Moisi Dalipi: Ervin Skela, fantazisti me këmbë të arta

508
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Sa herë bie fjala me specialistët dhe gazetarët sportiv  për të vlerësuar dhe përzgjedhur  lojtarët mesfushor më të  mirë të ekipit tonë kombëtar në vite, ku  midis të tjerëve thuajse të gjithë e thonë me një gojë se: “E meriton plotësisht dhe mesfushori fantazist Ervin Skela!”. Dhe kjo përzgjedhje është sepse, Ervin Skela është shquar në fushën e lojës, për ëmbëlsinë në marrëdhënien me topin, për triblimin e saktë, për pasimet e pagabuara, për spektaklin që dhuronte  për skuadrën dhe tifozët dhe gjuatjet  e kalibruara në portën kundërshtare.

Ka mjaftuar vetëm kaq, për të lëvizur kujtesën nga vendi në vitet e fëmijërisë së tij,  kur ai  mori kontaktet e para  me lojën e futbollit. Në fakt gjithçka ka nisur në ambientet e shtëpisë së tij në qytetin e Vlorës ku  dhe është lindur. Gjithsesi Ervini me atë  shtat të  shkurtër, por shumë i shpejtë  u dashurua  shpejt me topin dhe lojën e futbollit, pa e ditur mirë suksesin që do merrte  nga kjo lojë e magjishme. Në moshën 10 -vjeçare  bëhet pjesë  e klasave sportive  në  Vlorë, duke filluar me shumë dëshirë përkushtimin  me lojën  dhe topin e   futbollit . Në fillim me ekipet e moshave të Flamurtarit, pak më vonë  tek para të rinjtë dhe  kur ishte vetëm 16 vjeç  kalon tek ekipi të rinjve. Shumë teknik dhe tepër i shpejt në veprimet me topin në mesfushë dhe vijën e sulmit.  I saktë në pasime dhe kishte  një  gjuajtje plot elengacë në portë. Shënonte shumë  gola dhe  zbavitej në fushën e lojës me veprimet e tij. Një fakt i tillë ra në sy të trajnerit  të njohur vlonjatë Edmond  Licaj, që  si zakonisht  i pëlqenin shumë futbollistët e këtij tipi. Në verën e vitit 1992, tek ekipi “ Flamurtari”  erdhën  pesë futbollistë 16 vjeçarë  me shumë prespektivë si  Ervin Skela, Devi Muka, Ervin Fakaj, Geri Çipi dhe Florian Myrtaj. Gjithsesi, Evrin Skela edhe pse  shtatshkurtër  binte në sy për mënyrën e lojës dhe saktësinë në veprime. Dhe karriera e tij  për tre sezone tek Flamurtari  është në  kornizën e viteve 1992-1995.

Në këtë periudhë tek Flamurtari Ervin Skela  është aktivizuar në 31 ndeshje  për kampionat dhe ka shënuar 5 gola. Por në vitin 1993 , kur ishte vetëm  17 vjeç  përballet me aventurën e parë të tij , që ndoshta do t’i kushtonte shumë të ardhmes së tij . Në  muajin gusht 1993, dikush i mbush mendjen  djaloshit vlonjat të bëhet pjesë e Tiranës. Për herë të parë në jetën e tij   ai  do të provonte të largohej nga shtëpia në këtë moshë të rinisë. Vetëm  5 ndeshje zhvillon me Tiranën  dhe rikthehet përsëri  në Vlorë , me një dëshirë ndryshe për lojën e futbollit dhe Flamurtarin . Ekipi kombëtar U-17 dhe pak më vonë U-19  do ta  bëjë pjesë të ekipive kombëtare këtë djalosh  plot  fantazi me topin . Gjatë zhvillimit të turneve ndërkombëtare  me ekipet kombëtare të  moshave, ai do bjerë shpejt në sy të menaxherëve të huaj. Ne verën e vitit 1995 në ekipin gjerman Union-Berlin  bën pjesë edhe vlonjati i talentuar , 19 vjeçari Ervin Skela. Edhe këtu ka lënë përshtypje pozitive loja dhe talenti i tij në të gjithë hapësirën e fushës. Vetëm dy sezone tek kjo skuadër gjermane, sepse ekipi i sapo ngritur në Bundesligën e Parë, Ergebirge-Aue  do ta rreshtojë në rradhët e tij. Një sezon më vonë kalon tek Chemnizer FC  dhe po një sezon më vonë tek  skuadra tjetër  Waldhof Mannheim. Pasi u jep fund lëvizjeve me një sezon në skuadra të ndryshme, në  vitet 2001 -2004 për plot tri sezone  luan tek  skuadra e njohur  Eintracht Frankfurt. Tek ky ekip  me tradita në futbollin gjerman  shkëlqen plotësisht  talenti  i tij, ku në 92 ndeshjet e zhvilluara  shënon 26 gola. Një lojtar i kompletuar , me shumë kalibër dhe finesë, që me ato  gjuajtjet e tij të kalibruara   ka mposhtur dhe portierin e njohur gjerman të Bajer-Mynih , të njohurin Oliver Kahn. Pas kësaj karriera e tij vazhdon me ekipet e tjera të futbollit  gjerman, si Arminia-Bielefeld, Kaiserslautern. Pak muaj të vitit 2007  luan dhe tek  ekipi italian i Askolit dhe  për të vazhduar më pas me gjermanët e Energie-Kotbus dhe Tus-Koblenz .Në 2011  pasi i jep lamtumirën ekipit kombëtar aktivizohet për një sezon tek skuadra polake Arka-Gdynia dhe pak më vonë në moshën 38 vjeçare në vitin 2014 me ekipin në ligën e ulët gjermane FC Harau -93. Kështu në harkun e 15 sezoneve të luajtura  jashtë Shqipërisë Ervin Skela regjistron 435 ndeshje  me 65 gola të shënuar. Entrakti i Frankfurtit i ka bërë një vlerësim të jashtëzakonshëm ish-mesfushorit të Kombëtares Shqiptare Ervis Skela. Vlonjati është përzgjedhur në bordin e ambasadorëve të klubit Eintracht- Frankfurt përkrah emrave legjendë të futbollit gjerman. Tre futbollistë janë kampion bote si  dhe  lojtarë rekord të Bundesligës, fitues të kupës UEFA dhe të Kupës së Gjermanisë, janë  emrat e përzgjedhur për të përfaqësuar klubin e njohur të Eintracht-Frankfurt në të gjithë botën, mes tyre dhe Ervin Skela.

Lista e “tetë  ambasadorëve”  të këtij klubi gjerman , fillon me Jurgen Grabovski, kampion bote 1974, Bernd Holzenbein golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Frankfurtin me 160 gola në 420 ndeshje, Karl-Heinz Korbel si lojtari me numrin më të madh të ndeshjeve (602), Ronald Borchers fitues i Kupës UEFA dhe Kupës së Gjermanisë, Uue Bein pjesë e Gjermanisë kampione 1990, Dragoslav Stepanovic një nga trajnerët më të suksesshëm të klubit. Uli Stein është portieri që mban rekordin me 645 ndeshje në futbollin profesionist gjerman dhe Ervin Skela që plotëson këtë skuadër, si futbollisti që udhëhoqi Frankfurtin në rikthimin legjendar në Bundesligë në vitin 2003. Ervin  Skela është shprehur shumë i emocionuar për vlerësimin që i ka bërë klubi i Eintrakt Frankfurt, duke e cilësuar këtë padyshim vlerësimin më të madh të karrierës së tij në futbollin gjerman. Kësisoj edhe  pse tani Ervin Skela  po i drejtohet moshës tij të 45-vjeçarit , ai  prej shumë vitesh vazhdon të bashkëpunojë për këtë  klub të njohur futbolli, si një përzgjedhës i talenteve të reja. Dhe  në mes këtyre fëmijëve, që nesër do jenë dikushi në futbollin gjerman , është dhe djali tij 14 vjeçar Kristi Skela. Ai është një kopje e babait të vet në shumë drejtime në lojën e bukur të  futbollit. Ndoshta një ditë jo shumë të largët, këtë djalosh plot energji dhe talent do ta shikojmë në rradhët e ekipive tona kombëtare. Një kapitull i veçantë në karrierën e Ervin Skelës janë dhe ndeshjet me  ekipin kombëtar. Në çdo ndeshje dhe përballje me  çdo kundërshtar, mesfushori Skela  ka spikatur me tërë talentin dhe vlerat  e tij  sportive.

Plot 11- vjet me ekipin kombëtar , ku  ai ka arshivuar  76 ndeshje dhe ka shënuar 13 gola. Dhe gjithçka me fanelën kuqezi  ka nisur në turneun  “Rothmans 2000” të zhvilluar në Maltë , ku Shqipëria e drejtuar nga trajneri Mehdin Zhega fiton trofeun, që është i dyti trofe i fituar nga ekipi ynë kombëtar pas Kampionatit Ballkanik të vitit 1946. I vendosur aty në mesfushë, përkrah Lalës dhe Duros, me numrin 13 në fanellë fantazisti Ervin Skela do kofirmohej si “laboratori” i përpunimit të topit dhe manvovrës sulmuese . Më 7 qershor 2013 përpara ndeshjes Shqipëri-Norvegji është zhvilluar ceremonia e lamtumirës nga futbolli i ekipit kombëtar i dy lojtarëve të mirënjohur kuqezi Altin Lala dhe Ervin Skela. Shumë përshëndetje , shumë ovacione  dhe nostalgji nga tifozët e shumtë për të  dy legjendat. Pllakatet “Legjenda e futbollit shqiptar” një  vlerësim  shumë  i merituar. Atë ditë në sytë e Ervin Skelës kanë rrëshqitur lotët e nxehtë të  emocioneve. Në mes kësaj gjendje sa prekëse po aq dhe vlerësuese Ervin Skela do të artikulonte  fjalët : “Jam  i nderuar  dhe i vlerësuar për vitet që i kam shërbyer ekipit tim kombëtar ”.
                                             SKEDA  E ERVIN SKELËS
Lindur: Në  Vlorë  , më  17.11 .1976
Karriera si futbollist: 1992-2014 me skuadrat Flamurtari dhe Tirana (Shqipëri), Union-Berlin, Erzqebirge –Aue, Chemnitzer FC, Waldhof-Mannheim, Eintracht Frankfurt, Armina Bilefeld, F.C Kaiserlautern, Energie-Kotbus, Tus- Koblenz dhe F.C Harau 93 (Gjermani ), Askoli (Itali) , Arka-Gdynia (Poloni) dhe ekipi kombëtar i Shqipërisë në vitet 2000-2011.
Poziocioni në skuadër : Mesfushor orgnizator.
Ndeshjet  të zhvilluara dhe gola të realizuar: Gjithsej ka zhvilluar 546 ndeshje dhe ka shënuar 83 gola, ku me ekipin kombëtar ka zhvilluar  76 ndeshje dhe ka shënuar 13 gola.