Suplementi Pena Shqiptare/ Lasgush Poradeci, kolosi i poezisë shqiptare

1342
Sigal

Statuja kushtuar Lasgush Poradecit në qytetin e tij Pogradec. Llazar Gusho (27 dhjetor 1899 – 12 nëntor 1987) ishte një poet dhe shkrimtar shqiptar. Lindi në qytetin buzë liqenit të Ohrit në familjen e Sotir Gushos. I ati si arsimdashës që ishte e dërgoi pas mësimeve fillore që i kreu në vendlindje, në një shkollë të gjuhës rumune në Manastir, nga 1909 deri më 1916. I ati më pas e nisi në Athinë pranë liceut “Leonin”, instituti më i hershëm privat në kryeqytetin grek – lice ku qëndroi deri më 1920-n. Pasi sëmuret, e shtrojnë në sanatorium dy vitet e fundit të qëndrimit të tij në Greqi. Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht pas një viti me ankesa për të tejkaluar valën e ksenocentrike që kishte kapluar qeverinë rumune. Atje lidhet me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin, të cilin e zëvendësoi si sekretar i përgjithshëm i kolonisë. Por edhe me të riun Mitrush Kuteli. Mjedisi rumun ndikoi shumë në formimin letrar të Llazarit. Nisi të botojë vargje në të përkohshmen shqipe “Shqipëri e re”, një e përjavshme kombëtare me ilustrime që botohej në Konstancë, dhe tek “Dielli” i Bostonit. Vargjet e tij të kësaj periudhe po shfaqnin tashmë një afri teozofike me poetin lirik rumun Mihai Eminescu. Verën e vitit 1924, Qeveria Nolit i dha bursë dhe ai regjistrohet në Universitetin e Gracit: “Karol Francik” në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike. Në maj të 1933 doktoroi me temën “Der verkannte Eminescu und seine volkstümlich-heimatliche Ideologie” (I paçmuari Eminescu dhe ideologjia e tij popullore-atdhetare). Vitin tjetër u kthye në Tiranë duke mësuar arte në një shkollë të mesme. Në letërkëmbimin mes Ernest Koliqit dhe Karl Gurakuqit, në një letër të 1951 Lasgushi përmendet nga i pari:

[…] mora rishtas në punë Lasgush Poradecin e Gjergj Kokoshin të pushuem nga predecesori e u dhaç rrogat e mbrapambetuna. Vitet 1944-’47, vitet e turbulluara të fillimit të regjimit komunist ishte i papunë dhe jetonte në kryeqytet me të shoqen. Pas punësimit jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave, pararendësit të Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore “Naim Frashëri” deri kur doli në pension, më 1974. Vdes në varfëri të plotë në kryeqytet, më 12 nëntor 1987.

Vlerësimet

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes në 27 dhjetor 1999, presidenti i Republikës Rexhep Mejdani i jep titullin “Nderi i Kombit” dhe Pogradeci, qyteti i tij i lindjes titullin “Qytetar nderi”. Pallati i Kulturës në Pogradec mban emrin “Lasgush Poradeci”. Në lagjen Kombinat në Tiranë ndodhet shkolla 9-vjeçare “Lasgush Poradeci”. Rruga te Diga tek Liqeni artificial i Tiranës mban emrin “Lasgush Poradeci”.

Dremit liqeri

Mi zall të pyllit vjeshtarak
Dremit liqeri pa kufi,
Ai ndaj fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.

Posi me flakë-u ndez e kroj,
E vetëtiti plot magji,
E yll` i ditës perëndoj
Në qetësi dhe dashuri.

Tashti po shuhet nënë mal
Qytet`i ngrysur në të zi,
Po ndizen yjtë dal-nga-dal
Plot bukuri!Plot fshehtësi!

Në këtë ças perëndimor,
Ndaj po më dehen sytë-.e mi,
Kuptoj si shpirtin vjershëtor
Ma frymëzon një mall i ri.

MALLI

Syri-i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon
Do më lërë-a von a shpejt,
Do më lërë-a shpejt a von.

Sapo shpirti m’u dëlir –
Shpirti im i nxirë krejt –
Do më lërë me pahir
Syri-i bukur që t’u mvrenjt.

E do mbetem përnjëmend
Varfanjak si mbret pa fron:
Mbretëresha që më çmend
Do me lërë-a shpejt a von.

Do më lërë-a von a shpejt,
Do me lërë-a shpejt a von,
Syri i bukur qe t’u mvrenjt –
Syri yt që me lëndon.

Do me lere…A! po si –
Qofte-ahere-ose tani –
Do te qaj aq dashuri
Qe te humb me mall te ti?

Mbarim vjeshte

Fluturoj dhe shtërg` i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që – me – natë sipër malesh me dëborë…
Iku rend`e i përmallshëm, dhe me sqep të ti të fortë
Zotriut q’ i la folezën i trokiti mun në portë…

Pra, më s` duket shpes` i fatit prapa bujqësh dhe plorësh,
Prapa brazdës së rrëzuar hap – me – hap prej qe malorësh;
Me s`dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë,
Vdiq nëpërka pikalore ndaj blatisht e shkretëtirtë.

Dheri – i mardhur prej thellimi dirgjet heshtur nënë brymë,
Fryn veriu në pyll të thatë me zëmrim e me fërtyme
E si shtohet cingërima…ja! se ku dinak dh`i vocërr…
Nëpër gardh – e nëpër ferra dërdëllet gazmor një cocërr!…

O ! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë,
Kur bariste dal – nga – dalë , – posi dhënder me kurorë!…
E kur pranë i vinte krilla, që shëndrij në kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur – posi vash` e nusëruar!..