U përballëm pas shumë kohësh
Ti dhe unë, si atëherë!
Ti nuk munde të më njohësh…
Unë të njoha, menjëherë …
Dorën dhamë si dy të huaj;
kokën ulur, fjalët prerë.
Por, diçka nisi të luaj
në stomak, si atëherë …
Flutura trupin e përshkuan.
Toka tundej poshtë ndër këmbë.
Ç’dreqin donin që ngacmuan
atë plagë që aq shumë dhemb!
Por s’i lash të fluturonin.
I ndalova, qëllimisht.
Mos më pyesni si munda
nuk përshkruhet, natyrisht …
Ti më the ”sa kam ndryshuar”.
Ikin vitet the, si era.
The, që nuk më ke harruar
e të tjera, e të tjera!
Dhëmbët fort, shumë fort shtrëngoja;
Ti kërkoje nga unë fjalë,
por unë vetëm të dëgjoja
e së fundmi thash, ”më fal”!
Më duhet të ik, thash nxituar.
Sytë s’i ngrita që përdhe.
S’isha gati për të zgjuar
atë ç’ka në shpirt më fle!
S’mund t’harroj as unë vërtet;
e ti nga unë, s’i ndaje sytë.
Të desha njëherë në këtë jetë,
nuk mund ‘të dua’ për herë të dytë!