PUBLICISTIKA E KOLIQIT NË NJË BOTIM TË RI
Dëshira editoriale për ta pasë “Dritën e Shêjzave” në një botim solid e të plotë ka qenë e kaherëshme për ne, e bashkëshoqëruar gjithnji me një tis shqetësimi permanent që atë ta përcillnim tek lexuesi ynë i sotëm pa mungesa e në gjithë plotninë e vet, me autenticitetin e paprekur, ashtu siç në të vërtetë ajo është; përfaqësuese e dêjë e zërit të një kohe pezull të shqiptarisë. Sidomos të mërgatës së saj. Siç do ta përcillte vetë Koliqi themeluesi e vijuesi deri në frymën e fundme i revistës “Shêjzat” në numrin nistor të saj, në vitin e largët 1957, në shkrimin e titulluar: Mbas udhëhekjes së Shêjzave, shpalos synimin dhe platformen afatgjatë : “Botimi i kësaj të përkohëshmje –kumton ai- ka për qëllim të kryemit e nji detyre intelektuale kundrejt atdhéut shi në kohë kur në kuadrantin e historís grepat po shënjojnë nji ças rreziku jetëshues”. Kjo arritje u bë e mundur për ne me ofrimin plot dëshirë të mbështetjes së studiuesit , publicistit e filozofit, profesorit të Urbaniana-s në Romë, Ardian Ndreca, përvijuesit të botimit permanent të “Shejzave” sot. Mirënjohje e shumë rrespekt dedikatës së tij. Ernest Koliqi, themeluesi e drejtuesi i revistës “Shkëndija” në kohën e luftës së dytë , në Tiranë, njëherësh drejtues i Institutit të studimeve shqiptare (1940-1944), i ndodhur tashma, për shkaqe të njohura historike, larg atdheut, në mërgatë, e përvijon veprimin e vet intelektual, jo vetëm si nevojë të shpërfaqjes së të mbrendëshmes së vet ditunore e ndjesore, aq të pasuna të dyja këto në vehtjen e tij, por ma përtej kësaj, si mision atdhedashjeje. Një shërbesë, që në rrethanat e “së ndaluemes” i ofron ndjesinë e detyrimit me u gjënd në sintoni me këto rrethana duke vendosë ekuilibrat e mprehtë midis shtysave që e kishin qitë jashtë prej atdheut dhe ndjesisë së tij të përzemërt e të pashuar drejt atdheut të dëshiruar…Pezmi e pengu prej atdheut që të jashtëqet i konvertuem në dashni shumëfishe për atdheun që e ke limfë të gjallësisë sate. E me ç’mjete tjera përveç se me dije e me zemër! Tue synue rezonimin e vehtjes te të tjerë e të tjerë bashkëkombas, të qitun përdhunshëm prej dheut amë edhe ata. Te arbëreshët e “gjakut të shprishur” ma së pari, po edhe te bashkëkohës e bashkëvuajtës të së njëjtës rrethanë. ”Kjo e përkohëshme don të jét tryezë e lirë kuvêndi burrnor,të mbajtun mbrenda caqeve t’urtís e të njerzís. Çdo shqiptar qi ka nji mendim fryt-dhânës për të shfaqun dhe din t’a shfaqi në shqipe të pastër, çdo intelektual qi lakmon të rrahi nji çâshtje ditunore ose don të paraqesi prodhimet e veta letrare, ka me gjetun vênd në këto fletë tona, mjaft qi të frymëzohet në xhixhillí të Shêjzave, hyllsí virtytesh arbnore. E Koliqi e kish kalue si pak kush sproven e dyfishtë; me qenë ditunar i pakundshoq e misionar i sprovuem…

* * *
Koliqi, njëri prej shkrimtarëve dhe intelektualëve më në zë të Shqipërisë së kohës u përfshi në një qeveri “të përbërë nga njerëz pa vlera të veçanta”, pohon studiuesi dhe historiani Berndt Fischer (R. Gurakuqi: Shqipëria dhe tokat e lirueme 1939- 1946, fq.177). Ftesa për t’u përfshirë në qeveri i vjen prej staturës së përplotë ma fort se prej ndoj inspirimi karriere të vetë atij.Të bëhet me e besue pa mëdyshje këtë , nëse optikën e arsyetimit e drejton për nga koha dhe rrethanat kur kjo ka ndodhë. Sapo filloi punën në këtë detyrë, ai mblodhi rreth vetes njerëzit e kulturës, shkrimtarët më të shquar dhe filloi përpilimin dhe botimin e teksteve shkollore. Si ministër i Arsimit, në shtatorin e vitit 1941 mundësoi me një vendim që mbi 200 arsimtarë normalistë të shkonin në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Pa u caktuar ende formula me të cilën Kosova do t’i kthehej Shqipërisë dhe pa ardhur ende udhëzimet nga Roma, nën përgjegjësinë personale, ministri i Arsimit, profesori Ernest Koliqi nisi drejt “tokave të lirueme” 200 mësues e profesorë me synimin e qartë të vendosjes së themeleve të arsimit shqiptar. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht një nga aktet më sublime, sepse ai dha frutet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në rrënjosjen e dëshirës për të mësuar shqipen në të gjithë trojet shqiptare. Prej shtetit të brishtë shqiptar, ende pa u formësuar mirë si i tillë shkoi ndër mend dhe e bëri punë të kryer dërgimin te vëllezërit e nji gjaku atë për atë çfarë ishte më e nevojëshme atje. Dërgoi mësues për të dhënë dije, duke plotësuar kështu të nxënit e të mësuarit shqip si nevojë jetikë për ruajtjen e idenditetit kombëtar, të shqiptarëve të atjeshëm që historia e padrejtë i kishte shkëputë prej trungut të kombit e dheut amë.
Në vijim të asaj ç’ka nisi ministri Koliqi, në vitin 1943, pa u mbushur dy vjet, në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi u hapën dhe punonin 511 shkolla fillore shqipe me 19 121 nxënës, të cilët i mësonin dhe edukonin drejt kombëtarisht 487 mësues (prej tyre 78 mësuese)… Ernest Koliqi kontribuoi edhe në hapjen e Normales së plotë në Prishtinë, në hapjen e Liceut në Prizren dhe Tetovë, në hapjen e Shkollës Normale në Gjakovë, të Institutit Teknik Bujqësor dhe Gjimnazit në Pejë (Abdylaziz Veseli, Shkollat dhe Arsimi Shqip në Prefekturën e Prishtinës gjatë periudhës 1941- 1944, II, Gjilan 2003, fq 101.) (Romeo Gurakuqi: Gazeta Metropol). Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i Arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare, Ernest Koliqi konsullit shqiptar Kolë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar Norbert Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari… Edhe si arsye madhore për ta shpëtuar albanologun e shkëlqyer hebre nga kthetrat e nazistëve…
* * *
E gjithë ajo çfarë përfshin caku kohor i gati tri dekadave të pandërprera jete të “Shejzave”, që përmblidhen në këtë libër të vëllimshëm asht “prozë poetike” e tija, siç e emërton me të drejtë përgatitësi i librit, prof. Ardiani, aq moderne në stilistikë sa e gjithë proza e tij artistike, që, siç asht e njoftun u shenjue që në fillesat e veta si avangardë e shkrimtarisë shqiptare të viteve ’30 të shekullit që shkoi. Po ka aty edhe shkrime më të herëshme, fletë të shkëputuna të nji ditari të vjetër, që ribotohen te “Shejzat”. Ase shkrime të tjera që ishin botue te gazetat e Tiranës atyne viteve o te “Gazeta shqipëtare” që delte në Bari të Italisë, si, bie fjala”Mëngjes në Kaninë me 1935. Sikurse pena e njohësit me themel edhe e letërsisë së bashkëkombësve të vet, ndalë e i analizon me stimë e pa u kursye në qortime kur e sheh të nevojshme; Mustafa Kruja, Medi Frashëri, Ndoc Nikaj, Fishta, Noli, Anton Harapi, Petrota e arbëreshë të tjerë. Ndalë përimtë në “Dy shkollat letrare të Shkodrës”, ajo e françeskanëve dhe ajo e Jezuitëve Bashkë me stimen për gjithçka të vlertë, nuk ngurron me marrë n’dorë thupren (fshikullën) e qortimit: Mos të qitët Zoti me ta, sepse pingul u asht mbushë mêndja qi vetëm nji pash u mbesin mbrapa Patër Gjergjit e Faikut në stil. E masandej te Migjeni; njohja dhe përkrahja e talentit të tij. Duke qenë pjesë e rëndësishme e redaksisë, i boton për së pari poezinë “Të lindet njeriu…” në Fletoren “Iliria”, në faqen e tretë, aty ku botoheshin firmat më të njohura letrare të viteve ’30. Porse ai nuk e ndalë qortimin për ata të tjerë që e mitizojnë poetin e ri të talentuem. “Migjeni zên nji vend të spikatun në radhët e shkrimtarëve tonë, por ia damtojnë nâmin ata qi hiperbolikisht e ngjisin në majën e Parnasit, ku mbretnon me dy-tre shokë të tjerë Fishta.” E gjithë fasha e “Dritës së Shêjzave” vjen si një ylber shkrimor e stilistik që përshkon me dritën e yllësisë shpirtin e shkrimtarit të përpjestuar në dysh, në pezullinë që i diktoi përdhunshëm koha kur jetoi.




















