Ylli Shehu: “Derbi” me Tiranën tregoi forcën dhe karakterin e Partizanit

126
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Ylli Shehu, ish-sulmuesi i Partizanit dhe i Kombëtares

Agron Kaja

“Partizani ishte më lart, tregoi forcë dhe karakter. Ndërsa Tirana kishte mundësi ta mbante lojën, por nuk mendoi shumë për sulmin, ndoshta mendonte një rezultat ndryshe.”

/Telegraf.al/ Në tre ndeshjet me Tiranën në këtë sezon, Partizani ka fituar dy e ka barazuar një, çfarë tregon kjo shifër?

Mes gjithë atyre barazimeve që ka bërë Partizani, gjatë kampionatit e kryesisht gjatë fazës së tretë, fitorja me Tiranën e ka ngrohur shumë këtë skuadër. Partizani ka elementë titullarë dhe ata e zgjidhën këtë “derbi” të merituar.

Të premten u pa një “Derbi” me dy fytyra, ku e vendosni Partizanin, në planin pozitiv, apo …?

Në krahasim me Tiranën, Partizani ishte më lart, tregoi forcë dhe karakter. Ndërsa Tirana kishte mundësi ta mbante lojën, por nuk mendoi shumë për sulmin, ndoshta mendonte një rezultat ndryshe. Ishte një sfidë që tregoi shumë elemente pozitivë.

Po Tirana, pse u “dorëzua” në këtë sfidë që e kishte deklaruar për një rezultat pozitiv?

Unë mendoj se, ose u dorëzua se nuk kishte më shumë mundësi, ose nga frika e një kundërsulmi, që mund të pësonte edhe më shumë gola. Sepse Partizani ka lojtarë të shpejtë, ndërsa Tirana nuk e pati forcën e duhur në sulmin e saj.

Cila nga ndeshjet e tjera të javës së 24-t doli nga parashikimet, apo befasoi në rezultat?

Ndeshjet e Superiores kështu janë bërë, si Dinamo City që barazoi me Laçin, por edhe Vllaznia që po vazhdon ecurinë e mirë. Gjatë janarit nuk ka patur shumë lëvizje te shkodranët, por grupi është mbledhur më mirë dhe ka një frymë të re në skuadër.

Nisur nga renditja, si i shikoni skuadrat në 24 javët e Superiores?

Me këto rezultate, unë mendoj se skuadrat janë aty ku duhet. Kryesisht Egnatia po tregohet më elitare dhe me lojra të bukura. Duket një ekip i frikshëm, ndërsa skuadrat e tjera kanë treguar ulje e ngjitje, herë me forcë dhe herë me dobësi.

Këtë javë u largua një trajner, Kukësi largoi të tretin dhe mori të katërtin, pse ndodh kështu me këtë skuadër?

Mendoj se të gjitha këto lëvizje duhet të jenë bazuar kryesisht te rezultatet që kjo skuadër ka patur. Këto kanë sjellë këtë situatë, por mendoj se më shumë do kenë probleme me ekipin se sa me trajnerët, dhe kjo duhet parë në vazhdimësi.

Mundet ta konfiguroni përafërsisht grupin e skuadrave të Final 4”?

Me këto rezultate dhe këtë ecuri, katër skuadrat kryesueset do jenë, e ndoshta Dinamo mund të shfaqet si “nëndetëse”. Në tërësi, në këto ndeshje do tregohet forca e ekipeve që kanë më shumë lojtarë në dispozicion, është e vështirë gara deri në fund.

Nesër luhen ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, cili është parashikimi juaj?

Ndeshjet e kupës janë specifike, sepse janë edhe me një takim. Trajnerët do mendojnë të aktivizojnë lojtarë të rinj dhe unë shoh si favorite skuadrat që janë më lart në renditjen e Superiores, e sidomos Tirana që është larg titullit në kampionat.

ABISSNET SUPERIORE

NDESHJET, JAVA 25
E dielë, 25 shkurt 2024

Egnatia-Teuta               13:30

Kukësi-Erzeni              13:30

Skënderbeu-Partizani  17:00

E hënë, 26 shkurt 2024

Tirana-Laçi                            13:30

Dinamo City-Vllaznia 17:00

RENDITJA

Skuadrat            Nd    Pikë

1.Egnatia             24     48

2.Partizani           24     40

3.Vllaznia           24     40

4.Tirana               24     34

5.Dinamo City   23     32

6.Skënderbeu     23     31

7.Laçi                            24     29

8.Teuta                24     24

9.Erzeni               24     23

10.Kukësi           24     19

 

Ndeshje e prapambetur

E mërkurë, 21 shkurt 2024

Skënderbeu-Dinamo City 17:00

Kukësi e ka fituar një titull, “Kampion” me bankinat!

Nuk kishte ndodhur në futbollin shqiptar, që në një skuadër futbolli të uleshin në bankinë katër trajnerë brenda një sezoni. Kjo është një shifër për rekord, madje është thyer nga Kukësi pas largimit të Emiljano Çelës, i cili qëndroi vetëm dy ndeshje si trajner i tij. E nisi Rrahman Hallaçi, i cili pa diçka nuk shkonte dhe e dha dorëheqjen. Në skenë doli menjëherë “emergjenti” Stavri Nica, i cili e kishte lënë një javë më parë bankinën e Laçit. Por Nica duroi shumë gjatë, deri në javën e 21-të, arsyet e largimit i di vetëm ai, që sa hap e mbyll sytë, e gjeti veten në bankinën e Shkumbinit në Kategorinë e Dytë. Pas tij erdhi Emiljano Çela, i cili nuk e kaloi numrin tre të humbjeve te Kukësi. Sipas tij, kishte faktorë të tjerë që e larguan! Tashmë është radha e Bledar Devollit, edhe ky një shëtitës në disa skuadra gjatë këtij sezoni, të cilit iu besua mbijetesa! Kësisoj, Kukësi nuk del pa gjë në këtë sezon, sepse ka fituar titullin “Kampion” për trajnerët që ka ulur në bankinën e tij.