Përparim Daiu: Do kemi një garë të fortë, janë shtuar skuadrat e elitës 

62
Sigal

KATEGORIA E PARË/ Ish-mbrojtësi dhe trajneri kavajas, Përparim Daiu, kërkon kujdes nga Besa e sezonit të ri

Agron KAJA

Agron Kaja

Ish-mbrojtësi dhe kapiteni i Besës, Përparim Daiu, e quan normale kohën përgatitore për sezonin e ri 2025-2026, për deri sa skuadrat ende nuk i kanë nisur përgatitjet. Në bisedën me gazetën “Telegraf” dje, ai u shpreh se nuk ndjehet mirë jo vetëm ai, por edhe i gjithë komuniteti i futbollit kavajas së bashku me tifozët, që skuadra e tyre ka më shumë se dhjetë sezone që luan në Kategorinë e Parë. “Kur flas për Besën në Kategorinë e Parë, është gjithmonë një ndjenjë e brëndshme që skuadra nuk është mirë. Kontributi në vite, pasioni dhe profesioni na detyron të gjithëve të ndjehemi të keqardhur, e njëherësh të kërkojmë ringritjen. Më vjen keq që më shumë se 10 vite Besa luan në Kategorinë e Parë dhe këtu keqardhja mbetet legjitime për ne, për tifozët kavajas, veteranët e futbollit në qytetin tonë dhe gjithë sportdashësve që Besën e duan në elitën e futbollit shqiptar”, kështu e nisi dje bisedën ish-mbrojtësi dhe trajneri kavajas, i cili tregoi edhe se çfarë duhet të ndryshojë kjo skuadër në këtë fillimsezoni që të arrijë objektivin e dekadës, ngjitjen në Superiore. “Se cila është skuadra aktuale në krahasim me atë të sezonit të kaluar, unë më shumë jam informuar mediatikisht, si dhe me takime mes ish-kolegëve këtu në Kavajë. Duke patur më pak kontakte reale nga klubi, një pjesëe mirë e lojtarëve janë larguar, si Goxhaj e Nonato, dhe besoj se mund të ketë të tjera largime. Edhe planet e këtij sezoni ende nuk dihen, përderi sa nuk e dimë se çfarë përforcimesh kanë. Ndaj është e vështirë ta gjesh Besën mes këtyre pak njohurive. Jo vetëm këtu në Kavajë, por në gjithë opinionin sportiv në Shqipëri, ende janë në pritje të një deklarate zyrtare nga klubi i Besës. Mendoj se është në kohë, sepse janë edhe dy muaj kohë përgatitje, por zyrtarisht duhej të tregoheshin punët me merkaton dhe formatimin e ekipit të sezonit të ri”. Por Mjeshtri Daiu ka edhe mendimin e tij se si duhet të jetë skuadra, që sipas tij, do jetë nën “pushtetin” e filozofisë së trajnerit Çela. “Besa e sezonit të ri mendoj se do të ndryshojë nga idetë e trajnerit Çela, për ata që ai i kërkon ti përshtasë me filozofinë e tij. Por në këtë sezon duhen lojtarë cilësorë, pse jo edhe më lart se ai i sezonit të kaluar, nëse do kërkohet ngjitja reale në Superiore. Sepse në këtë sezon të ri, Kategorinë e Parë unë e mendoj të jetë më e fortë, edhe për faktin se janë shtuar skuadrat me përvojë, ku disa prej tyre kanë dalë edhe kampione në Superiore”, ishte kjo biseda me Përparim Daiun, ish-mbrojtësin dhe trajnerin e Besës, sot një specialist futbolli.

LEGJIONARËT

Adrian Ismajli në “kthetrat” e merkatos, kërkohet nga tre skuadra

Në këtë periudhë të nxehtë të verës dhe pa futboll zyrtar në Itali, një pjesë e futbollistëve shqiptarë që luajnë në Serie A janë në “kthetrat” e merkatos. Kështu edhe për mbrojtësin e Kombëtares Adrian Ismajli, pasi katër skuadra të Serisë A janë gati për firmën. Këtë herë, vetë Ardian Ismajli do të ketë luksin të zgjedhë mes projektesh të ndryshme në futbollin italian pas dy javësh, kur mbyllet zyrtarisht kontrata e tij me klubin e Empolit. Ai nuk ka rinovuar me skuadrën që ka rënë në Serinë B dhe do të jetë lojtar i lirë, për të zgjedhur ekipin që do për të vazhduar karrierën dhe ofertat nga Italia dhe jashtë saj nuk kanë munguar. Kërkesat e para kanë ardhur nga klubet e Serisë A, të cilët janë treguar të gatshëm të ndërhyjnë për të siguruar firmën e tij. Mediat italiane janë të vendosura teksa zbulojnë se Ismajli ka një akord paraprak me Lacion. Por kjo nuk është skuadra e vetme, pasi është bërë e ditur se e kërkojnë Parma, Verona dhe Kremoneze, të cilat janë të gatshme t’i besojnë një rol titullari në skuadrat e tyre.

Interi e mendon Asllanin  si kompesim për mesfushorin e Atalantës

Edhe pse është duke marrë pjesë në Botërorin e Klubeve në USA, Kristjan Asllani ka mbetur në “rrjetën” e merkatos te Interi. Sepse skuadra zikaltër është futur fuqishëm në garë për të përforcuar mesfushën, dhe objektivi kryesor në këtë merkato verore është braziliani i Atalantës, Ederson. Klubi nga Bergamo vlerëson kartonin e tij në rreth 60 milionë euro, por “Corriere dello Sport” raporton se zikaltrit janë të gatshëm të përfshijnë edhe Kristjan Asllanin në një marrëveshje shkëmbimi për të ulur koston. Kështu që, duke parë planet për të sjellë Edersonin dhe interesimin në rritje nga ekipe si Bolonja, Lacio dhe Uest Hem, largimi i Asllanit mund të bëhet realitet. Por duke qënë se Interi është duke marrë pjesë në Botërorin e Klubeve, dhe vetëm pas këtij eventi priten lëvizjet kryesore në merkato. Deri atëherë, çështja Asllani do të mbetet pezull, sepse për momentin gjithçka është e hapur. E vetmja gjë e sigurt është se Interi po ndryshon, dhe në këtë ndryshim edhe pozicioni i Asllanit.

Iliria në aktivitet, punime në stadium dhe hyrje-dalje lojtarësh

Tek Iliria e kanë marrë seriozisht rikthimin në Kategorinë e Parë, një rikthim, i cili vjen pas 5 vitesh për fushëkrujasit. Dhe sot, ajo duket si një kantier i hapur, pasi presidenti Nazmi Selmani po investon edhe në përmirësimin e kushteve të stadiumit “Redi Maloku”. Krahas punës për përmirësimin e infrastrukturës, tek Iliria ka edhe hyrje-dalje lojtarësh dhe rinovime kontratash. Sa u përket largimeve. I fundit ishte shkodrani Vildan Kaçubela, i cili nuk ka rinovuar kontratën për sezonin e ri në Kategorinë e Parë.

Zgjerohet eksodi te Besa, largohen dy titullarë

Në këtë periudhë që Besa po bëhet gati për përgatitjet e sezonit të ri, largimet kanë qënë të shpeshta. Dhe dy të fundit janë mesfushori me tipare sulmuese, Andri Stafa, si dhe portieri Jurgen Mehidri. Nga sezoni i kaluar, vetëm 8 futbollistë janë nën kontratë me verdhezinjtë, kështu që “eksodi” parashikohet të vazhdojë.

Por edhe pse me këto largime të shumta gjatë kësaj periudhe te Besa, drejtuesit ia kanë besuar sërish ekipin dyshes së trajnerëve Emiljano Çela dhe Bekim Kuli. Ky është sezoni i 12-të radhazi në Kategorinë e Parë për Besën, e cila këtë vit ka deklaruar se do bëjë një “revolucion” në skuadër për t’u ngjitur në Superiore.