Suplementi Pena Shqiptare/ Qazim Shehu: Dy në dorë

54
Sigal

Kur shefi i personelit ngriti vështrimin nga një shkresë , pa përpara tij një vajzë të gjatë, elegante. Ajo kishte trokitur, ishte futur brenda me hap të pandjeshëm, ai kishte thënë hyrë, por, i kredhur në leximin e një materiali intrigues, ende s’e kishte ngritur kokën. Dhe gjatë kësaj kohe vajza kishte pritur gjersa ai të mbaronte leximin. Ulu, i tha ai gjithë përzemërsi. Vajza u ul përballë -Përse jeni shqetësuar zonjushë? -Kërkoj punë,- tha vajza. Pa i thënë ende shefi, ajo hapi me gishtërinjtë e saj nazikë zinxhirin e çantës, nxori që andej diplomën, listën e notave; mbylli zinxhirin, mënjanoi pakëz çantën, dhe ia zgjati shefit me një veprim të vendosur. Shefi u hodhi një vështrim të vëmendshëm notave dhe ndjeu një gëzim të lehtë. Ndoshta pak raste i kishin qëlluar të shikonte nota të tilla, kaq cilësore. -Ndonjë kërkesë keni? -Patjetër, -tha vajza.

Shefi herë shikonte diplomën, herë notat, herë kërkesën, shkruar me shkrim dore, Shefi rrudhi pakëz buzët. Në kërkesë kishte gabime të tmerrshme drejtshkrimore. Mungonin presjet ose ishin vënë atje ku s’duhet. Vetëm fjala unë e shkruar tri herë, ishte pa zanoren ë. -Vetë e keni shkruar kërkesën? — pyeti shefi. –Vetë,-tha vajza. -Mos ua ka shkruar babai, nëna apo?.. -Jo,jo, vetë,- tha vajza me lehtësi. -Mirë, mirë, -tha shefi. Lerini dokumentat këtu dhe ejani herë tjetër. Vajza u ngrit, i zgjati dorën e hollë dhe kur vajti në gjysmën e zyrës befas u kthye. -Drejtorin nuk e takova, -tha.  -S’ ndodhet për momentin. –Si e ka emrin, ju lutem?  -Mitrush Kuteli, tha shefi.  Vajza nxori një bllok dhe shënoi emrin. -Numrin e telefonit? Shefi pa u menduar dha numrin e vet. Vajza falenderoi dhe doli. Shefi u ngrit dhe doli në dritaren që shikonte nga rruga. Ai pa sesi vajza u fut në një makinë. Interesant,- tha me vete. Të ketë mbaruar tjetra për gjuhë letërsi dhe të mos dije që Kuteli është shkrimtar! Dhe gjithë ato nota të mira. Dhe të rregullta. Në mbrëmje, ndërsa ishte ulur në tavolinën e punës e po punonte mbi një artikull për prozën shqipe, befas tingëlloi zilja e telefonit. -Alo, Mitrush Kuteli?… Më falni , jam ajo vajza për të cilën u kanë folur. Erdha t’u takoj po nuk ju gjeta në zyrë. Kur mund të takohemi… -Më falni zonjë, po unë nuk jam Mitrush Kuteli. – Po kush jeni ju? -Lasgush Poradec?. “Lasgushi… si thatë?… Shefi mbylli telefonin. Të nesërmen vajza erdhi sërish. -Unë dua që dikush duhet të më ndihmojë — tha vajza. -Dhe të jem e sinqertë, dikush po më ndihmon. Po ata që të ndihmojnë kërkojnë ca gjëra që ju i kuptoni… -Ju jeni vajzë e bukur. Nëse keni për t’ua dhënë jepuani…  Vajza ,e ulur, e hoqi këmbën nga këmba. Shalët u mbyllën dhe kofsha e saj e bardhë u zhduk , sikur ajo të mos ishte aty. -Kohë e vështire, – tha ajo. -Perspektiva të mbyllura. -Asnjë perspektivë s’mund ta quash të mbyllur, -tha shefi. — Ju s’duhet të dekurajoheni. Unë do të përpiqem t`ju ndihmoj. Vajza u çel në fytyrë. Shefi e vuri re këtë. Ajo e ngriti këmbën mbi këmbë dhe kofshët e bardha u shfaqën sërish premtuese. Shefi i vështronte me ngulm ato, ndërsa vajza tregohej indiferente , duke e hedhur vështrimin herë-herë diku. -Domethënë nuk bëhet gjë, -tha vajza. -Çdo gjë bëhet,- tha shefi me nënkuptim. -Ç’është në dorën time…-tha vajza dhe u skuq lehtë. -Ç’mbetet për ty, patjetër,- tha shefi. -Oh, ju faleminderit, murmuriti vajza. Ai s’dinte ç’të bënte me atë vajzë. Ishte aq e bukur sa t’i këpusje kokën. Një kopsë të trikos e kishte të zbërthyer dhe njëri gji i zbulohej në gjysmë. Ishte aq i turbulluar. U ngrit dhe iu afrua. I qëndroi mbi kokë. Gjinjtë dukeshin të plotë.Vajza nuk lëvizte. Ai i zgjati dorën mbi flokë e fërkoi lehtë dhe vajza s’ dha ende asnjë shenjë. Shefi ishte i vjetër në këto punë. Ai kuptoi se nuk ishte momenti. Jo kaq shpejt, -tha me vete.

-Do të vish pas dy ditësh, tha shefi. -Oh, ju falemnderit. Kur vajza doli jashtë shefi u ul prapë në vendin e vet. Ai shtrëngoi tëmthat që i digjeshin nga zjarrmia. Nuk i sillej më ndërmend ai vetpengimi profesional , për të mos e ndihmuar atë vajzë. Ndihej i çarmatosur. Një butësi dhe ligështi e bënte kështu.  Do ta rregullonte në punë atë vajzë. Dhe do ta kishte të vetën. Çdo fillim viti drejtori i linte në kompetencë tre emra për emërim kuadri. ‘U kujtua se ende s’kishte propozuar asnjë emër. Solli ndërmend gjithashtu se tre emra i kishte të zënë. Njëri ishte djali i kushëririt të  vet. Tjetri vajza e një shoku, militant partie, që e kishte vënë në atë post.

Tjetri, vajza e komshiut që ishte rritur me vajzën e vet. Cilin mund të digjte? Asnjë” Ndoshta drejtori i lejonte katër emra. Por kjo ishte vetëm një hipotezë. Sidoqoftë ai kishte tre emra dhe cilën mund të digjte? Kushëririn? Kushëriri ishte aq fukara sa nuk bënte të mos e ndihmonte. Djalin e shokut? Nuk bëhej shaka me djalin e zotit Mane, i cili, po të angazhohej ,lëkundte edhe pozitat e drejtorit. Atëhere komshien?! Po ai përballej çdo ditë me të, shkallëve të pallatit, e veçanërisht vajza e vet do t`i zemërohej shumë. Do t’i thoshte vajzës se do të mundohej më vonë. Tani për tani e kishte të pamundur. Vendosi të digjte komshien. Mbase do të gjendej mundësia më vonë, mbase do sajonte diçka,duke ia hedhur drejtorit. Kur u dha fund këtyre mendimeve, iu soll përsëri ndërmend vajza. Pse e lejoi të ikte. Ndjeu se ishte mbërthyer keq nga një pasion i çmendur. Pse e lejoi të ikte aq shpejt? Dhe ishte aq e bukur ,për t’u pirë në kupë, aq e dhënë.

Të nesërmen shefi vajti tek drejtori. Ai kishte përpiluar listat e reja të emërimeve. E dinte se këto lista ishin kot, se drejtori vendoste vetë. Por sidoqoftë krijonte një procedurë. Drejtori, një burrë i shëndoshë, tepër i zgjuar, e pyeti mbi disa probleme, mbi vendet e lira në shkolla dhe ai raportoi ekzaktësisht. I tha drejtorit se donte të rregullonte një vajzë. -Po, tha drejtori, ke tre emra. Të kam dhënë fjalën. Ma thuaj emrin. -Anila D… -Anila D? Drejtori u ngrit në këmbë, rrudhi ballin, u ul sërish, hapi një sirtar, nxori një bllok të madh dhe shfletoi fletët me ngadalë,me një stilolaps të trashë nënvizoi diku. -Këtë emër e kam unë,- tha drejtori- është rregulluar. Shefi u step. Drejtori e vuri re këtë. -Ç’ke?— pyeti drejtori. -Ajo erdhi tek unë. -E di, tha drejtori. Por ti duhet të kuptosh, mollën e parë e ha drejtori… – -Ke emër tjetër? -Kam… -belbëzoi shefi. -Sidoqoftë një emër t’u dogj. Tani të mbeten vetëm dy… tha drejtori.  U bë heshtje. Heshtjen e theu drejtori. -M`i thuaj dy emrat e tjerë, se mos të digjen edhe ato!…