‘Pishina e Belindës’, zbardhen detaje: Si e fshehu Balluku vilën në Palasë

Ish-ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku akuzohet nga SPAK për përfitimin e një vile të dytë luksoze në resortin “Green Coast” në Palasë në këmbim të një tenderi në Unazën e Madhe të Tiranës.

Përmes faturimeve fiktive dhe emrave të tretë, “Alko Impex” akuzohet se pagoi qindra mijëra euro për pishinë “infinity”, vaska hidromasazhi dhe pajisje të tjera luksi. Prokuroria e Posaçme pretendon se vila në Palasë është produkt i korrupsionit dhe i pastrimit të parave.Afera me vilën në Palasë, e dyta e sekuestruar pas një tjetre po në zonën e Dhërmiut, ka rënduar situatën penale ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për “Shkelje të barazisë në tendera” të kryer në bashkëpunim, “Fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”, më shumë se një herë. Bashkë me të në këtë aferë akuzohet biznesmeni Arbër Abazi dhe kompania e tij “Alko Impex General Construction” si dhe ish-futbollisti Igli Tare, pronari në letra i vilës, i cili akuzohet për pastrim parash.

Sigal

Në total, numri i të akuzuarve individë dhe kompani në dosjen “Balluku” është 24, përfshirë një duzinë me vartës të saj dhe biznesmenë që akuzohen se paguan ryshfet pas përfitimeve të paligjshme të tenderave për infrastrukturën. Në çështjen “Balluku”, SPAK ka bërë bashkë pesë procedime të ndryshme penale.