Një punonjës i Policisë Kufitare ka denoncuar një problem serioz që, sipas tij, po ndikon negativisht te të gjithë efektivët që shërbejnë në kuadër të misioneve të Frontex.
Ai shprehet se fondet që vijnë nga Frontex (Agjencia e Mbrojtjes së Kufijve të Bashkimit Europian), nuk u shpërndahen të plota dhe shpesh me muaj të tërë vonesë, ndonëse këto para nuk vijnë nga shteti shqiptar, por direkt nga institucionet europiane.
“Na japin lekët gjysma-gjysma, sikur jemi lemoshë rruge. Kur në fakt ne nuk paguhemi nga Policia e Shtetit, por nga Frontex. Kemi bërë një muaj shërbim dhe pastaj presim 3, 5, deri në 7 muaj për të marrë pagesën, dhe edhe kur na i hedhin, nuk janë të plota. 20% të pagesës e marrim pas 1 ose 2 vitesh… nëse e marrim ndonjëherë,” – shprehet ai.
Ai thekson se shumë efektivë kanë vendosur të heshtin për shkak të frikës së transferimeve apo pushimeve nga puna nëse guxojnë të kërkojnë llogari.
“Askush nuk kërkon llogari sepse sapo hap gojën, të transferojnë ose të heqin nga puna. Por kjo nuk është zgjidhje. Ne kemi familje për të ushqyer, prindër të sëmurë dhe shpenzime për të përballuar. Po të mos i marrim këto para, çfarë do bëjmë? Do futemi në borxhe, do detyrohemi të lëmë punën apo edhe vendin tonë.”
Sipas denoncimit, punonjësit kanë pasur për të marrë rreth 2.5 milionë lekë të vjetra për secilin muaj shërbimi, por jo vetëm që pagesat vonohen ndjeshëm, por edhe justifikimet janë të mjegullta.
“Na thonë ‘nuk ka ardhur ende fondi’. Po fondi vjen nga Frontex, jo nga shteti shqiptar. Pse duhet të na i mbajnë? Pse nuk i shpërndajnë? Askush nuk jep përgjigje.”