FSHF “krip” përsëri biletat e Kombëtares, çmimet shumë të larta

754
Dje dolën në treg biletat për ndeshjen e radhës të Kombëtares për Euro 2016, ndeshje që e luan me Armeninë dhe që do të luhet në “Elbasan Arena” më 29 mars. Shpërndarja dhe çmimet e vendosura janë pothuaj të njëjta me ndeshjen ndaj Danimarkës, ku bileta më e lirë është 1000 lekë, ndërsa më e shtrenjta është 10.000 lekë. Këto çmime të vendosura kanë shfaqur përsëri polemika tek të interesuarit që e gjejnë çmimin të kripur, duke përsëritur në një farë mase të njëjtën situatë si me Danimarkën. Në fakt ka edhe çmime të alternuara, duke parë që çdo gjë fillon nga 1000 lekë, por tribunat B2, B3, B4, A1, A4 janë të paprekshme për një pjesë të mirë të personave që do duan të jenë prezent në stadiumin “Elbasan Arena”. Nga mënyra e shitjes, si asnjëherë më parë është vënë në ndihmë të të interesuarve edhe shitja on-line e biletave, duke ndihmuar kështu personat që janë të interesuar por që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë. Si gjithmonë, në deklaratën e vet, FSHF bën të ditur duhet të kihet kujdes në blerjen e biletave, duke i marrë ato vetëm në pikat e autorizuara, pranë stadiumit “Elbasan Arena” në qytetin e Elbasanit dhe në Tiranë pranë stadiumit “Qemal Stafa”.
Sigal

Çmimet e biletave për këtë ndeshje janë si më poshtë:

Tribunat C2, G2 1.000 lekë

Tribunat C1, C3, G1 1.500 lekë

Tribunat D, F 2.000 lekë

Tribuna E 3.000 lekë

Tribunat B1, B5 6.000 lekë

Tribunat B2, B4, A1, A4 8.000 lekë

Tribuna B3 10.000 lekë