Gëzim Tushi: Sot shtrohet çështja; Qytetar i lirë, apo njeri pa “busull sociale”, qytetar apo njeri që nuk “zotëron veten”!?

-Po shkatërrohet sistemi i vlerave, zakoneve, traditave, të trashëguara në shekuj.

-Paradigmat fikse kolektiviste e totalitare, kanë krijuar atë situatë të cilën ata me të drejtë e konsiderojnë si “kalbëzim të shoqërisë”.

NOA

– Shoqëria shqiptare në këtë kontekst është bërë më e vështirë, më komplekse dhe përballet me vështirësi të pamata.

-Përballë shoqërisë është njeriu i lire, por shpesh anarkik e pa asnjë dimension social, të cilin mund ta konsiderojmë si “qytetar pa busull”.

– I shtuquajturi njeri i lirë nuk pranon asnjë normë sociale, vlerë kulturore, vetpërmbajtje morale, administrim etik të vetes.

– Vlerat e trashëguara nuk janë “dogma” sikurse kanë qejf t’i konsiderojnë disa njerëz anormalë, anarkistë e sociopatë.

 

Gëzim Tushi, “Mjeshtër i Madh”

Nëse ka një arsye madhore, thelbësisht ndikuese në prishjen e “shëndetit social” të shoqërisë, ndër shumë arsye e faktorë të tjerë historikë, kulturorë, ekonomikë, është padyshim agravimi dhe shformimi konceptual dhe praktik, që paradoksalisht po shfaqen në konceptimin semplist e subjektivist të mënyrave anormale të sjelljes personale dhe perceptimit të hiperbolizuar të përmasave të lirisë individuale. Duhet parë realiteti në sy dhe problemet duhen trajtuar objektivisht, sepse po përballemi me një situatë sociale të ndërlikuar, kur jeta e përditshme po inondohet nga shfaqjet brutale të sjelljeve arrogante e shoqëruar me veprime pa cipë qytetare, të realizuara me mashtrime, hipokrizi, cinizëm, dhunë e krime të shëmtuara brenda familjes dhe jashtë saj, me abuzime morale e seksuale, vjedhje e grabitje të pronave dhe pasurisë së tjetrit.

Madje gjërat janë në përshkallëzim “progresiv”, dhe tani kemi pasoja sociale evidente të këtyre patologjive, që shfaqen tek njeriu sociopat, me natyrë e sjellje anarkiste. Një situatë sociale e cila ka shumë shkaqe e faktorë ontologjikë kulturorë, historikë, politikë dhe ekonomikë, të lidhura në sintezë me idenë e menduar gabimisht, sikur këto janë pasoja të natyrshme të zgjerimit të hapësirave dhe dimensioneve kohore të lirisë. Ide perverse e anormale të cilat jo vetëm po kristalizohen gjërësisht “ideologjikisht” dhe nga pikëpamja sociale, por në jetën e përditshme ato janë kthyer në instrument të abuzimeve, nga disa njerëz që nuk dëshirojnë të njohin rregullat sociale dhe të kenë koshiencën e duhur si kusht për “administruar veten” humanisht dhe shoqërisht. Në këtë rast, kur flasim për “zotërim të vetes”, kjo nuk duhet kuptuar si e barabartë me zotërimin e trupit, që është një nga komponentët me rëndësi që mundëson edhe zotërimin e vetvetes. Ajo që duket shqetësuese në shoqërinë tonë dhe që ka më shumë rëndësi, është vështirësia e ekuilibrimit social dhe “zotërimit të shpirtit” të tij. Natyrisht, ka kohë që është prezent në jetën e shoqërisë tonë një epidemik “tjetërsimi”, si proces kompleks fizik e metafizik që shfaqet në ndarjen evidente të kërkesave të trupit nga ato të shpirtit. Kjo ndarje krijon përfytyrimin e gabuar social, se ndërsa trupi mund të zotërohet dhe disiplinohet, labiliteti dhe paqëndrueshmëria e shpirtit nuk mund të kapet. Procesi i çlirimit të njerëzve tanë nga kjo ndarje, ka historinë dhe dialektikën e vet, që duhet njohur për të kuptuar specifikat e sotme të efekteve të konceptimit të njëanshëm të lirisë që sjell fenomene të “çarjes sociale” dhe “tjetërsimit individual”. Sepse nëse në shoqërinë e së kaluarës, procesi i ndarjes së trupit nga shpirti, fizikut nga të menduarit ishte një proces i dhunshëm social, i cili njeriut i vinte si forcë e determinuar nga jashtë, sot ai ndodhet përballë një procesi të ri, të ndarjes së trupit nga shpirti, të tjetërsimit si procese që ndryshe nga koha e kaluar, tashmë ato vijnë nga brenda njeriut dhe janë të lidhura me tipologjinë sociale dhe morfologjinë morale individuale.  Duke i parë dhe vlerësuar situatat sociale dhe sjelljet e njeriut asocial, që gabimisht e unifikon sjelljen dhe veprimet asociale me lirinë, duket se në këto lidhje e marrëdhënie ka një ligjësi, që ndikon në raportet e njeriut me “çarjen sociale” apo “tjetërsimin e brendshëm”. Padyshim është fare e vërtetë që shoqëria shqiptare jeton në kontekste të reja politike, ekonomike, sociale e kulturore, kur duke qënë në suazën tipike të shoqërisë me natyrë dhe prirje liberale këmbëngulëse, është krejt normale të pranojmë se presioni social diktues, moralisht determinant e gati despotik që dikur njeriut i vinte nga jashtë, ka prirje të pakthyeshme që të zbutet. Por kjo tendencë dhe ky realitet ka filluar të ndikojë në procesin e ndarjes, “coptimit” të personalitetit social apo më sakt, raportet ontologjike midis trupit individual dhe shpirtit social, që shfaqet si proces i tjetërsimit të pakontrolluar e anarkik të njeriut nga “brenda vetes”. Kjo tendencë tashmë është e qartë, e fortë, e dukshme. Nëse në të kaluarën për shoqërinë totalitare, kishte më shumë kontroll të trupit dhe mendjes së njeriut, sot është bërë i vështirë administrimi i shpirtit të njeriut. Tani ka ikur koha kur njeriu i indoktrinuar dhe me “kokë bosh”, pa asnjë mendim të diferencuar e të nuancuar personal, ishte i vënë në dispozicion të idealeve politike, skemave morale, “prangave” të forta të paradigmave të traditës apo eksperimenteve sociale pa fund. Të gjitha me natyrë totalitare. Në një shoqëri totalitare si ajo që ishte për gjysëm shekulli tek ne, vlera e trupit konsiderohej nga shteti dhe shoqëria, si subjekt për sundim apo si material bruto për përdorim për interesa sociale.

Problemi sot është krejt ndryshe.

Fenomeni që kanë diagnostikuar sociologët e kohës sonë, që kanë të bëjnë me shkatërrimin e sistemit të vlerave, zakoneve, traditave, paradigmave fikse kolektiviste e totalitare, kanë krijuar atë situate, të cilën ata me të drejtë e konsiderojnë si “kalbëzim të shoqërisë”. Shoqëria shqiptare në këtë kontekst është bërë më e vështirë, komplekse dhe përballet me vështirësi të pamata. Përballë shoqërisë është njeriu i lire, por shpesh anarkik e pa asnjë dimension social, të cilin mund ta konsiderojmë si “qytetar pa busull”, që nuk pranon asnjë normë sociale, vlerë kulturore, vetpërmbatje morale, administrim etik të vetes, të cilat nuk janë “dogma” sikurse kanë qejf t’i konsiderojnë disa njerëz anormalë, anarkistë e sociopatë. Përkundrazi, shoqëria shqiptare vërtetë është e lirë dhe ka shpëtuar përfundimisht nga prangat detyruese, sistemet detyruese shoqërisht të ndryshkura, të kalçifikuara të dogmave të vjetra ideologjike, morale e sociale. Por kjo nuk do të thotë se në shoqërinë liberale, nuk ka hapësirë dhe nuk funksionojnë disa parime të reja, norma etike apo me “domethënie shoqërore” të qartë.

A mund të bëhemi qytetar duke qënë të lirë?

Unë mendoj se analiza e kësaj situate, kërkon trajtim më të gjërë konceptual, vështrim të kujdesshëm, vigjilencë kontekstuale të sasisë, tipologjisë dhe fenomenologjisë së disa shfaqjeve anormale e dukurive asociale në realitetin tonë. Në vështrimin konceptual sociologjik, duket që në këto tre dekada e gjysëm, janë duke u zhvilluar të paktën dy procese sinkretike e paralele, që kanë të bëjnë me faktin se njerëzit nga njëra anë janë përfshirë dhe sinkronizuar me prirjen globale të qytetarit të lirë, si qënie që strukturalisht po “universalizohet” dhe po bëhet qytetar me dimension të ngjajshëm sociokulturor. Kjo do të thotë që në këto kushte, kur shoqëria shqiptare ecën në rrugën e standarteve qytetëruese të universalizimit, dhe kur natyra sociale dhe qytetare e njeriut bëhet e ngjajshme, (në kuptimin socio-kulturor), atëherë është e domosdoshme që të mësojmë normat e qytetërimit, vlerat e jetës sociale, domethënien e sinkretike të individualizmit nga njëra anë, dhe nevojën për të jetuar në komunitet duke u adoptuar me normat e shoqërisë së përbashkët. Në mënyrë fare empirike, pa shumë ambalazhe teorike e skema etike, kjo do të thotë që njerëzit tanë etikisht të kenë në funksionim të vetvetishëm atë mekanizëm human, me të cilin mund të bëjnë të mundur nevojën imperative të “zotërimit të natyrës” së tyre. Në mendimin modern sociologjik është ravijëzuar ideja, se shoqëria moderne ka më shumë mundësi jo vetëm si faktor prodhues dhe i përmirësimit të mirëqenies së njerëzve, por edhe si faktor me rëndësi në “edukimin fillestar” humanist të njerëzve. Në shoqërinë tonë duke vlerësuar kushtet historike, veçoritë e tranzicionit etik, kjo kërkesë ultimative është e lidhur me mundësitë, perceptimin dhe mënyrën e sjelljes konkrete të njeriut me lirinë, apo me faktin se sa ai është i pavarur nga kushtet sociale dhe determinimet e jashtme që kufizojnë lirinë e tij. Ka një patologji që është e përhapur edhe në shoqërinë shqiptare dhe që i “vjen nga jashtë si produkt importi”, që ka sjellë mendimin e gabuar, konceptualisht të deformuar, sipas të cilit shoqëria moderne është e ndërtuar e tillë, që njeriu të ndihet si qënie që jeton thjesht “për vete” dhe “në vetvete”, duke u reduktuar gati në rolin e “sendit frymor”, nga që sipas tyre, jeta është e tillë, e ngatërruar në atë masë dhe marrëdhënie të tilla ndërvartësie, në raporte të tilla fuqie, në të cilën nuk e ndjen veten si “zot të vetes”. Me sa duket, duke parë nga e kaluara, duket sikur janë më të qarta raportet midis “administrimit” të detyruar të vetes, të diktuar prej vartësisë dhe hierarkisë piramidale në shoqërinë shqiptare të së kaluarës, se sa mundësitë e gjëra të njeriut të sotëm, që në të njëjtën kohë është i lirë nga “doemethëniet dhe narrativat e mëdha”, nga forca retrograde e koncpteve dogmatike, si “ganxhat të ndryshkura” të mënyrës super kolektiviste të jetuarit, se sa të ndjejë detyrimin human që i kërkohet, si kusht që të zotërojë veten dhe të jetë plotësisht sovran mbi të.

Koncepti i lirisë së individit që nuk llogarit determinimet e jashtme të shoqërisë, nuk është ndjenjë reale që e ndihmon njeriun të zotërojë veten, por është një utopi morale libreske. Sepse njerëzit pavarësisht ndryshimeve që ka sjellë koha, ajo që ka rëndësi si epërsi e demokracisë është e vërteta, se megjithatë edhe pse të ndarë veç e veç në luftën e jetës, njerëzit kanë mundësi që bashkërisht të bëhen qytetarë edhe “zotërues të vetvetes”.

Liri individuale apo narcizizëm?

Por nga ana tjetër, në shoqërinë tonë ndihet, është fare evidente që këto situata sociale e bëjnë tipike për shoqërinë tonë, atë që është tipike për të gjithë epokën e postmodernitetit, që ka të bëjë me lulëzimin e pakontrolluar dhe përhapjen në zgjerim të vazhdueshëm të ndjenjës së narcisizmit individual. Koha ka treguar se në këto tre dekada e gjysëm të zhvillimeve sociale, postmoderniteti është kthyer në “gjenerator” që i jep spunto të theksuar garës individuale, ambicjeve personale, konkurencës së fortë, nevojës frenetike për famë, lavdi dhe kjo është arsyeja e zgjerimit të kulturës së narcisizmit individual, që e bën tendencën e vetë realizimit të njeriut, vlerën më të madhe të natyrës së njeriut postmodern, i cili është gati të sakrifikojë çdo tendencë të moralitetit dhe angazhimit social ndaj të tjerëve. Sepse në kohën e sotme është aftësi e postmodernitetit për të ndikuar në përhapjen e formave më egocentrike të realizimit të suksesit të ngushtë dhe vetërealizimit të qëllimeve individuale, duke bërë që pikëpamjet morale të bëhen gjithnjë e më shumë të pavarura nga arsyeja humane e sociale. Njeriu narcist i epokës postmoderne, e ka më për udhë të besoj në karakterin subjektivist të lirisë dhe vlerave sociale e morale, të cilat do të mbeten në trajtën e projektimeve të thjeshta subjektive të personalizuara të njeriut narcizist. Padyshim, natyra e shtyrë e individualizmit është një tregues i të vërtetës, që në kohën e sotme po bëhet dominues social, njeriu që më shumë se ka nevojë të vlerësojë opinionet për të tjerët, i duhet të ketë kuptim të qartë për besimet dhe opinionet e tij. Në kohën e sotme ky faktor është bërë kusht ekzistencial për sigurimin me çdo çmim të nivelit sa më të lartë të vetvlerësimit të vetes. Ky është një problem serioz që shfaqet sot dukshëm në lidhjet familjare, intime e sociale që duhet vlerësuar, sepse në të ardhmen shoqëria jonë ka tendencë dhe mund t’i çojë këto patologji sociale deri në pikën, kur njeriu narcizist të braktisë lidhjet me të tjerët, të abandonojë kërkesat morale që vijnë nga shoqëria, apo detyrimet që duhet të ketë ky njeri në raport jo vetëm me suksesin, paranë, famën, karrierën por edhe me familjen e shoqërinë e tij. Në këto kushte është evident rreziku që nga proceset kaotike të fragmentimit social, të kemi njerëz të paaftë për të patur një qëllim të përbashkët. Mbi të gjitha, mundësinë për të vënë në jetë qëllime me natyrë e fokus social. Sidoqoftë ajo që meriton vëmendje dhe që duhet kuptuar, është fakti që ndryshimet e thella të epokës së sotme, janë shkaku madhor i krijimit të një kulture të re të adoptimit të njeriut me kërkesat e kohës postmoderne.