S’është fundi i botës, po vonove!
Unë me vonesat jam mësuar,
por s’duroj dot mërzinë e blirëve,
ku shkojmë çdo natë, për t’u takuar.
S’ua shoh dot pamjen e menduar
kur tundin degët me trishtim.
Ata përmendësh e kanë mësuar
çdo puthje tonën , përqafim.
Dhe pse mundohen, ta mbajnë veten
u’a shoh nga larg mërzinë në sy.
Se dhe ata, ashtu si unë
e kanë të shenjtë mallin për ty.
Ndaj nuk habitem, pse këto çaste
tek unë gjithë sytë kanë drejtuar!
Kërkojnë prej meje ndonjë shkak
për këtë vonesë të pamenduar.
Lloj lloj hamëndjesh i’u vijnë rrotull
(Ata s’guxojnë të më pyesin vetë).
Mos vallë në rrugë diç të ka ndodhur?
(Se në rrugët tona çfarë nuk ngjet.)
Apo me mua je zëmëruar
për gjëra kot, që nuk peshojnë.
Unë ndonjëherë flas pa menduar
dhe ata këto gjëra si durojnë.
S’ është fundi i botës, po vonove;
mua kjo gjë, s’më ngjall mërzi.
Por s’duroj dot, kur psherëtin malli
dhe unë mbas tij zë psherëtij .