Suplementi Pena Shqiptare/ Ali Asllani: Ismail Qemali

88
Sigal

Mbyllur det’ edhe sterë…
Kush do pyes? … edhe përse?
E kush pyet për Shqipërinë,
rreth me male një shketinë!
E pa zë dhe e pa zotë
vetëm vlente për një botë
që të bënej ndonjë ditë,
një thërime, një kafshitë!
Për atë e për këtë,
vleft’e saja hë për hë,
dele dajos…

Kur një ditë
vjen e çfaqet një Profitë:
Ish një plak i bardhë borë,
Një bajrak me zok në dorë.
Çan tokë e çan detë,
si i çan rrufeja retë!
Edhe zbriti m’u atje,
ku i than nga se për se?
Po atje në atë vëndë,
dy të prishurit na mëndë,
jo që nuk i than “miserdhe”,
po i than dhe “shko nga erdhe!”

Plaku gjorë e plaku mjerë,
ku do vejë e ku do bjerë?
Nëpër erë e nëpër shira
nëpër gropa me shëllira?

Iku ditë e iku natë
i mungon dhe buk’ e thatë.
Edhe buka i mungonte,
Vetëm zêmra i valonte.

Si ish baltë, këmba kridhej,
si ish plakë, trupi dridhej.
Andej ruhej nga armiku,
këtej ruhej nga i ligu.

Mirëpo plaku bëri krahë;
kaloj male, kaloj brigje,
kaloj pellgje të pa vahë
kaloj pyje të pa shtigje.
Syr’ i tija një yll shihte,
dita yllin po e fshihte.

Plaku iku, iku, iku…
Pas ca dite një mëngjes,
kur dëgjon një zë kikiku,
një qytet i gjithë u ndes.

Ish një vend, një vend i lirë,
që në gjuhën më të mirë,
që në gjuhën e Asllanit,
i thon’ vëndi i jataganit.

I thon’ Vlon’ e i thon Vlorë
ku Shqiponja dy krenorë,
gjeti gjithë ata që deshi,
djem baroti, djem arbreshi,
me besë burri armatosur,
trimëri që s’ka të sosur.

E kush ishte ai plak?
E kush ishte ajo flakë?
Si një yll që është këputur
Në një arqe brenda future.

Na harriti… Ku je sot?
Nuk na erdhi si e deshëm,
po në dhe se fusëm dot.
Pra në zêmra do ta ngjeshim
dhe aty do rroj sa mallet!
Shpirti tij nuk do falet!
Nuk do falet po si Dielli,
ku bashkohen det e qielli,
Atje shuhet ashtu duhet,
qarko botës zë e muhet.

Mirpo dielli dhe atëherë,
shkrep dhe shtie mbi të tjerë.
Dielli mbet gjithnjë Diell,
kurdoherë me kokë në qiellë.

Edhe Plaku këtë ditë,
si njeri mbaroi jetë!
Mirpo Plaku i vërtetë
ish Profit dhe mbet Profit!
Dhe qëndron ashtu si ishë;
do mbaj emrin si e kishë!
Emr’i tija i vërtetë
ësht Nëntor njëzet’ e tetë’.