Eqerem Memushi: , Do jetë garë e fortë në Abissnet Superiore, një treshe për titullin

48

ANALIZA / Ish-futbollisti e trajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushi, analizon Kategorinë e Parë

Sigal

Agron Kaja

“E shikoj Flamurtarin si pretendente për titullin, bashkë me AF Elbasanin që ka bërë një merkato shumë cilësore, si edhe Bylisin. Do jetë një kampionat me garë të fortë”

Ish-futbollisti e trajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushi, tregon për gazetën “Telegraf” se në këtë sezon të ri të Kategorisë së Parë, do të jetë një garë e fortë me 12 skuadrat në përbërje të saj. Në analizën, që ai i bën pragut të kësaj kategorie, nuk harron të veçojë Flamurtarin si pretendent, e këtu vendos edhe AF Elbasanin me Bylisin. “Nisur nga përgatitjet dhe merkatua që kanë bërë të gjitha skuadrat e Kategorisë së Parë, unë mendoj se ky do të jetë një kampionat shumë i fortë. Një tjetër element që do ta bëjë të tillë, është se këtë vit do të jenë vetëm 12 skuadra në përbërje, numur i cili orjentohet drejt rritjes së cilësisë. Nga ky këndvështrim, unë shikoj Flamurtarin si një nga skuadrat që do të jetë pretendente për titullin, AF Elbasanin që ka bërë një merkato shumë cilësore, si edhe Bylisin”,- kështu e nisi analizën e tij Eqerem Memushi, duke u ndalur më pas te skuadra e tij e zemrës, Flamurtari. “Aktualisht, skuadra e Flamurtarit po zhvillon fazën përgatitore në qytetin e Korçës dhe kam informacion se këtë fundjavë do ta mbyllë me një ndeshje miqësore ndaj Pogradecit vendas. Në këndvështrimin tim, duke parë emrat e lojtarëve që janë afruar, por edhe stafi teknik, shoh se më shumë janë lojtarë shqiptarë. Për kushtet që afron Kategoria e Parë, kjo është pozitive, por edhe përvoja e kampionatit të kaluar e tregoi këtë fakt. Kaloi gjysma e muajit gusht dhe fillimi i kampionatit po afron dhe skuadrave tashmë u mbeten vetëm dy javë përgatitje. E mendoj këtë si një hapësirë ku trajneri duhet që ta kolaudojë mirë skuadrën, duke mos lënë pas dore edhe ngarkesat stërvitore, të alternuar me ndeshje miqësore. Kështu, si trajneri i Flamurtarit, por edhe 11 të tjerët e kësaj kategorie, e krijojnë idenë për gjendjen në të cilën ndodhet skuadra. Për Memushin, nuk ka rëndësi se kush do ta drejtojë Flamurtarin e këtij sezoni të ri (Emiljano Çela), pasi sipas tij, kjo është zgjedhja që kanë bërë drejtuesit. Ja cila është porosia e tij teknike, njëherësh edhe një parashikim për ecurinë e tre fazave të Kategorisë së Parë. “Trajneri Çela i ka nisur mirë përgatitjet për të qenë i tillë Flamurtari dhe parashikimet janë të vështira, sepse nuk i kemi parë skuadrat në kushtet e ndeshjeve zyrtare. Unë i qëndroj mendimit që shpreha më sipër për një treshe pretenduese mes Flamurtarit, AF Elbasanit e Bylisit. Natyrisht që rrugës, gara mundet që edhe të bëjë selektim tjetër, por për skuadrën vlonjate kam besim”. Kategoria e Parë nis më 2 shtator dhe mbyllet më 8 maj 2024, ndërkohë që në javën e parë Flamurtari do luajë në transfertë me Luzi2008.

 

Transmetimi në TV, “finale” FSHF-E drejta televiziv

Nisur nga kalendari i sezonit 2023-2024, Abissnet Superiore duhej të niste me javën e parë, sot më 19 gusht. Por kjo nuk do të ndodhë, sepse FSHF-ja ka patur problem të drejtën televizive, të cilën ende sot nuk e ka zgjidhur, të paktën zyrtarisht. Ndoshta java e ardhshme do ta zgjidhë dilemën e startit të kampionatit, dhe ajo mund të quhet si një “ndeshje finale” mes FSHF-së dhe të drejtës televizive. Urojmë dhe presim, sepse kështu nuk ka ndodhur në sezonet e kaluara.

Merkato në shifra, hyrje e dalje të paqëndrueshme!

Nëse do t’i referohemi shifrave që janë bërë mediatikisht zyrtare nga skuadrat e Abissnet Superiore, duket se ka shumë lëvizje, si në dalje (Largime), ashtu edhe në hyrje (Afrime). Por këto lëvizje kanë qenë edhe të paqëndrueshme, pasi emra të ndryshëm lojtarësh e trajnerësh janë folur mediatikisht nga zyrtarë skuadrash të Superiores, e më pas lexohen si hyrje e dalje në skuadër tjetër. Realisht, një paqëndrueshmëri ku ka 119 të larguar, ndërkohë që janë 112 të afruar.

 

KATEGORIA E PARË

SEZONI 2023-2024

Fillon më 02.09.2023

Luhet me tre faza

Mbaron në 08.05.2024

 

PJESËMARRËSIT

Skuadrat            Qyteti

1.AF Elbasani    Elbasan

2.Apolonia          Fier

3.Besa                  Kavajë

4.Burreli              Burrel

5.Bylis                 Ballsh

6.Flamurtari                 Vlorë

7.Kastrioti           Krujë

8.Korabi              Peshkopi

9.Lushnja            Lushnje

10.Luzi 2008      Luz

11.Tomori           Berat

12.Vora               Vorë

Apolonia pa blerje, dështim për rekord

Deri ditën e djeshme, merkatua zyrtare e blerjeve te Apolonia kapte shifrën zero. Edhe pse ka provuar disa emra futbollistësh, skuadra fierake është për “Guinnes” personal, sepse asnjëherë nuk ka qenë në të tilla situata të hyrjeve në merkato sezonale. Ditën e enjte ka dalë në skenë emri i mesfushorit ganez, Derrik Frimpong, i cili është shfaqur në Fier pasi ka ardhur nga Albanët e Kategorisë së Tretë. Por stafi teknik kërkon ta testojë dhe ky do jetë blerja e parë e fillimsezonit.