Ditën e enjte, rrugëtimi europian i skuadrave shqiptare të futbollit u nda në dy drejtime: Egnatia e cila vazhdon ndeshjet në grupe të UEFA Konferencë Ligë, si dhe Dinamo City që e mbylli në Qipro aventurën europiane 2026-2027. Skuadra e Egnatias mbetet skuadra e vetme shqiptare që do vazhdojë rrugëtimin europian, duke qënë pjesë në grupet e Konferencë Ligë, e cila dje në mesditë u njoh me kundërshtarët e radhës në Konferencë Ligë. Pra, të treja nivelet europiane kaluan këtë vit nën këmbët e skuadrës rrogozhinase. Sepse si kampione e Shqipërisë në sezonin e kaluar 2025-2026, e nisi në ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampioneve, zbriti në UEFA Europa Ligë, e tashmë mbetet në Ligën e Konferencës në fazën e grupeve, ndeshjet e të cilit do ti luajë në datat 15 tetor, 22 tetor, 5 nëntor, 26 nëntor, 10 dhjetor dhe 17 dhjetor. Dhe dje në Monako të Francës, shorti e vuri Egnatian përballë skuadrave Midtjylland, Braga, Lincoln Red Imps, Universitatea Craiova, Kauno Zhalgiris, Aarhus. Do jenë gjashtë ndeshje në total, ku datat janë të përcaktuara ndërsa oraret ditën e hënë. Egnatia deri tani ka siguruar grupet e Ligës së Konferencës dhe saktësisht 3,17 milionë euro nga UEFA. Kualifikimi ndaj Lillestrom vlente edhe 1,14 milionë euro të tjera, dhe shifra e përfitimeve nga UEFA do të shkonte në 4,31 milionë euro. Por tashmë, Egnatia ka siguruar përfundimisht 3,17 milionë euro nga UEFA për fazën kualifikuese, duke shpresuar të shkojë sa më gjatë në grupet e Konferencë Ligë.
Ndërsa Dinamo u “shkreh” në shtesa ndaj qipriotëve, madje me një arbitër që e favorizoi haptazi skuadrën vëndase. Pas barazimit 2-2 u kalua në 2X15 minuta, aty ky Pafos shënoi edhe dy gola të tjerë e duke e çuar rezultatin në 4-2, për t’ia ndalur ëndrrën europiane që tregoi në të gjitha ndeshjet e luajtura në Konferencë Ligë. Saktësisht, Dinamo luajti 8 ndeshje, në të cilat arriti 3 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje, me golavarazhin 15:9. Para ndeshjes në transfertë me Pafos të Qipros, skuadra e Dinamo City kishte siguruar 1,45 milionë euro. Ndeshja në Qipro ndërkohë do të bëhej më fitimprurësja në histori, pasi vlente 1,72 milionë euro. Nëse Dinamo do fitonte, atëherë shuma e përfituar gjatë gjithë kualifikueseve të Europës do të rritej nga 1,45 milionë-në 3,17 milionë euro.
Shancet e kualifikimit të Egnatias, të hapura
Ky është edicioni i tretë që aplikohet si format në Ligën e Konferencës, dhe me llogari të thjeshta, Egnatia mund të kalojë më tej. Kjo sepse nga 36 skuadra, vetëm 12 eliminohen direkt. 8 ekipe do të vazhdojnë më tej, ndërsa 16 të tjera do të luajnë në “play off”. Në sezonin e kaluar, kujtohet se vendi i 24-të kishte 7 pikë dhe me golavarazh -3, por kaloi më tej. Po kështu, u nevojitën 7 pikë, ndërsa golavarazhi ishte -2 që vendi i 24-të të luante në “play off”. Shancet për kalimin më tej janë të hapura.
LEGJIONARËT
Jep dorëheqien trajneri i Ernest Muçit

Trajneri i Trabzonspor, Fatih Teke dha dorëheqjen dje, pasi skuadra turke pësoi një humbje 4-0 ndaj Ferencvarosh, dhe u eliminua nga raundi play-off të Ligës së Europës, vetëm katër ndeshje pasi ylli egjiptian Mohamed Salah iu bashkua klubit. Ai e quajti natë të trishtuar dhe u largua, ndërkohë që vetë klubi ka konfirmuar se Fatih Teke ka vendosur të japë dorëheqjen për shkak të intensitetit emocional të shkaktuar nga humbja pas ndeshjes. Kështu, Ernest Muçi mbetet pa trajner!
Merr fund “telenovela” e transferimit, Kristian Asllani te Al-Jazira

Më në fund, Kristjan Asllani do të largohet nga Interi. Marrëveshja me Al-Jazira parashikon një huazim prej 2 mln euro dhe të drejtë blerjeje prej 5 milionë euroh, e cila mund të kthehet në detyrim. Në Milano ai mbërriti në vitin 2022 nga Empoli, dhe ishte konsideruar si pasuesi i turkut Calhanoglut në rolin e organizatorit. Por nuk arriti të bëhej titullar i rregullt në tri sezone me Interin, ku luajti 99 ndeshje dhe fitoi një titull të Serisë A, një Kupë Italie dhe dy Superkupa. Pas huazimeve te Torino dhe Beshiktash sezonin e kaluar, Asllani do të kalojë në Emiratet Arabe, dhe kartoni i tij llogaritet me vlerë rreth 2.4 milionë euro. Nëse Al-Jazira paguan edhe 5 milionë eurot e blerjes, Interi mund të regjistrojë një plusvalencë prej rreth 2.6 milionë eurosh, pa llogaritur 2 milionë eurot e huazimit.

EGNATIA NË EUROPË
SEZONI 2026-2027
LIGA E KAMPIONEVE
Turi i parë eliminator
E mërkurë, 8 korrik 2026
Petrokub (Mda)-Egnatia 1-1
E mërkurë, 15 korrik 2026
Egnatia-Petrokub (Mda) 6-1
Turi i dytë eliminator
E mërkurë, 22 korrik 2026
Egnatia-Celje (Sllo) 3-3
E martë, 28 korrik 2026
Celje (Sllo)-Egnatia 2-2
Egnatia eliminohet me penallti
UEFA EUROPA LIGË
Faza Play-off
E enjte, 20 gusht 2026
Egnatia-Lillestrom (Nor) 0-0
E enjte, 27 gusht 2026
Lillestrom (Nor)-Egnatia 2-1
Egnatia vazhdon në grupet
e Konferencë Ligë
KONFERENCË LIGË
Ndeshjet do luhen në datat:
15 e 22 tetor, 5 e 26 nëntor,
10 dhe 17 dhjetor 2026
NDESHJET JO SIPAS RADHËS
Egnatia-Midtjilland (Den)
Braga (Por)-Egnatia
Egnatia-Linkoln R I (Gji)
Universitatea (Rou)-Egnatia
Egnatia-Kauno Zhalgris(Lit)
Aarhus (Den)-Egnatia
Përfitimet nga UEFA, Dinamo humbi 1.72 mln euro
Pas barazimit 1-1 në “Elbasan Arena”, Dinamo u përball të enjten me Pafos të Qipros, në ndeshjen e kthimit të play-off të Konferencë Ligë. Kjo sfidë u mbyll me rezultatin 4-2 për qipriotët dhe Dinamo e ndali këtu rrugëtimin për më tej në Europë. Deri më tani, klubi kryeqytetas ka përfituar 1.45 milionë euro, dhe nëse do të kualifikohet më tej, do të përfitonte edhe 1.72 milionë euro. Kështu që fitimet e “Nëndetëses” do të shkonin, nga 1.45 milionë euro në 3.17 milionë euro.






















