Çlirim Hoxha/ Orientimi shqiptar drejtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

467
Sigal

Vlerësimi i ideologjive ka bërë që shqiptarët të humbasin hera-herës orientimin e tyre drejtë poleve energjetike që kanë të bëjnë me ekzistencën e kombit tonë në rajonin e Mesdheut, të Ballkanit dhe Europës. Dihet tashme se Europa, për të cilën kemi vite që po shohim ëndrra me sy hapur, në shumicën e rasteve nuk është treguar dashamirëse me ne, ose është përpjekur dhe ka mundur të na copëtoi dhe ndaj si revania në tepsi, duke shuar grykësitë shoviniste të vendeve fqinje. Rasti më i fundit i dashakeqësisë së qarqeve evropiane u pa në vendimin e komisionit të disiplinës së UEFA-s, ku na ra në sy dystandartizimi i këtij organizmi sportiv të Europës në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët. Platini dhe e gjithë UEFA mbyllën sytë dhe veshët përpara ushtrimit në teren të racizmit ndaj shqiptarëve, siç ndodhi në Stadiumin e Beogradit natën e 14 tetorit, ku huliganët e lenë të lirë hidhnin objekte të ndaluara në fushë kundër lojtarëve shqiptar, fishkëllenin himnin kombëtar të shqiptarëve dhe thërrisnin në korë “vdekje shqiptarëve”?! Por kjo histeri raciste nuk përfundoi me kaq, kur në fushën e lojën u futën huliganët serb me sytë e zgërdëllyer nga ksenofobia armiqësore, me stola, me grushte, me shqelma. A thua se po zhvillohej një ndeshje futbolli apo një ndeshje gladiatorësh brenda Koloseut në Romën e Lashtë?! UEFA nuk e dënoi racizmin serb të shfaqur dhe përdorur natën e 14 tetorit në Beograd, siç trumbeton lartë e poshtë në çdo stadium ku luhet futboll?! UEFA i hodhi benzinë zjarrit të nacionalizmit nëpër stadiumet e futbollit dhe kjo është shumë e rëndë për Europën e shekullit të XXI?! Në vendimin e saj të 23-24 tetorit nuk kishte drejtësi, kishte njëanshmëri, kishte përçmim ndaj shqiptarëve, kishte ksenofobi. Kjo histeri antishqiptare e kreut të UEFA-s nuk do ta çoi futbollin evropian në dyert e paqes sportive në mes kombeve, por në diferencimin e vlerave që ka secili vend dhe komb, i madh apo i vogël qoftë. Shqiptarët e kanë pësuar keq nga Europa në fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit të XX. Ata janë copëtuar dhe marrë nëpër këmbë, paçka se popullonin në lashtësi pjesën më të madhe të Europës dhe Mesdheut. Paqja e lashtë në Ballkan u prish me mbërritjen këtu të grekëve dhe sllavëve, këta të fundit shkaktar të shpërthimit të luftërave të njëpasnjëshme botërore e ballkanike. Kush i mbrojti shqiptarët gjatë këtyre 100 viteve të fundit? Të vetmit ishin amerikanët, por edhe austriakët, gjë që duhet të meritojnë lavdinë e popullit shqiptar në shekuj, sepse nuk u bënë pjesë e kulisave nacionaliste e grabitqare për ta copëtuar këtë vend e këtë komb të lashtë. Vendi më i madh demokratik i botës, atje ku liria është e lirë, atje ku fjala fluturon pa pengesa, atje ku aspiratat bëhen realitet, meriton mirënjohjen e shqiptarëve dhe miqësinë e sinqertë e të pakufishme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sot miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve, çka e treguan në Luftën e Kosovës kundër krimeve të Milosheviçit, paçka se ne hodhëm vickla kur ishte puna e armëve kimike, çka e vuri Kryeministrin Rama në një vështirësi të madhe. Por çfarë ti bësh Sali Berishës e Lulëzim Bashës, të cilët pa pyetur për miqësi dhe interesat e paqes globale në luftë kundër terrorizmit, gjetën rastin të riktheheshin në pushtet pa e dorëzuar mirë atë?! Kjo ishte kulmi i gafës politike përballë Shteteve të Bashkuara dhe interesave të tyre për ruajtjen e paqes në botë. Shqipëria edhe herë të tjera ka treguar lëkundje në miqësitë e mëdha që ka bërë, por ato kanë qenë miqësi në baza ideologjike siç ishte ajo me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën, që për mua në kuadër të atij sistemi ishin prishje të nxituara dhe pa vizion për qëndrueshmërinë ekonomike të Shqipërisë. Sot kemi një miqësi të madhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqësi që i ka rrënjët në shekujt e kaluar, miqësi që ka baza të forta përmes komunitetit shqiptar që jeton në Amerikë, të vjetër dhe të rinj, miqësi që u farkëtua akoma më shumë në zjarrin e luftës për çlirimin e Kosovës. Interesat amerikane në Shqipëri nuk duhet të vihen kurrë në diskutim, sepse ishin ata që na futën në NATO për të na mbrojtur nga synimet grabitqare të ekspansionit sllav apo gjetiu. Shtetet e Bashkuara duhet të shikojnë tek Shqipëria jo vetëm partnerin më të vendosur strategjik në rajon, por bazën më të madhe tokësore, ajrore  e detare të tyre në Mesdhe dhe Europën jug-lindore. Të luftosh sot për paqen globale dhe rajonale është një detyrim i brezit tonë për brezat që do vinë, për tu lënë atyre një botë pa luftëra, ma terrorizëm, pa ISIS, pa EBOLA. Kjo shpresë qëndron sot vetëm tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fuqia ekonomike, ushtarake e kozmike e të cilave janë një garanci absolute për qëndrueshmërinë e planetit tonë. Prandaj Shqipëria dhe shqiptarët në rajon e më gjerë duhet të shikojnë tek Shtetet e Bashkuara mbrojtësin me konsekuent të aspiratave të tyre. Qëndrimi zyrtar i Shqipërisë sot njihet botërisht, në lidhje me aspiratat e saj për të qenë pjesë e BE-së sepse Shqipëria ka lindur dhe është një vend evropian, kontinent të cilit i ka dhënë edhe emrin Europë. Paçka se ka shtete skeptik brenda këtij bashkimi dhe mund të na i zgjasin në kohë këtë aspiratë, anëtarësimin në BE e ka një çështje të shtruar për zgjidhje dhe nuk ka më kohë për të humbur. Fuqia e kësaj aspirate buron edhe nga mbështetja që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin Shqipërinë për tu anëtarësuar në BE. Prandaj orientimi i shqiptarëve në këtë shekull është themelor në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. Shteti shqiptar ka shumë punë për të bërë në lidhje me forcimin e faktorit shqiptar në rajon, si një garanci e paqes dhe stabilitetit, duke frenuar çdo tentativë nacionaliste që ngre krye dhe që bie ndesh me aspiratat afatgjata të Shqipërisë. Hartat e Shqipërisë etnike kanë efekte informative për të treguar padrejtësitë që na janë bërë në shekuj, por nuk janë dhe nuk mund të jenë ëndrra të realizueshme për ndryshime kufijsh në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ku të gjithë shqiptarët do jenë pjesë e familjes së madhe evropiane dhe do lëvizin pa asnjë problem tek njeri-tjetri. Kjo është ajo që na bënë të shikojmë me besim dhe shpresë vetëm përpara, duke ua lenë të tjerëve nacionalizmin dhe ëndrrat në diell. Stabiliteti dhe paqja në rajonin tonë varet kryesisht nga qëndrimet që mban Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, si dy shtetet shqiptare më të rëndësishme të Ballkanit dhe Europës juglindore. Ne nuk mund të hapin luftëra në Ballkan për shkak të padrejtësive që na janë bërë. Padrejtësia më e madhe ajo ndaj Kosovës u vu në vend, të tjerat janë në amortizim e sipër në mënyrë paqësore, çka koha, Shtetet e Bashkuara dhe BE janë faktor relevant në çuarjen përpara të aspiratave të shqiptarëve për të jetuar në paqe dhe harmoni me fqinjët. Skepticizmin e Europës plakë duhet ta thyejmë përmes miqësisë dhe bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.