Niko Gjoni: Sa herë kaloj në qendër ndjej dhimbje për Teatrin Kombëtar!

55
Sigal

Atë ditë u zgjova më herët, pa shkuar ora 5 e mëngjesit. Vura re se televizorin e kisha lënë ndezur. Një natë më parë kisha ndjekur deri vonë lajmet ku më i rëndësishmi ishte vendimi që ishte marrë për prishjen e Teatrit. Si unë dhe shumë artdashës, përveç sigurisht aktorëve e gjithë trupës gjithpërfshirëse të atij institucioni kulturor, ndiheshim të habitur dhe na kish pushtuar dhimbja duke i bërë dhjetra herë pyetje vetes:”Përse duhej vënë dorë në teatrin kombëtar? Për 80 vite radhasi, ulur në sallën e tij pothuajse nga të tre brezat frekuentonin shfaqjet e ndryshme teatrale, tragjedi, komedi, por dhe organizoheshin evente të bukura kulturore, që kishin marrë shtrirje të dukshme nga viti në vit. U fiksova tek ekrani, ndërsa shfaqeshin si ilustrim të lajmit pamjet rrënqethëse të qytetarëve të shumtë në shoqëri me aktorë dhe artistë të zhanreve të shumta. Fytyra të mpira nga dhimbja dhe debate, aty para fadromës që ishte e gatshme ta shëmbte. Ishin mbledhur grupe-grupe qytetarë që të revoltuar demostronin përse duhej shembur teatri. Ndiqja sekuencat dhe gjithë shqetësimin qytetar dhe kujtoja kohën kur për vite

me radhë, deri vonë kalonim përpara Teatrit dhe shikonim në reklama shfaqjet e ditëve të mëpasme që do të jepeshin nga trupa e teatrit kombëtar, takimet kombëtare të trupave teatrale

të rretheve dhe shkëmbimi i eksperiencave të pjesëve teatrale shkruar nga dramaturgët tanë, apo dhe të huaj. Kujtoja se si nga miqtë e mi aktorë kërkoja të më bënin nder për të më

gjetur dy apo tre bileta. Kaloja në kujtesën time bisedat shoqërore me Ahmet Pashën apo Nand Radin…Po si mund të mos të vendosja mbi këtë katrahurë të ditës kujtimet e

mrekullueshme dhe emocionet që ndjenim pasi shikonim në këtë teatër dramat si “Toka jonë”, “Familja e peshkatarit”, ”Doktori pacient”, “Shi në plazh”, “Hamleti, ”Mbreti Lir”,

“Tre mendje në ankand”, etj. Këto shfaqje na mbushnin me frymëzim por dhe ideonin dhe nxisnin dëshirat tona për të qënë më afër kulturës, historisë, problemeve, të bukurës së

përbotshme me gjithë vlerat e saj. Aty shihja dhe shumë police që krijonin kushte e siguri për të prishur këtë tempull të kulturës e qytetarisë. Pse vallë vihet dorë në këtë godinë që

mbart kulturë, dije, kujtime, lidhje miqësore dhe shoqërore, njëmijë fije dëshirash për artin? Kush ishin këta banditë që pa marrë në konsideratë ndjenjën kombëtare po shëmbnin pa u bërë përshtypje asgjë? Pas pak orësh u gjenda dhe unë mes artistëve dhe

qytetarëve. Shtrëngova grushtin, por kundër kujt? I pafuqishëm për të thënë: Ndaloni! Teatri është yni, sepse kemi një pjesë të jetës dhe të qënit të lumtur aty! Por, hedh sytë dhe ndeshem në vështrimet e egra të policëve shumëkush prej të cilëve ndofta nuk kishin parë asnjë pjesë teatrale në atë sallë që zhurmonte nga bisedat miqësore dhe sapo hapej perdja sundonte qetësia për të qënë më afër roleve të artistëve tanë profesionistë, që jepnin shumë nga vetja për të realizuar

role të ndryshme pozitive apo negative, që nxisnin fantazinë e shikuesve artdashës. Një grup të rinjsh vajza e djem të irrituar kërkonin të qëndronin në mbështetje të artistëve të ngujuar.

-Kjo nuk duhej të ndodhte, tha një prej të rejave duke fshirë lotët nga faqet…

-Këta nuk pyesin për asgjë…Rënojnë aty ku duhet të vënë dorë për të patur kushte edhe më të mira…

Sa vite e mbaj mend këtë teatër?

Vinim familjarisht dhe shikonim pjesë teatrale. Ishte një kënaqësi e veçantë, u thotë shokëve Andi. E bisedat mes të rinjve student apo punëtor shkriheshin duke kërkuar përgjigjen e pyetjes: ”Pse e bënë?! A e pyetën këtë popull për këtë hap që hodhën. që po shëmbin pa mëshirë ëndrrat e dëshirat e brezave që ky tempull kulture të mbetet historikisht i paprekur?! Duke patur trup të gjatë dhe fizik të mirë shumë prej policëve me siguri më quanin të policisë dhe më lejonin të hyja para “gardhit” të krijuar prej tyre. Brenda pak minutash një pjesë e mirë e murit të jashtëm të teatrit u shemb nga fadroma, ndërsa policët po nxirrnin nga salla e teatrit aktorë dhe qytetarë, që ishin ngujuar duke u përlasur me policinë e shtetit. Pashë gra dhe burra që hiqeshin zvarrë edhe pse bërtisnin e lotonin duke parë sesi po shëmbej para këmbëve të tyre ai tempull kulture me të cilin kishin lidhur ngushtë dhjetra e dhjetra vite të jetës. Përfitova nga çasti dhe mora një copë mur nga teatri dhe u futa në një nga makinat dhe shkova në shtëpi. E pastrova atë copë teatri nga pluhuri dhe e vendosa si relikë në dhomën e pritjes. Në lajmet e mbasdites shikoja se si makinat mbusheshin me materialet inerte të teatrit dhe largoheshin prej aty drejt Sharrës për të sheshuar gjithçka nga themelet e teatrit. Kujtova Murin e Berlinit, i cili për shumë kohë ndau

Gjermaninë në Lindore dhe Perëndimore. Edhe atëhere shumë gjermanë morën nga një copë muri dhe e çuan në shtëpitë e tyre me zemër të copëtuar. Në atë mur mbetën të

vrarë nga ushtria e Gjermanisë Lindore komuniste shumë zemra…Nga ndarja e përçarja nuk ka asnjëherë mirësi e paqe në shpirt. Por, shëmbja e teatrit tonë më solli lotin e hidhur,

ndërsa fadroma godiste muret si një përbindësh me gojë të madhe që hapet e gllabëron dëshira, kujtime, kulturë, dashuri. Shikoja fadromistin, që vepronte dhe qeshte ardhur nga

fshatrat e largët dhe shpërfillte dhimbjen e aktorëve më me zë të kombit, që kishin luajtur dhjetra personazhe nga veprat klasike dhe ato shqiptare. Kujtoja në role Yllka Mujon,  Raimonda Bulku, të madhen Margarita Xhepa e krah saj Tinka Kurti, Kadri Roshi, Anton Qesari…Akoma më

tingëllonte në vesh zëri kumbues i Naim Frashërit, Drita Pelingu, Sandër Prosi, Loro Kovaçi, Prokop Mima, Piro Mani e Pavlina Mani, Violeta Manushi, Anastas Kristofori, Bujar

Asqeriu, Ndriçim Xhepa, e shumë e shumë të tjerë! Ata me rolet e tyre kishin dhënë shumë dashuri për jetën dhe kishin marrë si shpërblim mirënjohjen dhe respektin e artdashësve

të të gjithë grupmoshave. Ata aktorë e kollosë ishin pjesë e atij teatri, të asaj skene, të cilës iu përkushtuan gjithë jetën dhe ky fadrom me një urdhër nga lart shëmb gjithë kujtimet

e një histori të gjatë e të dashur të kulturës. Sa duartrokitje oshëtijnë ende prej aty sa herë që mbyllej sëpari perdja…Sa mbresa, sa emocione pozitive dhe shkëmbime mendimesh rreth artit dhe rolit të artistëve realizoheshin në takime mes artistëve dhe të ftuarve. Sa

festivale teatrale…sa përvjetore, sepse janë 80 vjet teatër. Një pasuri e vërtetë kombëtare.

Kjo goditje erdhi në një kohë të turbullt kur Covit 19-t merrte jetë njerëzish të pafajshëm. Shëmbja e teatrit shtoi dhimbje qytetare, shtoi ankthin e tmerrin. Pse?!Artin e

lidhur me shpirtin e kanë artistët e vërtetë dhe jo pseudoartistët mediokër, që fshihen pas klaneve politike. Në atë sallë njerëzit në ato vite diktature harronin hallet, gjenin qetësi shpirtërore dhe kënaqësi. Harronin qoftë dhe për dy orë varfërinë, padrejtësitë dhe shqetësimet e

ndryshme.

Pse?! Pse u shemb teatri?!

Koha do të gjykojë dhe nuk do ta fal këtë mëkat që kini bërë dhe atëhere ndofta do ta kuptoni se historisë dhe tempujve të kulturës nuk duhet t’i prekni asnjë orë, asnjë çast. Ato janë trashëgimi kulturore e vendit. Aty ndodh të kalojnë teneqexhi që u bien teneqeve duke marrë poste

drejtuese dhe në institucione kulturore…Sot kemi shumë karrocierë dhe teneqexhi në shumë zyra deri tek shkallët më të larta që u ngjiten atyre për karierë, interesa të ngushta vetiake, duke harruar traditën, historinë, ato pa të cilat çdo gjë venitet.