tema diplome duke ndërtuar dhe një maket të një anije me përmasa 1:100, maket i cili sot shërben si meet ilustrues në kabinetin e Lundrimit të këtij Universiteti. Faleminderit Inxhinier Drago për durimin, qetësinë dhe përkushtimin tuaj që krahas punës për ndërtimin e anijes, punove dhe me studentët tanë duke u përcjellë atyre njohuri mjaft cilësore. Faleminderit z. Eduart Cenko i cili mirëpriti dhe ndihmoi studentët tanë në njohjen me ndërtimin e anijeve. Një ndërthurje e tillë, mjeshtra me një eksperiencë jetësore dhe studentët të cilët janë në hapat e parë të profesionit eshte kombinimi më i mire dhe efektiv në transmetimin e mjeshtërisë dhe profesionit tek të rinjtë! Urime dhe një herë për anijen e re dhe paci gjithnjë erëra të mbara! O. M. 07/06/2022