Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: “Edhe pëllumbat qajnë”

1001
Sigal

Shënime për romanin me të njëjtin titull dhe për gjithë krijimtarinë tjetër të shkrimtarit Fatmir Gjestila

 

Vangjush Saro

Ndër krijimet e njohura të shkrimtarit Fatmir Gjestila, romani “Edhe pëllumbat qajnë”, që jo më kot u bë edhe titull i këtij shkrimi, dallon për rrëfimin e çiltër e të sinqertë, për gjuhën e pasur dhe kërkimet artistike, shenja të një talenti në ngjitje. Një plagë e hershme e shoqërisë shqiptare, gjakmarrja, e cila në kushtet e tranzicionit mori përmasa absurde, madje duke u shfytyruar edhe si zakon, vjen në këtë roman krahas një idili të mrekullueshëm njerëzor mes dy adoleshentëve të pafaj, të gatshëm për miqësi e dashuri të vërtetë, të gatshëm për një jetë tjetër, pa vargonjtë e prapambetjes dhe brutalitetit.

Që në faqet e para të librit, krahas tërheqjes nga subjekti intrigues, krahas meditimit se si do të shkojnë fatet e personazheve, ndjejmë bukurinë e gjuhës, shumëllojshmërinë e peizazheve dhe të mjediseve të ‘vizatuar’ me profesionalizëm e frymëzim. Ngjarjet në libër shtjellohen në skema të qarta dhe plot nerv dramaturgjik e suspans; subjekti është ndërtuar me një kurbë në rritje dhe ‘filmi’ që autori shfaq në sytë e lexuesit, projektohet përmes emocionesh dhe në mënyrë bindëse. Për vetë gjetjen dhe strukturën e romanit, natyra, shpesët, bimësia janë një sfond ku autori mbështetet bindshëm, ngase i njeh ato mirë.

Lindi dhe Mona, janë dy fqinjë, dy miq, dy fëmijë që vijnë në botën e madhe të dlirë e të pafaj, plot ndjesi dhe dëshira, të paqtë e të pastër si pëllumbat për të cilët ata kujdesen. Skenat nga përditshmëria e tyre përcjellin te lexuesi një ndjesi të mirë me sfond të moderuar dhe në kërkim të një lumturie që duket paksa larg, por për të cilën personazhet luftojnë. Në të njëjtat rrethana, por edhe më të vështira, vendoset çifti tjetër, ai i të rriturve, Amiri dhe Kaltrina, gjithaq ëndërrimtarë, por që në mjedisin e një shoqërie të ngarkuar me egoizëm e paragjykime, bëhen shkas për të shpërthyer mëria e dhuna.

Personazhet kryesore, Lindi dhe Mona të kujtojnë legjendat për dashurinë; në jetën e tyre ka një aromë nga baladat dhe lirikat e përcjella në kohëra. Miqësia e dy të vegjëlve, këto ndjesi naive por të natyrshme, ndërthuren me elemente të tjera të jetës së fshatit, lumi, ura, pëllumbat, shpella, elemente që e bëjnë subjektin edhe më tërheqës. Nga ana tjetër, jo rastësisht shkrimtari ka zgjedhur t’i jetësojë personazhet në kohën dhe rrethanat e një konflikti mes të rriturve, duke i përplasur ata me një realitet të egër dhe të trishtë, çka e thekson edhe më shumë hendekun mes një jete të cunguar e të vrazhdë, të trashëguar apo të rindezur konfliktesh civile e vetjake, dhe botës që na duhet të ndërtojmë për nesër; fëmijët dhe të rinjtë u përkasin kohëve moderne dhe rendeve ku demokracia e liria janë ëndërr dhe kuotë.

Siç u theksua edhe më lart, ngjarjet në roman zhvillohen në një teren të vështirë, me shumë paragjykime dhe armiqësi të trashëguara e të sajuara. Personazhet veprojnë në njëlloj skene, ku hyrja dhe dalja, ngritja e zërit apo heshtja, flasin vërtet sikur të ishim në një dramë. Këtë përshtypje e mbështes edhe në një nga karakteristikat kryesore të stilit të autorit, besimi te dialogu. Edhe pse jo gjithnjë iu shpëton përsëritjeve e ndonjëherë edhe rëndomtësisë, përgjithësisht dialogu është një nga pikat e forta të autorit. Në këtë episod të procesit krijues, ai bën kujdes të ndërtojë me mjeshtëri komunikime të shqetësuara në rrjedhë të ngjarjeve; për më tepër, ky model i zotëruar mirë nga autori, ia del të karakterizojë personazhet, mes të cilëve, mjaft janë me të vërtetë tejet të ‘vizatuar’: Gjyshe Pemja, fati tragjik i së cilës dhemb; Adnani, babai i Lindit, që në çaste nga më të rëndët, gjen shpresën dhe lufton fort për bijtë e tij, etj.

Pëllumbat, simbol i pafajësisë dhe paqes, zënë një vend të rëndësishëm në roman, madje shpesh dalin nga pozicioni alegorik për të ‘dialoguar apo marrë detyra nga personazhet. Lindi, heroi qendror flet gjithë naivitet e shpresë me Hiroshin; në ‘rolet’ e tyre të hijshme janë edhe Bardhani, Zioshi, Larani. Fëmijët rëndom i shohin ata si shokë, miq dhe aleatë. Shpesh personazhi i ngujuar njehsohet me pëllumbat, dikur ëndërron të fluturojë si ata e të takojë mikeshën e vet. Por, me raste, alegoria vendoset në kufijtë e vet tradicionalë; le të kujtojmë ‘betejën’ mes Skifterit dhe Hiroshit e ku Lindi gjithashtu merr një ‘rol’ të rëndësishëm.

Libri, ashtu si krejt krijimtaria e Fatmir Gjestilës, ka një dimension human që i bën personazhet dhe ngjarjet më të afërta për lexuesin, e heq publikun nga mendësi që në këtë temë, ndonjëherë, ngjyrosen me sentimentalizëm bërtitës, nga çka vepra ka shpëtuar mjeshtërisht. Në roman, ka edhe episode ku rrëfimi bëhet disi bruto, për shembull disa telefonata të gjata në celular apo shpjegime e njoftime që mbeten në logjikën dhe gjuhën e të rriturve, ndonjëherë madje të cenuara disi nga njëlloj theksi publicistik e që ndoshta e largojnë pak lexuesin nga emocioni dhe ngjërimi artistik. Por ka edhe episode që vijnë më shumë se tërheqës, si ai orëve të kaluara në shpellë, kur Lindi është pothuaj peng i ‘armikut’ të tij, episode me shumë suspans dhe ritëm.

Përgjithësisht, Fatmir Gjestila tregon jo vetëm mjeshtëri artistike, por edhe një sinqeritet që rrallë e ndeshim në atë që shkruhet sot. Me këtë term, kuptoj njëhershmërinë me të cilën ai sjell personazhet dhe mjediset, lehtësinë me të cilën rrëfen ngjarjet dhe vizaton rrethanat ku veprojnë heronjtë e tij, duke mos i trysnuar ata letrarisht, por duke e lënë secilin në ‘perimetrin’ dhe kërkesat e subjektit.

Fatmir Gjestila shkruan prozë dhe poezi, fabula gjithashtu. Opusi i tij artistik është i plotë. Ajo që mund të përftojmë menjëherë pasi kemi lexuar disa nga veprat e tij, është se autori e njeh mirë botën për të cilën shkruan. Karakteristika tjetër e tij është çiltërsia me të cilën shkruan dhe ndjen së bashku me personazhet e tij. Gjuha e tij është e pasur dhe me ngjyrime bashkëkohore. Toponimet dhe emrat gjithashtu janë përzgjedhur me kujdes, duke treguar nderim për vendin, për njerëzit, për të shkuarën dhe të sotmen, por duke i bërë jehonë më së pari asaj që vjen.

Romanet e Fatmir Gjestilës për të vegjlit, që nga “E fshehta e kështjellës së zezë”, te “Edhe pëllumbat qajnë” janë shkruar me një shqipe të bukur, të pasuruar me fjalë e shprehje të trevave prej nga autori vjen, për më tepër në një korrektësi gjuhësore e teknike që jo gjithnjë e gjen në botimet e këtyre kohëve. Fatmir Gjestila është tashmë një shkrimtar i njohur, që ecën në shtegun të cilin e ka hapur vetë, me prirjet dhe pëlqimet e tij tematike, sikundër me kërkimet e vazhdueshme në gjuhë dhe në shprehi artistike. Në letërsinë tonë për fëmijë, por jo vetëm në këtë zhanër, ai po kontribuon me krijimtari e mendim dhe tashmë është një emër që gjithnjë e më shumë bëhet më bindës, për lexuesit dhe kritikën letrare.

Edhe një nënvizim i fundit që, besoj, vjen përkitazi me kërkesat dhe ndjeshmëritë e krijuesve profesionistë sot. Në këto kohë, kur libraritë kryesore janë dingas me libra të autorëve të huaj në shqip a në gjuhë të huaj – dhe s’kish asgjë të keqe, nëse nuk do të shkelmoheshin e hidheshin rrëzave autorët shqiptarë – librat, në këtë rast edhe librat e shkrimtarit Fatmir Gjestila, meritojnë më shumë vëmendje, më shumë mundësi promovuese dhe për këtë duhet të jenë më të angazhuara entet botuese dhe institucionet përgjegjëse, hartuesit e teksteve, bibliotekat, mediat, por në të njëjtën kohë edhe vetë lexuesit. Kjo e gjitha, është pjesë e një sërë shqetësimeve të formuluara edhe më parë, nga autori i këtyre radhëve dhe nga kolegë të tij, shkrimtarë, pedagogë, njerëz të fjalës. Koha është që kjo e fundit, fjala, të nderohet më shumë.