Suplementi Pena Shqiptare/ Fabulat e shkrimtarit Vangjush Saro në anglisht

379
Sigal

 Publikohet libri “E DASHUR DHELPËR!” (“DEAR FOX!”)

Doli në anglisht libri me fabula në prozë “E dashur Dhelpër!” (Dear Fox!) Fabulat e kësaj përmbledhjeje, janë përkthyer nga Besnik Rika (Londër) dhe Brizeida Saro (Vankuver). Ilustrimet e librit janë realizuar nga piktorja Alma Skënderi. Libri u redaktua dhe u përgatit për shtyp nga Emma Tilley (Vankuver). Përkujdesja grafike u bë nën kujdesin e Eno Muho. Një kontribut të veçantë në botimin e librit dha Silvana Sulstarova.

Libri shoqërohet me një parathënie të Dr. Daniela Hasa, pedagoge e gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës. Duke u mbështetur në një sërë shënime letrare për fabulat e autorit – shënime të shkruara nga Fatmir Terziu, Pandeli Koçi, Vangjush Ziko, Xhahid Bushati, Flamur Shabani, Alda Shpata, etj. -ajo vlerëson disa veçori e karakteristika të fabulës së autorit Vangjush Saro: Gjuha e pasur dhe gjetjet e veçanta, kombinimi i humorit dhe ironisë me elemente lirike e peizazhet me pak vargje, grishjen e lexuesve për meditim e alternativa interpretuese dhe krijimin e imazheve që e bëjnë fabulën të afërt për çdo moshë, etj.

Disa nga nënvizimet e Dr. Fatmir Terziut, shkrimtar dhe kritik letrar: “Fabula, filozofia dhe mesazhi i thukët i Vangjush Saros nuk mund të shihen të ndara. Ato bashkëveprojnë në mënyrë diskursive, krijojnë gjuhë, theksojnë gjuhë, lartësojnë gjuhë. Theksi është në natyrën e tij humoristike-satirike. Fabula e tij mbështetet në deformim, jo ​​në ngjashmëri. Falë simbolikës bindëse, rrëfimit tërheqës, autori qaset natyrshëm te lexuesit e çdo moshe. Dhe kjo është një e vërtetë rreth së cilës nuk mungojnë asnjëherë argumentet. Saro e meriton këndin e tij të lartë në mjedisin e fabulës së sotme shqiptare.”

Libri “E dashur Dhelpër” është publikuar më parë (në shqip) nga ERIK Botime, kurse botimi i përmbledhjes me fabula në prozë në anglisht tani bëhet përmes rrjetit të njohur Amazon, i cili krijon edhe mundësinë që libri të porositet nga çdo vend i botës. Aktualisht, autori Vangjush Saro jeton në Vankuver (Kanada) dhe krahas kontributeve në prozën letrare e në publicistikë, është ndër emrat më të njohur në zhanrin e fabulës.

 

Vangjush SARO

 

Fabula

 

DETI  FLET ME VETE

 

Atje mbetën,

teksa muzgu nderej,

një hordhi e tërë veç me plehra;

mbushur plazh e det si asnjëherë.

(Me ato, tani po tallej era…)

 

“Kësaj i thonë,

mërmëriti Deti,

të hash bukë e të përmbysësh kupën.”

Por askush nuk e dëgjoi të shkretin;

njerëzia kishin marrë rrugët…

 

DILEMË

 

Po ikën Dielli…

Në lëndinë

tash dalin Lepujt; një duzinë.

Shpërndarë në fushë, fillojnë darkën:

ha dhe shiko me frikë përqark.

Pas një copë here, prapë në gëmushë,

ndaj pyeti njëri nga vogëlushët:

“Përse, o miq, e gjithë kjo ngutje?

Nuk shkojmë dot dhe ca më tutje,

por vijmë në ferra me të shpejtë!…”

Përgjigjet Lepuri më i vjetër:

“Puna nuk është a mund të shkosh,

por… a do të kthehesh, bukurosh?!”

 

BUFI ‘PROVON’ NDRYSHIMIN

 

“Pse të mos bredh unë budallai edhe ditën?

Pse të kundroj veç natën, në vetmi?”

Pyeti Bufi veten krejt papritur

dhe në mëngjes flatroi mbi një bli.

Qëndroi edhe pa pyllin përreth.

Ishte i zhurmshëm, plot hatara.

“Nuk më pëlqeka”, tha tërë mllef.

Dhe shkoi të priste natën, si përpara.

 

POETI dhe SHIU

 

Një Poet po “qante” bashkë me Shiun;

fjalët dhe lotët shkonin rrëke.

Dukej shumë shumë i frymëzuar:

shiu këtu e shiu atje…

 

I foli Shiu, pak si me shaka:

“Si nuk u lodhe njëherë, o zotëri;

fillim-mbarim me mua tallava.

Folë për veten, thuaj kush je ti…”

 

SKIFTERI

 

Një diell me dhëmbë copton retë,

nga Skifteri varet qetë-qetë,

gjer sa vjen përqark

folesë së Sorrës,

ku po rrinë strukur zogjtë e gjorë…

 

Edhe drurët shpendi i madh i tremb,

por jo zonjën e shtëpisë,

që sa vjen,

duket mjaft e gatshme për betejë…

Tash nuk dihet puna si do vejë.

 

Që mos thyhet miti a prej frikës,

zogu zulmëmadh vendos të ikë…

Ngjitet në qiell

e kërkon gjetkë,

ku të jetë gjahu më i lehtë.

 

TURMA

 

Buajt kanë mbuluar krejt savanën;

Dielli djeg,

bari me pakicë.

Tigrat aty rrotull thurrin plane,

për ndonjë gosti pa sakrifica…

 

Befas ata hidhen mbi një Buall

dhe e shqyejnë me egërsi e ngut.

Turma atje tej rri si e huaj.

Nuk e dinë,

i vjen radha gjithkujt…

 

PULA dhe SORRA

 

Shiu, pa zhurmë, breron në oborr.

Pula, nën strehë, qesëndis një Sorrë:

“Lodhesh lart e poshtë, moj e shkretë,

për ndonj’ vemje, krimb apo ç’të jetë.

Eh, ne jo, e kemi ndryshe punën;

për të ngrënët s’e vras fare unë,

na e sjellin vetë, me orare.”

Krokëlliu Sorra:

“E  kam parë,

s’ju mungon kujdesi dhe ushqimet;

por pastaj… ju therrin, zemra ime.

Cila është ‘e shkreta’ në këtë mes?”

S’ka më kakarisje në qymez…

 

MJEKRA

 

Në studio bënte shumë vapë

dhe Analisti dukej fare tapë…

Ndoshta luku e kish lodhur shumë,

kështu biseda po shkonte për lumë.

(Së paku të kish përpara ca letra.)

Në këto e sipër foli Mjekra:

“O im zot, ti mos u ligështo,

se nuk është fundi i botës, jo!

Po them unë ca fjalë këtë herë.”

Kamerat te Mjekra menjëherë…