Suplementi Pena Shqiptare/ Riza Çato: Në majë të Çukës…

(Mal në vendlindje)

 

NOA

Te maja e Çukës isha mbrëmë,

i vetëm pa njeri nga pas.

Shikoja majën i qe ngrënë,

shikoja veten buza-gaz.

 

I rrjepur mali si me dorë,

si i pa flokë ky balli im.

I thosha vetes ky i gjorë,

ka ngelur vetëm si jetim.

 

Lotonte bari nga thëllimi,

rrungaja borën ka përpirë.

Më thoshte mali ti je imi,

te kjo rrungajë ujë ke pirë.

 

Se nga më erdhi një zë nate,

si një zë xhindi më kumboi.

U turr si erë në monopate,

si borë e ngrirë m’u fut në gojë.

 

Një tufë me yje zbriti nga qielli,

si engjëj që lind perëndia.

Më thoshte mali më ka djeg’ dielli

si ç’të ka djeg ty Dashuria.

 

 

Te mali i Çukës isha mbrëmë,

atje ku strehoen pëllumbat.

Nga malli lotët kishin rënë,

si breshëri që derdhin plumbat.

Nisja këngës halle-madhe

(Gurra e Prodanit)

1-Nisja këngës halle-madhe,

këndo e dredh lot,

se kjo jetë është gënjeshtare,

po s’na gënjen dot.

 

2-Se kjo jetë plot me mëkate,

s’lahen as në det.

Një gëzim në jetë po pate,

gëzoje si mbret.

 

3-Buzëqesh e hidhëruar,

buzëqesh me shpirt,

se kjo jetë ka fluturuar,

kot i thua prit.

 

4-Hapi sytë e shiko botën,

mbuluar në gjak.

S’ke ku ta mbështetësh kokën,

ku të çlodhesh pak.

 

5-Nisja këngës buzë-plasur,

helmin ktheje këngë,

lëre vdekjen të gajasur,

pa duar, pa këmbë.

 

Refreni:

Vdekja-jetë më e pa cipa,

në këtë planet.

Me këngë labe e zhurita,

e hodha në det.