-Trajtimi hormonal tek të rinjtë. A po ecën Shqipëria më shpejt se vetë Europa?
Këto ditë, këtu në Itali, më ra në dorë Urdhri nr. 304, datë 28 prill 2026, “Për miratimin e Udhëzimit të Praktikës Klinike për trajtimin hormonal të personave transgjinorë”, i cili parashikon zbatimin e kësaj praktike pranë Shërbimit të Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Urdhri është nënshkruar nga Zëvendësministrja e Shëndetësisë, znj. Eugena Tomini. Për herë të parë, Shqipëria institucionalizon zyrtarisht një praktikë të tillë në sistemin publik shëndetësor. Megjithatë, dokumentacioni i bërë publik deri tani nuk sqaron në mënyrë të plotë disa elemente thelbësore, si: kriteret psikologjike të përzgjedhjes, kohëzgjatjen e vlerësimit, kufijtë e moshës, rolin e prindërve, pasojat afatgjata të trajtimit hormonal dhe mënyrat e monitorimit të të miturve. Si qytetar shqiptar dhe si prind, vendosa të hulumtoj për disa ditë praktikat që ndiqen në vende të ndryshme europiane. Nga ky shqyrtim rezulton se, në shumë shtete të Europës Perëndimore, trajtimi hormonal po trajtohet sot me më shumë kujdes dhe rezervë sesa një dekadë më parë. Pikërisht për këtë arsye, lind nevoja që edhe në Shqipëri ky debat të zhvillohet me transparencë të plotë, me pjesëmarrjen e specialistëve dhe pa nxitim institucional. Ky shkrim nuk synon të paragjykojë apo të mohojë të drejtat e askujt. Ai synon të ngrejë disa pyetje legjitime mbi gatishmërinë profesionale dhe institucionale të vendit tonë për t’u përballur me një çështje kaq delikate, e cila prek jo vetëm mjekësinë, por edhe familjen, edukimin dhe të ardhmen e të miturve.

Çfarë parashikon udhëzuesi në Shqipëri?
Sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe raportimeve publike, QSUT “Nënë Tereza” do të ofrojë trajtim hormonal për personat transgjinorë përmes shërbimit të endokrinologjisë. Në dokumentet e publikuara në media përmendet: -trajtimi për persona madhorë, – trajtimi për adoleshentë dhe në raste të veçanta mundësia e shqyrtimit edhe nga mosha 14 vjeç. Edhe pse dokumenti i plotë nuk është bërë gjerësisht publik, vetë përfshirja e moshave të mitura ka ngjallur debat të fortë shoqëror.
Çfarë janë trajtimet hormonale?
Sipas specialitëve të fushes përkatese mjeksore, trajtimet hormonale synojnë të ndryshojnë karakteristikat fizike të trupit sipas identitetit gjinor të personit.
– Tek meshkujt biologjikë përdoren ; estrogjenë; bllokues të testosteronit.
– Tek femrat biologjike përdoret; testosteroni.
-Tek adoleshentët përdoren gjithashtu edhe; bllokuesit e pubertetit, që ndalojnë ose ngadalësojnë zhvillimin natyror seksual.
Mbështetësit argumentojnë se këto trajtime, ulin ankthin dhe depresionin, ndihmojnë integrimin social, dhe reduktojnë vuajtjen psikologjike tek personat me disfori gjinore. Ndërsa kritikët theksojnë se; pasojat afatgjata nuk njihen plotësisht, mund të ndikojnë fertilitetin, zhvillimin e trurit, densitetin e kockave dhe stabilitetin emocional të adoleshentëve.

Europa po kalon nga liberalizimi drejt kujdesit më të madh.
Në dekadën e fundit shumë vende europiane ndoqën politika më liberale në këtë fushë. Por vitet e fundit vihet re një kthesë drejt kujdesit më të madh, sidomos për të miturit, ndërsa ne Shqiperi po ndosh e kunderta.
Suedia.
Suedia, dikur ndër vendet më progresive në këtë drejtim, në vitin 2022 kufizoi përdorimin rutinë të bllokuesve hormonalë për të miturit jashtë rasteve të kontrolluara klinike. Autoritetet suedeze argumentuan se: -provat shkencore afatgjata mbeten të pamjaftueshme, -ndërsa rreziqet potenciale janë serioze.
Finlanda
Finlanda rekomandoi që tek adoleshentët: -fillimisht të trajtohen problemet psikologjike, ndërsa hormonet të përdoren vetëm në raste shumë të studiuara dhe të monitoruara.
Britania e Madhe.
Në Britaninë e Madhe, debati mori një kthesë të rëndësishme pas publikimit të raportit të pavarur “Cass Review” (Prill 2024), i udhëhequr nga pediatrja Dr. Hilary Cass, me porosi të NHS England. Raporti arriti në përfundimin se baza shkencore për përdorimin e bllokuesve të pubertetit dhe hormoneve tek të miturit mbetet e kufizuar dhe se nevojitet një qasje shumë më e kujdesshme, multidisiplinare dhe e mbështetur në vlerësim psikologjik afatgjatë. (RCPCH) Raporti theksoi gjithashtu se nuk ekzistojnë ende prova të mjaftueshme për të vlerësuar me siguri efektet afatgjata të bllokuesve hormonalë mbi zhvillimin psikologjik, njohës dhe fizik të adoleshentëve. Për këtë arsye, NHS vendosi që përdorimi rutinë i bllokuesve të pubertetit për të miturit të mos vazhdojë jashtë protokolleve të kontrolluara kërkimore. Pas raportit Cass Review, Britania kufizoi përdorimin rutinë të bllokuesve hormonalë për të miturit.
Franca
Në Francë, Akademia Kombëtare e Mjekësisë ka kërkuar “kujdes maksimal” për trajtimin e adoleshentëve, duke paralajmëruar mbi: -ndikimin e rrjeteve sociale, -presionin kulturor dhe -paqëndrueshmërinë identitare të moshës së adoleshencës. Statistika europiane që po shqetësojnë specialistët . Një nga elementët që ka shtuar debatin në Europë është rritja shumë e shpejtë e rasteve të raportuara tek adoleshentët. Sipas të dhënave të publikuara nga qendra europiane dhe studime të ndryshme: “Në disa vende nordike kërkesat për trajtime gjinore tek të miturit janë rritur disa herë brenda një dekade. Në Britani rastet e referuara në klinikën Tavistock u rritën nga rreth 250 raste në vitin 2011 në mbi 5,000 raste pas një dekade”.
-Në shumë vende europiane vihet re rritje sidomos tek vajzat adoleshente. Kjo rritje ka ngritur pyetje serioze: -Sa ndikon interneti dhe rrjetet sociale? – Sa ndikojnë faktorët psikologjikë? -A po merren vendime të parakohshme? Një pjesë e specialistëve argumentojnë se: jo çdo konfuzion identitar në adoleshencë duhet trajtuar menjëherë si rast hormonal.
Italia.
Në Itali ka një qasje më e kujdesshme dhe tradicionale. Italia mbetet më konservatore në raport me ndërhyrjet tek të miturit.
Edhe pse ekzistojnë qendra për trajtimin e disforisë gjinore, zakonisht kërkohen:
-vlerësime psikologjike të gjata,
– ekipe multidisiplinare,
– përfshirje familjare,
– monitorim klinik i vazhdueshëm.
Në praktikë, sistemi italian përpiqet ta trajtojë çështjen më shumë si problem kompleks shëndetësor dhe psikologjik sesa si procedurë të shpejtë identitare. Vetë shoqëria italiane vazhdon të ruajë ndjeshmëri të fortë ndaj rolit të familjes dhe mbrojtjes së të miturve.
Shqipëria, përballë një sfide institucionale.
Shqipëria hyn në këtë debat në kushte krejt të ndryshme nga Europa Perëndimore. Pyetjet që lindin janë të shumta:
-A ka Shqipëria psikologë dhe psikiatër të specializuar në numër të mjaftueshëm?
– A ekziston monitorim afatgjatë klinik?
– A janë të përgatitura institucionet?
– A mund të shmangen ndikimet ideologjike apo presionet sociale?
Në një vend ku sistemi i shëndetit mendor ende përballet me mungesa serioze, shumë specialistë kërkojnë: maturi, transparencë, debat profesional dhe mbrojtje maksimale të të miturve.
Debati nuk duhet kthyer në urrejtje
Kjo është një temë që kërkon ekuilibër. Nga njëra anë, personat që vuajnë nga disforia gjinore kanë nevojë për trajtim dinjitoz dhe mbështetje njerëzore. Nga ana tjetër, shoqëria ka detyrimin të mbrojë të miturit nga vendime të nxituara me pasoja të pakthyeshme. Pikërisht për këtë arsye, edhe vetë Europa po lëviz sot drejt një kujdesit më të madh, një kontrollit më të fortë shkencor dhe një vlerësimit më të thellë psikologjik. Mendoj se Ministria e Shendetesise, është e nxituar dhe larg ketyre analizave që kërkohen. Vendimi duket i parakohshëm dhe i pamjaftueshëm në aspektin e transparencës dhe debatit profesional.
Përfundime.
Trajtimi hormonal tek të miturit mbetet sot një nga debatet më të ndjeshme të mjekësisë moderne europiane. Në shumë vende që dikur e promovuan këtë qasje me entuziazëm, po vihet re një prirje drejt rishikimit, monitorimit më rigoroz dhe vlerësimit më të thellë shkencor. Debati nuk duhet reduktuar në një përplasje mes “progresistëve” dhe “konservatorëve”. Në thelb, ai ka të bëjë me gjetjen e një ekuilibri të drejtë ndërmjet të drejtave individuale, shkencës mjekësore, mbrojtjes së fëmijëve dhe përgjegjësisë shoqërore.
Raporti i pavarur Cass Review (Britani e Madhe, 2024), i konsideruar sot një nga vlerësimet më të plota shkencore në Europë mbi trajtimin e disforisë gjinore tek të miturit, arriti në përfundimin se provat mbi përfitimet dhe rreziqet afatgjata të trajtimeve hormonale mbeten të kufizuara dhe se nevojitet një qasje më e kujdesshme, multidisiplinare dhe e bazuar në monitorim afatgjatë. Shqipëria ka të drejtë të ndjekë zhvillimet bashkëkohore të mjekësisë, por ka po aq detyrim që të mos ecë më shpejt se sa e lejojnë kapacitetet e saj profesionale dhe institucionale. Kur bëhet fjalë për vendime me pasoja potencialisht të pakthyeshme mbi të miturit, maturia nuk është pengesë e progresit; ajo është kusht i domosdoshëm i tij.
Prandaj, përpara çdo zgjerimi të praktikave hormonale, nevojitet transparencë e plotë, debat publik i informuar, konsultim i gjerë me ekspertët dhe zbatim i standardeve më të larta shkencore që po ndiqen sot në vendet më të zhvilluara të Europës.





















