Rushan Dosti: Mina Binxho, emër i njohur i mësuesisë beratase, mbi 40 vjet në shërbim të arsimit

55
Sigal

Kur ai ishte vetëm 6 – muajsh, më 29 qershor të vitit 1943, fshati Sinjë u dogj e u shkrumbua nga Italia Fashiste. Familja e Josif Binxhos mbeti pa strehë në qiell të hapur dhe në kushte ekonomike të një varfërie ekstreme. Me pak qumësht dhe me një dorë lakra të ziera u mbajtën gjallë frymët e shumë familjeve sinjare. Në kushte të tilla u rrit edhe Minaj, i cili kujton se që në moshën 5 vjeçare, shfaqi dëshirën e pasionin e tij për të shkruar duke dhënë provën e parë me emrin e tij.

Nuk e di përse figura e mësuesit është ngjizuar kaq thellë brenda meje. Ndoshta për faktin që vetë e kam filluar rrugën e jetës si mësues, apo sepse mësuesit janë dhe mbeten udhërrëfyes të njerëzimit!? Ndoshta qëndrojnë të dyja, por një gjë është e vërtetë në këtë shoqëri të trazuar, që mësuesit me punën dhe përkushtimin e tyre kanë krijuar një muze të tyre, ende të pavizituar nga korpusi i madh i njerëzve të diturisë. Në të gjithë rrugëtimin e personaliteteve të fushave të ndryshme, një nga korsitë dhe punët më të respektuara, dhe njëherësh nga më të vështirat, ka qënë dhe mbetet puna e mësuesit. Mësimdhënësit në çdo epokë të zhvillimit shoqëror kanë mbajtur ndezur semaforin e së ardhmes, dritën e ardhmërisë, pavarësisht kushteve në ë cilat ata kanë shërbyer e punuar. Nëse mund të skicohen, portretizohen, pse jo të mos krijohen statuja, heronjtë e vërtetë dhe real të një shoqërie të civilizuar janë mësuesit. Personalisht pëlqej dhe dëshiroj të njoh dhe portretizoj, gjithmonë sipas ndjesisë sime, sa më shumë mësues të kohës së djeshme dhe njëherësh t’i përball me kohën e mësuesve të sotëm. Ka shumë emra mësuesish, që kanë kontribuar shumë, por që për shkak të thjeshtësisë, apo largësisë ku kanë shërbyer, kanë mbetur hije të vetevetes, edhe pse kanë meritur e meritojnë një vend nderi në plejadën e arsimit shqiptar. Figura dhe emra mësuesish, të cilët nëse sot do të ishin në krye të mësimdhënies, do të kushtonin vërtetë shtrenjtë, sepse mësimdhënia për ta ka qënë dhe mbetet profesioni dhe misioni më i çmuar, më i dobishëm për bashkësinë dhe ka ndikim të madh për lumturinë e përbashkët. Një figurë, ndoshta e mbetur në “hije”, por që ka shkëlqyer si diell për mbi 40 vjet në arsimin beratas dhe atë shqiptar, padyshim është mësuesi Mina Binxho….

Po kush është mësuesi sinjar Mina Binxho?

Sinja, përveçse njihet si një krahinë patriotike dhe ballkon i trimërisë shpiragase, ka nxjerrë emra dhe figura të njohura të arsimit beratas, të cilët nëse grumbullohen, meritojnë një muze arsimor më vete. Një ndër ta është mësuesi veteran Mina Binxho. Mina Binxho u lind në fshatin Sinjë të Beratit më 11 Nëntor të vitit 1942, nga dy prindër të nderuar Josifi dhe Thimija. Natyrisht, që fëmijëria e tij ka qënë shumë e vështirë dhe kjo sipas vetë 83 vjeçarit, ka përbërë shkollën e parë të jetës së tij. Kur ai ishte vetëm 6 – muajsh, më 29 qershor të vitit 1943, fshati Sinjë u dogj e u shkrumbua nga Italia Fashiste. Familja e Josif Binxhos mbeti pa strehë në qiell të hapur dhe në kushte ekonomike të një vrafërie ekstreme. Me pak qumësht dhe me një dorë lakra të ziera u mbajtën gjallë frymët e shumë familjeve sinjare. Në kushte të tilla u rrit edhe Minaj, i cili kujton se që në moshën 5 vjeçare, shfaqi dëshirën e pasionin e tij për të shkruar duke dhënë provën e parë me emrin e tij. Duke parë aftësitë dhe dëshirën e tij për dije e arsim, prindërit e regjistruan në shkollë në moshën 6 vjeçare. Shkollën fillore e kreu në shkollën e fshatit, e cila ishte haur qysh në viti 1909. Minai kujton klasën e parë, të cilën e ka nisur me bashkëmoshatarin e tij Sotiraq Shyti, me të cilin shkruanin me një laps e me një fletore. Ato që shkruanin i fshihnin përsëri dhe rishkuanin fjalë të tjera shqip. Në Sinjë kreu tre klasë fillore, ndërkohë që klasën e katërt fillore dhe shkollën 7 vjeçare i kreu në shkollën “22 Tetori” në qytetin e Beratit, duke e mbyllur ciklin shkollor në vitin 1956. Më pas, pa ndërprerje vazhdoi shkollën e Mesme Pedagogjike “Babë Dudë Karbunara” në Berat, një nga shkollat më të njohura për mësuesi në Berat dhe më gjerë.  Arsimin pedagogjik e përfundoi në vitin 1960 duke plotësuar kështu jo vetëm një ëndërr të tijën, por edhe një dëshirë të kahershme të prindërve të tij. Por njerëz si Mina Binxho, nuk mund ta linin pasionin e tyre të shuhej e të zverdhej në kornizën e një diplome të shkollës së mesme aq më shumë që mësuesia për të ishte shndërruar në një mision. E kishte ëndërruar të qënurit mësues dhe tashmë ishte radha e tij të luftonte për ta bërë ëndrrën realitet. Vijoi rrugën e dijes duke mbaruar fillimisht arsimin e lartë në Institutin Dyvjeçar në Tiranë dhe në vitin 1966 e përmbylli me diplomimin në Universitetin e Tiranës në Degën Biologji – Kimi. Më parë kishte kryer shërbimin ushtarak në regjimentin “Qemal Stafa” të Tiranës. Tashmë, rruga e tij si mësimdhënës nuk kishte asnjë pengesë…

Mbi 40 vjet mësues dhe drejtues shkolle

Misionin e tij si mësimdhënës e kishte nisur që në vitin 1960 si mësues i ciklit të ulët në shkollën fillore të Sinjës dhe më pas, 1961 – 1962, shërbeu në disa fshatra ku u hapën për herë të parë shkollat fillore. Për shkak të performancës dhe staturës së tij si mësimdhënës, ai do të vlerësohej si një figurë drejtuese në shkollë. Në vitin 1968, Mina Binxho do të bëhej figurë e njohur si drejtor shkolle në fshatin Allambrez në zonën e Kutallisë. Pas një pune të sukseshme si mësues dhe drejtues, në vitin 1970 rikthehet në fshatin Sinjë, jo si mësues, por si drejtor shkolle dhe inspektor arsimi për zonën, detyrë të cilën e kryen deri në vitin 1975.  Në vitin 1976 në Sinjë hapet për herë të parë Shkolla e Mesme Bujqësore “Jani Dodi”, e cila përgatiste kuadro të mesme për bujqësinë në profesionin e agronomit. Drejtues i kësaj shkolle u zgjodh Mina Binxho. Po në këtë shkollë, në vitin 1987 u hap profili gjimnaz në Sinjë, i cili vijon të funksionojë edhe sot e kësaj dite, kur Mina Binxho “shijon” ditët e vështira të moshës së tretë. Nga kjo histori dhimbjeje, Minai kujton vitin 2022, kur u përkujtua 35 vjetori i krijimit të kësaj shkolle dhe ai ishte i ftuar i nderit nga Kryetari i Bashkisë së Beratit, si drejtues i parë i kësaj shkolle.

“Ruaj shumë kujtime dhe dashuri për mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle dhe të gjithë zonës ku veçoj kolegët Kudret Selami dhe Zoi Strori në Osmënzezë, të cilët kanë qënë edhe inspirues të punës sime. Kjo shkollë në rrëzë të Shkëmbit të Shpiragut, do të mbetet e gjallë në kujtesën time, sepse ajo ka qënë pjesa më e rëndësishme e jetës sime”, – thotë me mall 83 vjeçari Mina Binxho. Në krahun tjetër vinë vlerësimet e kolegëve për mësuesin profesionist të Bio – Kimisë, Mina Binxho. Kudret Selamaj e vlerëson si një “njeri të dashur me të gjithë dhe mësues të palodhur për lëndën e tij”, ndërsa Zoi Strori, ish drejtues shkolle e kujton Mina Binxhon si “Profesionist dhe misionar në mësimdhënie, kërkues dhe të palodhur”. Nën drejtimin e Mina Binxhos, shkolla e mesme “Jani Dodi” në Sinjë fitoi një përvojë kombëtare dhe në vitin 1972 dhe 1986 nën drejtimin profesional të tij u organizuan dy seminare kombëtare për lëndën Biologji -Kimi. Nga kjo shkollë kanë dalë shumë kuadro të lartë si agronomë, veterinerë, inxhinierë etj. Mund të përmendim dhe dy emra të njohur pedagogësh në arsimin e lartë, që kanë dalë nga bankat e kësaj shkolle, siç janë inxhinieri Nikollaq Shyti dhe pedagogia Valentina Sinaj. Për kontributin e tij në mësimdhënie, Mina Binxho është vlerësuar me medalje të ndryshme për shërbime të shquara në fushën e arsimit profesional, me çertifikata e mesazhe mirënjohje nga institucione vendore e qëdrore të arsimit. Përveç kontributit si mësimdhënës në Bio – Kimi, Mina Binxho është shfaqur herë pas here si korespodent i Gazetës “Mësuesi”, ku ka shpalosur mendimet e tij profesionale për metodologjinë dhe didaktikën në arsim, veçanërisht për pasurimin e bazës materiale dhe laboratorike në lëndët Biologji – Kimi.  Kontribut për arsimin ka dhënë në pasurimin e muzeut të Sinjës dhe në faqet e Gazetës “Shpiragu” ku ai është anëtar i Shoqatës Patriotike – Kulturore “Shpiragu”.  Mina Binxho prej 48 vitesh është një familjar, prind dhe gjysh shembullor. Ai ka lidhur jetën me një ekonomiste, bijë nga fshati Sinjë, Olimbi Paskun, me të cilën ka lindur, rritur, edukuar dhe arsimuar katër fëmijë, të gjithë me arsim të lartë.