Klejdi Daci rikthehet te Teuta, sulmuesi: Synojmë trofeun e Kupës!

122
Sigal

Klejdi Daci është rikthyer te Teuta vetëm pas një sezoni. Ai vjen pas aventurës me Kukësin, ku luajti shumë pak. Tashmë do të jetë një alternativë më shumë për trajnerin Edi Martini.

Futbollisti 23- vjeçar ka luajtur dhe më parë me skuadrën e Teutës në sezonin 2021-2022 ku u mor huazim nga Kukësi. Ai shpesh ka shprehur dëshirën që të aktivizohet me ekipin durrsak, mundësi që do ta ketë në vijimin e këtij sezoni. Daci ka folur në një intervistë për “Panorama Sport” dhe ka treguar se pse ka refuzuar ofertat e tjera. Daci zbuloi arsyet që e shtynë të zgjedhë Teutën.

Klejdi, tashmë pjesë e Teutës, si ndiheni për këtë zgjedhje?
Sinqerisht jam shumë i kënaqur për zgjedhjen që bëra. E vendosa për këtë klub pasi kam kaluar momente të bukura. Kishte edhe opsione të tjera, por në fund zgjodha Teutën sepse, përveçse njoh ambientin, kam dhe shumë miq këtu dhe e kam më të lehtë ambientimin. Jam shumë i lumtur që u finalizua transferimi im te Teuta.

Si ju kanë pritur në skuadër?
Pritja ka qenë e mirë. Me shumicën e lojtarëve njihem.

Teuta luan të premten ndeshjen e kthimit për Kupën e Shqipërisë ndaj Erzenit. Çfarë ndeshje parashikoni dhe a prisni të aktivizoheni?
Unë jam i bindur që ekipi ka forcën dhe kurajën. Kryesorja është që shpirti i garës për t’u paraqitur në fushë sa më mirë të mos mungojë. Ne e dimë që kemi përballë një kundërshtar të fortë, por ne jemi të përgatitur sepse i kam parë shokët në stërvitje. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë.

A është Kupa një trofe që ju tërheq?
Nuk mund të them të kundërtën, pasi jemi të fokusuar te Kupa dhe do të luftojmë për ta fituar. E rëndësishme është të kalojmë një herë ndeshjen ndaj Erzenit e me pas do të mendojmë për më tej.

Si e shihni Teutën, pasi momentalisht ndodhet në zonën e rrezikut?
Nuk mund të presësh që gjithçka të ndryshojë brenda një dite. Duhet kohë dhe me siguri do të përmirësohemi, madje Teuta do të jetë përsëri akoma më e fortë dhe do të ringrihet shumë shpejt.

Është gati Daci të ndihmojë Teutën me gola?
Shpresoj që të vazhdoj të shënoj me Teutën dhe të kem vazhdimësi, pasi kjo është e rëndësishme. Objektivi im është të qëndroj me këmbë në tokë dhe të vazhdoj edhe më mirë. Shpresoj ta ndihmoj ekipin me lojë dhe me gola.

Për çfarë objektivash u rikthyet në Durrës?
Kampionati është shumë i fortë. Për momentin ne jemi në pozita jo të mira. Do të jetë e vështirë çdo ndeshje, por të përqendrohemi për ndeshjet e radhës. Në fund do t’i bëjmë llogaritë. Dëshira ime është të dalim sa më shpejt nga ky moment ku jemi e me pas të shohim çfarë do të na rezervojë fati.