Ministrja e Kulturës Znj. Elva Margariti hesht para kërkesës së Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit”

-Problemi polifonisë ka shqetësuar gjigandët Kadare, Qose, Peçi, Ciko, Gaçe, Nezha, por jo ministren Margariti

– E besoni Ju Znj. Margariti, se kënga polifonike e popullit shqiptar është produkt i sirenave greke?

Ju falënderojmë për pritjen tuaj korrekte në Ministrinë e Kulturës me përfaqësuesit e Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” Nderi i Kombit, në të cilën njohëm një drejtuese dinjitoze, sa të thjeshtë aq edhe komunikuese me qartësi dhe delikatesë, që e përjashtonit një natyrë arrogante dhe nëvleftësimi, sikurse dhe tentativën “për të na përcjellë”. Kryetari i shoqatës Ago Nezha, ju parashtroi shqetësimet e shprehura në Rezolutën drejtuar Ministrisë së Kulturës prej disa muajsh, të firmosur nga personalitete të shkencës dhe kulturës shqiptare: akademikë, profesorë, deputetë, studiues etj. Pas tij, autori i zbulimit të dosjes së ”isopolifonisë” në faqen zyrtare të UNESCO-s, ju parashtroi në esencë shqetësimet kryesore që përmbante dosja: “Zëri i Sirenave ishte karakteristikë jo vetëm për shkak të bukurisë së tyre në vetvete, por ajo çfarë ishte më e rëndësishme, për shkak të teksturës iso-polifonike vajtuese: një veçori që e gjejmë akoma në iso- polifoninë Labe në ish-territoret e Epirit të vjetër”. Madje në vendimin e UNESCO-s ishte përjetësuar një shëmtirë, që e nxjerr polifoninë shqiptare të prejardhur edhe prej muzikës bizantine: “E prejardhur nga muzika kishtare bizantine, iso-polifonia shqiptare është një formë e sofistikuar e të kënduarit në grup”, botuar në gazetën Panorama datë13 qershor 2023. Të dyja këto falsifikime dhe përçudnime të ekspozuara në dosjen e UNESCO-s, të konsideruara antikombëtare, antishkencore, antihistorike dhe diversion ndaj trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar, për t’ia kaluar këtë kulturë origjinale, fqinjit tonë grek, ne ua risollëm në zyrën Tuaj. Ju, e nderuara Ministre, nuk u prononcuat në shqetësimet tona, i anashkaluat me argumentin, se kishit ngritur një ekip që grumbullonte dhe përpunonte polemikat e shtruara kohët e fundit në shtypin e ditës! Ç‘nevojë ka ngritja e një grupi të tillë, kur për studimin e polifonisë shqiptare është ngritur qysh në vitin 1945 një Institut i Folklorit, dhe për 50 vjet i ka shpallur rezultatet e studimit në konferenca e simpoziume shkencore, sikurse Konferenca e I e Studimeve Albanologjike e vitit 1962, ku ka referuar për Polifoninë Shqiptare prof. Ramadan Sokoli dhe Baki Kongoli; (profesorët e mi të Folklorit Muzikor në Institutin e Arteve) Konferenca Shkencore e Folkloristikës 1977, ku kanë referuar prof. Pirro Misa, Hysen Filja dhe Ferial Daja, Simpoziumi i Polifonisë Ballkanike në 3-4 tetor 1989 në Tiranë, ku ka kumtuar prof. Beniamin Kruta, Spiro Shituni si dhe disa konferenca e simpoziume brenda dhe jashtë vendit? Rezultatet e tyre shkencore, janë pasqyruar më gjerë në botimet dhe revistën ‘Kultura Popullore’. Kanë referuar gjithashtu për polifoninë dhe kundër “isopolifonisë”, etnomuzikologu që ka studiuar në Bukuresht dhe Vjenë, Sokol Shupo, si dhe muzikantët Zhani Ciko, prof. Aleksandër Peçi, Bajram Lapi, dirigjenti Ermir Dizdari, prof. Bardhosh Gaçe etj. Vallë e ka ekipi i përzgjedhur, kulturën muzikore dhe profesionale të profesorëve të mësipërm? Profesorët e Institutit të Kulturës popullore kanë ndërruar jetë, por na kanë lënë veprën e tyre studimore, të cilën duhet ta përdorim si udhërrëfim në punën tonë.

Dy polet e kundëta

NOA

Çfarë do të sjellë ky ekip, në momentin kur ekzistojnë të dy polet e kundëta publikisht: studiuesit shqiptarë me emërtesën Polifoni Popullore Shqiptare, krijuar nga populli shqiptar brenda këtij trualli, dhe falsifikuesi Vasil Tole me tjetërsimin “isopolifoni, si produk i sirenave greke dhe korit kishtar bizantin?! Nëse ekipi juaj do të merret me mbledhjen e surrogatove të shkruara në shtypin e ditës nga gjithfarë llogaritarësh, gjeologësh, muratorësh, mësues matrapazë dhe gazetarë të dështuar, kjo ka për qëllim të vendos ekuivalencën në favor të Vasil Toles në UNESCO, jo për të ndihmuar parimisht në zgjidhjen e problemit. Aq më tepër që akademiku Vasil Tole është shprehur, se në krye të këtij ekipi do të jetë vetë ai!!! Ju e nderuara Margariti, jo vetëm nuk u prononcuat për shqetësimin e Shoqatës, por për çudinë tonë, në mënyrë të papritur u shprehët: “Ky është problemi juaji dhe i Vasos, ne si Ministri nuk futemi midis jush”.Ç’problem duhet të kemi ne, 80 e më shumë vjeçarët e Shoqatës dhe intelektualë, që e kanë aprovuar Rezolutën dërguar Ministrisë, me autorin e dosjes Vasil Tole? Me sa duket, paska qenë ky opinion krejtësisht subjektiv dhe çoroditës, i propaganduar nga disa mercenarë të Toles, që Ministria nuk i ka kthyer përgjigje për disa muaj, Shoqatës “Labëria”. Nuk duam ta besojmë një konceptim kaq të personalizuar të problemit prej kreut të lartë të Ministrisë së Kulturës, produkt i një opinioni të studiuar mirë nga qarqe jashtë dhe brenda vendit, për ta fshehur veprimin antikombëtar të autorit të dosjes. Shoqata “Labëria” dhe përkrahësit e saj, nuk kanë probleme as me Vason, as me Kason, as me Tason, por me tjetërsimin e trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar dhe ky tjetërsues është Vasil Tole. Nuk mund t’i shmangemi këtij realiteti, me frikën, se mos na akuzojnë për probleme personale me autorin e dosjes, kur problemi është krejtësisht parimor. Ajo që mbetet për t’u thënë në këtë kuadër, është: jo çfarë kemi ne me Vasil Tolen, por çfarë ka Vasil Tole me Shoqatën “Labëria”, me tërë popullin shqiptar dhe Ministrinë e Kulturës, që ia tjetërsoi trashëgiminë shpirtërore shumë shekullore?

Ku qëndron problemi?

Ne erdhëm tek Ju, e nderuara Margariti, për t’ju ndihmuar, sepse problemi qëndron, jo midis Shoqatës “Labëria”, muzikantëve, studiuesve nga njëra anë dhe autorit të dosjes, akademikut Vasil Tole nga ana tjetër! Konflikti qëndron midis rezultateve 50 vjeçare të etnomuzikologjisë shqiptare për këngën polifonike, të studiuara prej profesorëve dhe studiuesve shqiptarë, nga njera anë dhe falsifikatorit të polifonisë shqiptare në dosjen e UNESCO-s, nga ana tjetër. Me aprovimin dhe firmosjen e dosjes në UNRSCO, prej Ministrisë Kulturës, Ju jini në një krah me Vasil Tolen, duke u vendosur kundër shoqatës “Labëria” dhe popullit shqiptar. Nisur nga fakti, se Ministria e Kulturës ka për mision mbrojtjen e vlerave të kulturës kombëtare, në të cilat bëjnë pjesë edhe rezultatet shkencore të studiuesve shqiptarë, themi, se problemi qëndron midis Ministrisë së Kulturës nga njëra anë dhe falsifikatorit të dosjes nga ana tjetër, i cili e ka legjitimuar ndërkombëtarisht kulturën polifonike shqiptare si pasuri kulturore e prejardhur prej një populli tjetër. Vetë UNESCO në Paris, e merr në mbrojtje polifoninë shqiptare, pavarësisht se ia servirën të tjetërsuar, si mos ta marrë në mbrojtje trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar, këngën polifonike shqiptare, Ministria e Kulturës në Tiranë,duke e lënë këtë thesar artistik të popullit, në duart e një falsifikatori? A duhet të mbrojë Ministria e Kulturës një tjetërsim antikombëtar, për hir të një mediokri, në mos të përlyeri në shërbime të huaja, apo duhet të mbrojë studimet shumë vjeçare të instituteve shkencore të vendit dhe identitetin e popullit shqiptar? Nuk besojmë, se Znj. Margariti, do ta mohonte ekzistencën e Polifonisë shqiptare, të studiuar prej profesorëve të Institutit të Kulturës Popullore për 50 vjet dhe të mbronte “isopolifoninë” e Vasil Toles, kështu vini në pikëpytje zbatimin e detyrës tuaj, detyrë, e cila ju obligon mbrojtjen e vlerave kulturore të krijuara nga populli shqiptar në shekuj. Futja e “isopolifonisë” në UNESCO, si produkt i sirenave greke dhe korit kishtar bizantin, nga ana e Vasil Toles, nuk është miratuar në asnjë konferencë shqiptare dhe as simpozium shkencor, ndërkohë që Ministria e Kulturës nëpër dekada ka njohur rezultatet e aprovura nga forumet shkencore të Republikës së Shqipërisë dhe jo tjetërsimet e një individi. Në këtë realitet, a nuk qëndron problemi midis jush, si Ministri Kulture nga njëra anë dhe falsifikatorit Vasil Tole nga ana tjetër, që iu imponua UNESCO-s me tjetërsimin e kulturës popullore shqiptare? Përse i shmangeni detyrimit tuaj si Ministri, Znj. Margariti, për të mbrojtur vlerat e kulturës sonë kombëtare, duke e spostuar si problem midis Shoqatës “Labëria” nga një anë dhe Vasil Toles nga ana tjetër?! Shoqata “Labëria”, nuk kërkon të mbroni tezat e saj, kërkon të mbroni rezultatet shkencore të studiuesve shqiptarë në dekada, në të cilat bazohet edhe Rezoluta e saj.

Konflikti dhe bashkëjetesa

Konflikti, sikurse edhe bashkëjetesa, qëndron dukshëm midis Ministrisë së Kulturës dhe falsifikatorit Vasil Tole, edhe për faktin, se tjetërsimi dhe përçudnimi i vlerave të kulturës popullore shqiptare në UNESCO, është bërë me aprovimin e institucionit shtetëror të Ministrisë së Kulturës, dhe jo të Shoqatës “Labëria”, pavarësisht, nëse kini qenë apo nuk kini qenë Ju, drejtuese institucioni në kohën e Mashtrimit të Madh. Nuk e ka firmosur dosjen e UNESCO-s Shoqata “Labëria”, e ka firmosur Ministria e Kulturës dhe i përket asaj, konflikti me Vasil Tolen. Kënga polifonike nuk është pronë vetëm e popullit të Labërisë, që të mbetet problem midis tij dhe matrapazit Vasil Tole, kënga polifonike është prone e tërë popullit shqiptar edhe e Minitrisë së Kulturës si identitet kombëtar dhe jo pronë private e Vasil Toles apo e një ministreje. Vasil Toleka ka shpërdoruar detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Trashëgimisë Shpirtërore në Ministrinë e Kulturës, po kështu edhe Ministria e Kulturës, duke e firmosur dosjen për në UNESCO me difekte parimore. Që në këtë çast, Ministria e Kulturës mbetet palë me falsifikatorin Vasil Tole. Në këto rrethana, problemi qëndron jo midis Shoqatës “Labëria” dhe Vasil Toles, por midis Shoqatës “Labëria” dhe Ministrisë së Kulturës, e cila nuk ka pse ta devijojë problemin midis Shoqatës dhe Vasil Toles! Ju e nderuara Margariti, mund ta konstatoni, se ish drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë Shpirtërore në Ministrinë e Kulturës, Vasil Tole, ka çuar në UNESCO këngët polifonike shqiptare, por nuk ka çuar “djepin” e tyre, sirenat: Ligea-  marrëse, Thelxipea – kthyese, Aglaopea – hedhëse,  dhe Peisinoe – isua, sikurse e ka shpjeguar strukturën e këngës polifonike të shqiptarëve, akademiku Vasil Tole në librin “Odisea dhe sirenat, grishje drej viseve isopolifonike të Epirit”, të cilin e ka futur në dosjen dërguar UNESCO-s, si dokument, dëshmuar prej Vasil Toles në “Enciklopedia e iso-polifonisë”, f. 37. Mungon në UNESCO kënga e sirenave dhe transkriptimi i vajtimeve të tyre në pentagram, për të parë specialistët e UNESCO-s, sa ngjan kënga e sirenave me këngën polifonike shqiptare, ndërkohë që nuk mungojnë këngë polifonike nga Gjirokastra dhe Përmeti. Vasil Tole duhet të shënojë, në cilat tonalitete këndojnë dhe vajtojnë katër sirenat e tij! Shumica e këngëve polifonike shqiptare, janë të traskriptuara në pentagram nga etnomuzikologët shqiptarë të botuara në disa libra, ndërsa Vasil Tole nuk ka transkriptuar asnjë këngë të sirenave!

E besoni Ju Znj. Margariti, se kënga polifonike e popullit shqiptar është produkt i sirenave?

Nëse e besoni, shpalleni publikisht dhe mbyllet debati. Nëse nuk e besoni, thuaja Vasil Toles dhe UNESCO-s të bëjë korregjimet, pa qenë nevoja për ekipe. Përse nuk e kupton Ministria e Kulturës diversionin antikombëtar të Vasil Toles, dhe punonjësve të saj, diversion, i cili duhet çrrënjosur nga UNESCO, sepse poshtëron popullin tonë e bashkë me të edhe studiuesit shqiptarë të periudhës 50 vjeçare? Nuk e ka nivelin kulturor dhe intelektual, Ministria e Kulturës, për të realizuar këtë diversion, që përmban dosja, apo noton në ujrat e opinioneve të Vasil Toles dhe mercenarëve të tij? Shqetësimin e Shoqatës “Labëria”, e kanë mbështetur shumë përkrahës dhe intelektualë me kontribute madhore si: akademikët Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Rauf Dhomi, Pëllumb Xhufi, Ethem Ruka, Artan Fuga, Jorgji Kote, kompozitorë, muzikantë, deputetë, diplomatë etj. A nuk ju duket, e nderuara Margariti, se po mbani një qëndrim të baraspeshuar midis personaliteteve të kulturës sonë, që e kanë përkrahur Rezolutën, nga njëra anë dhe një vogëlani si Vasil Tole nga ana tjetër? A mund të vihet ekuilibër dhe baraspeshë midis dy krahëve: dhjetra intelektualëve të sferës krijuese që kërkojnë polifoninë shqiptare në UNESCO, dhe Vasil Toles që legjitimoi varrosjen e saj? Duke privilegjuar “isopolifoninë” e Vasil Toles, qëndrimi juaj është fyes ndaj personaliteteve që e aprovuan Rezolutën, është mosmirënjohje për veprën intelektuale dhe artistike të atyre krijuesve, që kërkojnë ndryshimin në UNESCO. A nuk e kuptoni, se mercenarë të ndryshëm, me opinionet dhe ndërhyrjet e tyre për të mbrojtur falsifikimet e Vasil Toles, tentojnë t’ju katandisin në një pozitë diskredituese, që cënon nivelin tuaj kulturor dhe detyrën tuaj shtetërore, t’ju kthejnë në një besnike të verbër të veprës antikombëtare të Vasil Toles?! A jini e bindur ju Znj. Ministre, se duhej shkruar për polifoninë shqiptare kaq banalisht, sikurse ka shkruar Vasil Tole në dosjen e UNESCO-s, për sirena greke dhe kore kishtare bizantine, për Epirin grek, për vajtime dhe stërgjyshër të sirenave, për polifoni deti dhe polifoni mali?! Në dosje nuk janë paraqitur vlerat e vërteta estetike të polifonisë shqiptare, nuk është paraqitur ajo intuitë e lartë artistike e artistëve popullorë e formuar në breza njerëzorë, për të cilat kanë shkruar studiues të huaj. Ne e vlerësojmë shumë kulturën dhe personalitetin tuaj, Znj. Margariti, për aq sa ju njohëm në takimin e parë dhe s’mund të besojmë, se ndëhyrjet ndaj Jush, do të jenë nga poshtë, sepse po të ishte kështu, mjerë insitucionet tona ku janë katandisur; në institucione pazaresh, institucione klanesh dhe opinionesh, çka e poshtërojnë identitetin e një kombi. Ne kemi bindjen, se qëndrimi i juaj abstenues ndaj dosjes së UNESCO-s, është thjesht zbatim detyrash që u janë komunikuar nga forca madhore, ndryshe Ju, nuk mund ta kompromentoni personalitetin tuaj me “isopolifoninë e sirenave” greke, personalitet për të cilin ne kemi adhurim. Në takim, Zv/ministre Meri Kume, “specialiste e UNESCO-s dhe etnomuzikologe”, shprehu një fatalitet: nëse do të heqim dosjen nga UNESCO, bie prestigji i shtetit shqiptar, si shtet jo serioz…Ne nuk mund ta ndryshojmë emërtesën “isopolifoni”! Çuditërisht Ju ishit me këtë mendim! Ministria e Kulturës, nuk e heq dosjen nga UNESCO, jo për prestigj të Shtetit Shqiptar, por nëse hiqet dosja, duhen dorëzuar milionat që janë marrë nga UNESCO në vitin 2005, si edhe me dosjen e vitit 2008, për insruktorët e katër Odave të “isopolifonisë”: Në Përmet me Niko Mihalin, në Vlorë me Sejmen Gjokolin, në Gjirokastër me Arjan Shehun, në Korçë me Josif Mingën, firmat dhe fotografitë e të cilëve i gjetëm në faqen zyrtare të UNESCO-s. Prestigji i shtetit shqiptar ka rënë me dhjetra herë në këto 30 vjet tranzicion, veçanërisht kur thyhej dera e Kryeministrisë me arkivolin e të vdekurit brenda; me vrasjet para kryeministrisë, me hajdutërinë, për “çrrënjosjen” e së cilës kujdesen edhe të huajt, me burgosjen e ministrave të votuar nga populli etj. Nuk është arsyeja prestigji, për të hequr dosjen nga UNESCO, janë shumat financiare që kanë marrë Vasil Tole dhe grupi i tij nga UNESCO. Etnomuzikologe Merri, e cila e ka pranuar “isopolifoninë” prej vitesh dhe pak shpresa ka që ajo të prononcohet në krahun e duhur, propozoi si zgjidhje,  përgatitjen nga Shoqata”Labëria” të një dosjeje tjetër dhe pas vitit 2027, të tentohet për ta pranuar propozimin e ri në UNESCO. Kjo “rrugëzgjidhje”, e nderuara Margariti, nuk e eliminon dosjen aktuale edhe pse Vasil Tole me dhelpëri, mund të ketë propozuar për ndonjë korrektim në Faqen Zyrtare të UNESCO-s, sikurse bëri në intervistën televizive me Mustafa Nanon: ”Në UNESCO është shkruar polifoni me iso, por nga përkthimi anglisht, mbiemri ka dalë para emrit”. Këto janë manovrime dhelparake, sepse në librat shqip të Toles është përdorur mijra herë emërtesa “isopolifoni”, edhe pse nuk kanë patur lidhje me anglishten. Për të dalë nga ky “keqkuptim gjuhësor” mjafton të hiqni nga emërtesa pjesëzën “iso” dhe mbetet Polifoni, pa rrezikun se do të ngatërohet përsëri. Pas shumë vjetësh politikat shoviniste do të kërkojnë dosjen e arkivit dhe jo faqen zyrtare të “korrektuar” në internet, prandaj dosja aktuale, që ndodhet në UNESCO, duhet të shkulet me rrënjë, e bashkë me të edhe titulli “kryevepër”, i cili është produkt i sirenave, pronë e popullit grek dhe jo i polifonisë popullore shqiptare. A ka nevojë kultura popullore shqiptare për tituj falso, kur pasuria e saj me thesarët artistikë të pafund, do të mjaftonte edhe për fqinjët tanë, sikurse i kanë vërtetuar studiuesit e huaj dhe koncertet e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Greqi dhe kudo në Evropë dhe në botë?! Dosja e futur në UNESCO, duhet të hiqet urgjentisht, sepse veç të tjerash, konfirmon “zbulime” të llahtarshme, sikurse është “prejardhja” e Polifonisë Shqiptare prej vajtimeve! Vajtimet, janë edhe në traditën shekullore të popullsisë së zonës veriore të Shqipërisë, gati të njëjta, por nuk ka polifoni tre dhe katërzërëshe, sikurse në Jug. Do të mjaftonte ky realitet që të bindemi, se Vasil Tole na shfaqet më pak se padituri. Si mund t’i bashkohet Ministria e Kulturës kësaj paditurie?!

Me shumë respekt dhe vlerësim për Ju

Fitim Çaushi – Valare Gjirokastër.