Raiffeisen Bank në kolaps: Klientët nuk tërheqin dot para, as nuk depozitojnë

Një problem serioz me sistemin e “Raiffeisen Bank” ka shkaktuar panik mes mijëra klientëve në të gjithë vendin. Prej disa orësh, përdoruesit e bankës raportojnë pamundësi për të kryer veprime bazë si tërheqja dhe depozitimi i parave nëpërmjet bankomatëve të filialëve të ndryshëm.

Shumë qytetarë kanë deklaruar se kanë vendosur para në bankomatë, por ato nuk janë pasqyruar në llogaritë e tyre bankare. Edhe pse transaksioni është kryer fizikisht, balanca mbetet e pandryshuar, ndërsa banka nuk ka dhënë ende asnjë shpjegim zyrtar për situatën.

NOA

Nga ana tjetër, raste të shumta janë regjistruar edhe për tërheqje të pamundura të parave. Klientët raportojnë se bankomatët u shfaqin balancën reale në llogari, por veprimi për të tërhequr para nuk finalizohet. Përpjekjet për të kontaktuar shërbimin e klientit kanë rezultuar të pasuksesshme, pasi telefonatat nuk janë kthyer dhe komunikimi mbetet i bllokuar.

Në rrjetet sociale, konkretisht në faqen zyrtare të “Raiffeisen Bank” në Facebook, mungon çdo lloj njoftimi apo sqarimi për situatën, çka e ka shtuar më tej pasigurinë e klientëve.

Nuk është ende e qartë nëse bëhet fjalë për një defekt të përgjithshëm të sistemit apo thjesht për probleme me bankomatët në disa filiale të veçanta. Megjithatë, mungesa e transparencës dhe e një reagimi zyrtar nga banka ka përkeqësuar ndjeshëm besimin e përdoruesve.