Një dekadë suksesi tek Atletico, Simeone: Champions League vijon të jetë një stimul për mua

182
Sigal

Dy tituj në La Liga, një Kupë dhe një Superkupë Spanje, dy tituj në Europa League dhe dy Superkupa Europe janë sukseset e Diego Simeones në 10 vitet që drejton skuadrën e Atletico Madrid.

Një periudhë e jashtëzakonshme, me tetë tituj të koleksionuar që e kanë bërë skuadrën madrilene të jetë një nga klubet më fituese në kontinentin e vjetër, duke i shndërruar në diçka të cilën populli i Atletico Madrid nuk e kishte përjetuar kurrë më parë.

Përveç sukseseve, Atletico dhe Simeone kanë edhe kujtime jo të mira dhe bëhet fjalë për dy finalet e humbura në Champions League, që mbetet ende një ëndërr e parealizuar.

Dy finale në harkun e tre sezoneve, Milano dhe Lisbona nuk sjellin kujtime të mira për teknikun argjentinas, i cili aktualisht nuk po kalon një moment të mirë me Atleticon, pasi kampionët e Spanjës po vuajnë në renditje në javët e fundit.

23 dhjetor 2011 ishte dita e parë e Simeones në stolin e Atletico Madrid dhe deri më sot “El Cholo” numëron 551 ndeshje me madrilenët, duke koleksionuar 326 fitore, 130 barazime dhe 95 humbje.

Pavarësisht titujve të fituar, zhgënjimet nuk mbeten vetëm te finalet e humbura në Champions League, por edhe në lojtarët të cilët ai i kërkoi me ngulm, por në fund rezultuan një dështim.

Argjentinasi luftoi fort për Nico Gaitan, për të cilin klubi shpenzoi 25 milionë euro, ndërsa në të njejtën linjë ishin dhe Mandzukic dhe Jackson Martinez.

Pavarësisht luhatjeve të sezonit apo dështimeve në Europë, Simeone ende beson se skuadra e tij mund të arrijë te trofeu i Champions League.

“Liga e Kampionëve është gjëja më e mirë që mund të na ndodhë për të treguar se ka gjithmonë diçka për të kërkuar. Në këto 10 vite ishim shumë pranë trofeut.

Ti luan për 90 minuta apo 120 minuta dhe nuk mund të jesh më afër se kaq. Champions League vijon të jetë një stimul për mua, por edhe për skuadrën gjithashtu dhe pas një kohe të gjatë.

Pas 10 vitesh ka ende vend për një dëshirë të tillë tregon se ne jemi ende të fokusuar dhe ka gjithmonë vend për stimuj dhe për të tentuar trofeun e Champions League”.

Simeone ka një kontratë me Atletico Madrid deri në qershorin e vitit 2024, ndërsa në këtë edicion Atletico mes shumë vështirësive kaloi fazën e grupeve në Champions, ndërsa në kampionat madrilenët numërojnë 4 humbje radhazi dhe janë 17 pikë larg rivalëve të përjetshëm të Real Madrid, që kryesojnë La Liga-n me 46 pikë.