Perlat Musta: Ndeshjet e para në Europë, konsolidim për turin e dytë

62
Sigal

INTERVISTA/ “Legjenda” e Partizanit dhe Kombëtares, Perlat Musta, i mendon të favorizuara skuadrat tona në Europë

Agron KAJA

Agron Kaja

Pas shortit të Europës, duket sikur fokusi i lajmit mbetet te katër skuadrat tona, pse ndodh kështu?

Është një situatë normale, sepse ky është momenti më i afërt dhe kështu që me këto do merren. Përqëndrimi kryesor mbeten katër skuadrat e Superiores që do luajnë në Europë, por edhe skuadrat e tjera kanë bërë lëvizjet e tyre në këtë periudhë.

Cilat janë lëvizjet e këtyre skuadrave, pasi i mësuan kundërshtarët në Europë?

Të gjitha këto skuadra kanë kohë që janë në përgatitje. Madje kanë bërë edhe merkato, që do të thotë se me lëvizjet e tyre e kanë vlerësuar pjesëmarrjen në Europë. Ndërsa për efektshmërinë e tyre do flasin vetë ndeshjet që do luajnë.

Dinamo e nis me fat pasi kalon direkt në turin e dytë, është ky një plus për vazhdimësinë e saj?

Dinamo është me fat, sepse është formula e tillë. Problem është nëse kalon një tur, sepse në turin tjetër duhen edhe financa të larta, sepse kalimi i çdo turi i rrit ato. Edhe përbërja cilësore, me lojtarë me karakter, të aftë me synim kualifikimin.

Sa rëndësi do kenë takimet e para në fushën tonë dhe në atë kundërshtare?

Unë mendoj se ka ikur kjo “fusha ime-fusha jote”. Dikur flitej kur ishte ajo epërsia e golit në fushën kundërshtare, ndërsa sot nuk ka vlerë. Rëndësi ka që skuadrat tona të kenë mobilizimin e duhur në të dyja ndeshjet, sepse janë profesionistë.

Nisur nga shorti, ju cilat nga skuadrat tona i mendoni se do e kalojnë turin e parë eliminator?

Mund të them se tre ekipet tona janë të favorizuara për kalimin e turit të parë. Egnatia në Ligën e Kampioneve, Partizani dhe Vllaznia në Ligën e Konferencës, do jenë favoritë për kualifikim. Kanë kundërshtarë me emra të panjohur në Europë.

Do jenë ndeshjet në Europë edhe një bazë e mirë për rritjen e financave dhe organizim për sezonin e ri?

Në fakt, në këtë periudhë të gjitha skuadrat mendojnë për përgatitjet e tyre në turin e parë në Europë. Sepse pas tyre mund të ketë edhe ndryshime të tjera, duke ditur që merkato mbyllet në fundin e muajit gusht.

Skuadrat e Superiores kanë hyrë në hapësirën përgatitore dhe të merkatos, ju çfarë veçoni më shumë?

Aktualisht, të gjitha skuadrat janë në fazën e seleksionimit të tyre, ndërsa muaji korrik do jetë vendimtar për organizimin e konsolidimin e tyre me emra të rinj. Natyrisht që merkato do jetë baza e këtyre përgatitjeve, por edhe e financave të sigurta.

Mendoni se ky sezoni i ri do jetë më rival nga i kaluari, kryesisht me skemën “Final 4”?

Unë mendoj se kjo skemë e humbet paksa vlerën e garës, kryesisht për katër skuadrat e para. Duke ju referuar sezonit të kaluar, me skemën “Final 4” humbi ndjesia e garës në dy fazat e fundit. Për pasojë, edhe interesi i tifozerisë u zbeh.

Referuar vetëm hapësirës së merkatos, çfarë u sugjeroni skuadrave të Superiores në këtë periudhë?

Çdo gjë bëhet në bazën e programeve të tyre, e nisur kryesisht nga financat. Të gjithë drejtuesit, trajnerët dhe lojtarët të jenë të gatshëm për përgatitje në nivelet e Suuperiores. Ana ekonomike e bën skuadrën në vlerën e lojtarëve, por ka edhe faktorë të tjerë.

FSHF-ja përcaktoi nisjet dhe përfundimet e kampionateve

Nuk ka vonuar shumë FSHF-ja këtë fundjavë, pasi ka publikuar startet dhe mbylljet vjetore të garës, ku në aktivitet do jenë 20 nivele për meshkuj e femra. Vëmendje tërheq Abissnet Superiore që do të nisë më 23 gusht 2025 dhe do mbyllet më 24 maj 2026. Ndërsa Kategoria e Parë është programuar të nisë si Superiorja në të njëjtën datë, por do të mbyllet më 2 maj 2026. Kupa e Shqipërisë do ta nisë edicionin më 1 tetor 2025 dhe do ta mbyllë me finalen më 13 maj 2026, ndërsa Superkupa e Shqipërisë do të luhet më 28 dhjetor 2025.

Liga e Kampioneve

Ndeshja e parë

Datë 8 korrik 2025

Egnatia-Breidablik                  19:00

Ndeshja e kthimit

Datë 15 korrik 2025

Breidablik-Egnatia                  19:00

Liga e Konferencës

Ndeshjet e para

Datë 10 korrik 2025

Kalju-Partizani                        19:00

Vllaznia-Daugavpils               19:00

Ndeshjet e kthimit

Datë 17 korrik 2025

Daugavpils-Vllaznia               19:00

Partizani-Kalju                        19:00

Disa bankina me trajnerë në letër, Flamurtari kryeson

Duke ju referuar vetëm skuadrave që nuk do të luajnë në Europë këtë sezon, ka ende prej tyre që nuk kanë të përcaktuar trajnerin, ka të tjera edhe lojtarët. Kështu, në Vlorë kanë udhëtuar jashtë dhe brënda tregut të trajningut, por asgjë konkrete. Vetëm fjalë, e po kështu Tirana pas largimit të Bledi Shkëmbit. Pretendimet nuk ecin paralel me punën përgatitore që duhet të kishte nisur te Flamurtari debutues në Superiore. Dhe po kështu te Tirana e ndonjë skuadër tjetër, të cilave në këtë periudhë duket se po ju shpëtojnë lojtarë që janë në merkato. Vonesa këto që ndoshta do ti vuajnë gjatë garës, e cila në tërësinë e saj ka mbi 40 ndeshje zyrtare (Kampionat-Kupë-Superkupë), pa përjashtuar ato miqësore që luhen gjatë sezonit.

Nga Tirana, Shkëmbi “rrokulliset” në Strugë!

Pasi Bledi Shkëmbi e mbylli bashkëpunimin me Tiranën, ai vetëm 24 orë më pas ka nënshkruar me Strugën në kampionatin maqedonas. Këtë lajm e mësuam nga vetë ai që e ka arritur akordin me Strugën, dhe zyrtarizimi është vetëm çështje kohe. Ndihmës i Shkëmbit do të jetë Sabien Lilaj, teksa ai do të jetë pasues i Ilço Gjorgjioski te Struga, i cili u largua pas përfundimit të sezonit, ku skuadra u rendit në vëndin e katërt.

Gjasula në pritje te Dinamo, e vonon largimi nga Esen

Mesfushori shkatërrues Klaus Gjasula, që ka luajtur edhe për Kombëtaren, është menduar të jetë goditja e bujshme e dinamovitëve, të cilët prej ditësh kanë nisur punën për prezantimin në Ligën e Konferencës. Por që ai të vihet nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja, duhet të ndërpresë marrëveshjen me klubin gjerman Rot-Vais Esen në Ligën e Tretë, dhe më pas të bashkohet me Dinamon për sezonin 2025-2026. Kjo lëvizje duhet të zgjidhet nga vetë ai, që të mos ketë pengesa për t’u bërë pjesë e Dinamos. Edhe pse lajmi është bërë i ditur prej 10 ditësh, ende Gjasula nuk është bashkuar me Dinamon, pasi edhe kontrata në Gjermani me klubin e Rot-Vais Esen në Ligën e Tretë i përfundon në verën e 2026-ës. Dinamo mbetet në pritje.