Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Dhjetë vjet, pa Dede Reshat Bardhin!

858
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nga Nuri ÇUNI
Sekretar i Përgjithshëm
Kryegjyshatës Botërore Bektashiane

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Dede Reshat Bardhi, ishte dhe mbetet një udhëheqës shpirtëror me përmasa ndërkombëtare, i pajisur me vlera të larta fetare, fisnikërie, atdhetare. Ai ka meritën e padiskutueshme në ringritjen e bektashizmit!

Dhjetë vjet, pa Kryegjyshin Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhin! Dede Reshat Bardhi ndërroi jetë më 2 prill të vitit 2011, ndërsa ceremonia zyrtare e përcjelljes, u bë më 4 prill 2011. Ky personalitet i lartë fetarë, kishte respektin e veçantë të miliona bektashinjve në gjithë botën, të komuniteteve fetarë, shtetërorë, diplomatëve, politikanëve shqiptarë e mbarë popullit.

“Përkujtimi i këtij përvjetori, që përkon dhe me 30 vjetorin e çeljes së Selisë së Shenjtë Bektashiane, është një ngjarje e shënuar për miliona bektashinj në gjithë botën…”Dede Reshat Bardhi, ishte dhe mbetet një udhëheqës shpirtëror me përmasa ndërkombëtare, i pajisur me vlera të larta fetare, fisnikërie, atdhetare, tolerance, mendjendritur, i gatshëm gjithmonë për mirëkuptim e respekt ndaj mendimit ndryshe. Ai ka meritën e padiskutueshme në ringritjen e bektashizmit…”- pohon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

 

Dede Reshati, ky rilindës i bektashizmit, më 22 mars 1991 ndezi shkëndijën e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe teqeve dhe tyrbeve në Shqipëri, pasi ndalimi i fesë me ligj në vitin 1967, solli pasoja për gjithë besimet fetare në vendin tonë. Ai, shprehej: “Është privilegj dhe nder i madh për një vend të vogël si Shqipëria, që të ketë Selinë Qendrore të Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit. Zoti dhëntë dashuri bekim e vëllazëri ndërmjet besimtarëve.” Dede Reshati vazhdoi në traditën e mrekullueshme të bektashinjve, që herët në rilindjen kombëtare në çështjen e gjuhës shqipe, të kombit, paqes dhe e përfaqësuar nga personalitetet e njerëzve të mëdhenj që kanë bërë historinë e Shqipërisë si: Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena të brendshëm në bektashizëm, vëllezërit Frashëri, Naimi, Abdyli dhe Sami Frashëri, Çerçis dhe Bajo Topulli, Ismail Qemali, Arqif Pashë Elbasani, Ahmet Zogu e shumë të tjerë. Dede Reshati ka lënë gjurmë në historinë tetëqind vjetatre të bektashizmit, veçanërisht për bektashizmin në vendin tonë, krahas Kryegjyshëve që drejtuan Selinë e Shenjtë nga 28 janari i vitit 1930, kur ish-Kryegjyshi Sali Niazi Dede erdhi ga Turqia në Shqipëri (që drejtoi deri në vitin 1941) e, më pas nga: Ali Riza Dede (1941-1944), Kamber Ali Dede (1944-1945), Xhafer Sadik Dede (1945-1945), Abaz Hilmi Dede (1945-1947), Ahmed Myftar Dede (1947-1980), Haxhi Dede Reshat Bardhi (1991-2011), Haxhi Baba Edmond Brahimaj (nga 10.06.2011 e në vazhdim).

Në rrugën e Haxhi Bektash Veliut

Ai mori dashurinë dhe urtësinë e Dede Ahmetit. Dede Reshati kujtonte: “E njoha atë (Dede Ahmetin), kur isha 17 vjeç. Ai hyri në jetën time dhe do të mbetet aty, deri në frymën time të fundit. Ai më mori për dore dhe më futi në rrugën e ndritur të bektashizmit, në rrugën e ndriçuar prej Pirit tonë Haxhi Bektash Veliu. Dede Ahmet Myftari ka qënë dhe mbetet një gurë i rëndë në themelet e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror. Me urtësinë, zgjuarsinë, guximin e tij, ky klerik plot devocion për dhjetë vjet rresht, mbajti mbi shpatulla një varg problemesh, me të cilat përballej bektashizmi ynë i kulluar. Ai kurrë nuk u qa, kurrë nuk u ankua, kurrë nuk e lëshoi veten edhe në situatat më të vështira. Në mënyrë të veçantë, kuraja dhe guximi i tij, shkëlqyen në vitet e vështira të internimit, në fshatin Drizar të Mallakastrës. Aty u shfaq si rrallë herë qëndresa e Dede Ahmetit. Teqeja e vogël e Drizarit, ai vendi humbur mes përrallesh dhe drizash pafund, me rolin e pazëvendësueshëm, me përgjegjësinë gati hyjnore, u bë Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. “.  Gjatë këtyre viteve 1967-1990 Bektashizmi në Shqipëri ka vepruar në ilegalitet. Besimtarët bektashianë (myhybët) mbanin lidhje të fshehta, duke shfrytëzuar raste të ndryshme, si përkujtimore e ditëlindje, për të festuar matemin, nevruzin etj. Pas kalimit nga jeta të Dede Ahmetit, më 10 korrik 1980, drejtimin e bektashizmit e udhëhoqi Dede Reshati (i emëruar Halife sipas dekretit Nr. 1 dt. 30. 6. 1967). Ai …….. lexonte librin ”Hadikaja”, tek shtëpia e Rexhep Bardhit (vëllai i Dede Reshatit), Haxhi Qeses, Hysen Brahimajt dhe në familje të tjera. Kjo bëhej edhe në darka të ndryshme, përkujtimore të Dede Ahmetit, në çdo 10 korrik, në familjet e Skënder Gazhelit e të tjera në Krujë. Kjo ka vazhduar deri në vitet ’90, para se të hapej Kryegjyshata. Shtëpia e Rexhep Bardhit, ku jetoi Dede Reshati, u kthye në një teqe të vogël. Po kështu, edhe në fermën “Gjergj Dimitrov”, ku ai punonte, rreth vetes, mblidhte besimtarë që e nderonin dhe e respektonin, për mbajtjen gjallë të çiragut, të Haxhi Bektash Veliut.

 

Misionari Dede Reshat Bardhi

Përgatiti dhe veshi dervish dhe baballarë gjatë gjithë veprimtarisë 20 vjeçare, mbajti afër dhe përgatiti pasardhësin e tij Haxhi Baba Edmond Brahimaj. Respekti i veçantë për Dede Reshatin u duk në homazhet 2 dhe 4 prill 2011, me ngritjen e flamurit Kombëtar gjysmë shtizë, si dhe shpalljen ditë zie kombëtare, e cila u shoqërua (më 4 prill) me homazhet në Pallatin e Kongreseve dhe përcjelljen e fundit, në Selinë e Shenjtë, në tyrbet e dedelerëve… Ishte një dhimbje e madhe. Bektashinjtë e kudondodhur në botë humbën prijësin shpirtëror dhe misionarin e paqes. Por, figura dhe vepra e tij do të mbetet e vyer në kujtesën e gjithë besimtarëve dhe te çdo shqiptar Gjithçka që bëri për edukimin dhe përhapjes së besimit tek Zoti i Madhëruar. Ai ishte model i përkryer i njeriut të devotshëm, udhëheqës i shquar i bektashizmit, personalitet me virtyte të larta morale që e ka karakterizuar gjatë gjithë jetës së tij, urtësia, bujaria, dashamirësia, tolerance. Ringritja e objekteve të kultit të besimit bektashian, ringjallja e shpresës së madhe te ky besim i dha hovë punës jetike Dede Reshati nga viti 1991 deri në fundin e jetës së tij 2 prill 2011. Në vitet e tranzicionit, besimi bektashian ka qenë i pari në ndërtimin e urave të tolerancës dhe të pranimit të njeri-tjetrit, por edhe të dashurisë e mirënjohjes me kombet e tjerë fqinjë, ashtu siç transmetonte një shekull më parë, kryebektashiu Naim Frashëri. Edhe kur shfaqej ekstremizmi fetar e fanatikët e verbër, zëri i urtë i baba Reshatit ka qetësuar shpirtrat. Si një fat i madh, por jo vetëm për bektashinjtë e Shqipërisë, ai ka ditur të ngrihet kurdoherë, mbi logjikën dhe përmbajtjen e shqetësimeve të çastit, duke u shndërruar në model të armatës të besimtarëve që u afrohen plot besim thesareve shpirtërorë. Marrëveshja e Shtetit Shqiptar me Qendrën Botërore Bektashiane Tiranë, për njohjen dhe bashkëpunimin e ndërsjelltë midis tyre, në vitin 2009 ka çelur dimensione të rinj në veprimtaritë brenda dhe jashtë vendit për komunitetin bektashian. Jeta dhe vepra e tij, do të mbeten monument historik për bektashianët e kudondodhur në botë. Janë ngishëllime të shumta nga personalitete të liderve fetarë, qeverisë, diplomatët, institucione të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.

Jetëshkrimi i Dede Reshatit

Reshat Bardhi ka lindur më 4 mars 1935, në fshatin Lusën të Kukësit. Në moshën 6-7 vjeçare, fillon të mësojë shkrim e këndim në gjuhën shqip dhe arabisht nga hoxha i fshatit, i cili, kishte kryer studime të larta fetare në Stamboll. Ky nguliti tek djaloshi i vëmendshëm edhe shprehjet e para teorike si edhe ato të praktikimit të riteve fetarë myslimanë. Në vitin 1944, familja Bardhi, merr rrugën dhe vendoset në rrethina të Tiranës, shumë pranë vendit ku sot ndodhet Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Reshati vazhdon mësimet në shkollë, ndërsa kohën e lirë e kalon me studime të Kuranit. Falë prirjeve fetare por e tolerancës dhe dashurisë tradicionale bektashiane, ai hyn në biseda të gjata dhe të këndshme me dervishë dhe baballarë që ndodheshin në Kryegjyshatë. Në fillim të viteve 50 të shekullit të kaluar, Reshat Bardhi ka tërhequr vëmendjen e Kryegjyshit Botëror të asaj kohe Ahmet Myftarit, i cili ka parë tek ai, jo vetëm prirjet mistike dhe fetare por edhe shembuj të një besnikërie të thellë. Ai bëhet udhëheqës shpirtëror i Bardhit dhe sipas rregullave bektashiane e drejton atë në rrugën mistike të Haxhi Bektash Veliut. Në gusht të vitit 1954, Reshat Bardhi vishet dervish. …Në vitin 1958, Kryegjyshi Ahmet Myftari, së bashku me dervish Reshat Bardhin, internohen në Drizar të Mallakastrës. Në vitet 1958-1967, dervish Reshati do të provonte një periudhë të vështirë persekutimi, por nuk largohet nga udhëheqësi i vet shpirtëror dhe as nga praktikimi i riteve fetarë bektashianë. Në teqenë e Drizarit, do të shkonin fshehurazi besimtarë nga Kosova dhe Delvina, nga Kruja dhe Përmeti, nga Dibra e Vlora, nga Tetova dhe Skrapari. E vërteta është se teqeja e Drizarit, u shndërrua në Seli të Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Me rrënimin e objekteve të kulteve fetarë në Shqipëri në vitin 1967, dervish Reshat Bardhi, kthehet në Tiranë, për të provuar të tjera dhimbje fizike dhe shpirtërore. Ka punuar deri në vitin 1991 si punëtor krahu duke mos e humbur për asnjë moment besimin tek Zoti. Ka jetuar gjatë kësaj periudhe tek vëllai i tij, Rexhep Bardhi dhe të afërmit e tij dhe jo rrallë këto shtëpi kanë shërbyer si teqe, në të cilat fshehurazi mbahej gjallë besimi në filozofinë dhe mistikën bektashiane.

Kryegjysh Botëror i Bektashinjve

Me lejimin e besimeve fetare në vitin 1991, Kleriku Bardhi, riorganizon bektashizmin në Shqipëri me gjithë strukturat e saj. Njëzëri nga organizmat ndërkombëtarë vendimmarrës më të lartë, Reshat Bardhi është shpallur Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, me titull “Dede”, në Kongresin e VI Bektashian të vitit 1993. Dede Reshati gjallëroi besimin bektashian, ringriti nga themelet objektet e kultit brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, duke dhënë njëkohësisht një shembull të shkëlqyer të tolerancës fetare.  Dede Reshati ka marrë pjesë në konferenca e takime ndërkombëtare të niveleve të lartë fetarë në:  Më 22 mars 1991, ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Nënë Terezën dhe disa motra të urdhrit të saj nga Kolumia dhe Spanja. Në nëntor 1991, së bashku me pelegrinët e parë myslimanë shqiptarë, shkon në Mekë, ku pritet nga autoritete të lartë fetarë të Arabisë Saudite dhe, sipas rregullit, merr titullin “Haxhi”. Në shkurt të vitit 1992, Dede Reshati shkon në komunitetin bektashian në Detroit të SHBA-së, ku pritet nga Baba Rexhebi, i cili ka krijuar të parën teqe bektashiane në Detroit-Miçigan si dhe personalitete të larta fetare të besimeve të tjera. Në maj të vitit 1993, Dede Reshati, pritet nga ish kryetari i alevi-bektashive të Turqisë, Z. Bedri Nuajan, i cili organizoi midis të tjerëve një takim me përfaqësues të lartë fetarë të Stambollit dhe Izmirit. Në gusht 1993, viziton teqenë-muze të Haxhi Bektash Veliut në Turqi ku pritet nga mijëra besimtarë bektashianë të ardhur nga pjesa aziatike e Turqisë, Azerbaxhani, Kazakistani, Pakistani etj. Gjithashtu, u prit në drekë të veçantë nga Kryetari i Bashkisë së qytetit, Haxhi Bektash. Që nga viti 1991 dhe deri sa iku nga kjo jetë, në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Dede Reshat Bardhi ka pritur në çdo festë fetare, Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ministrat dhe të gjithë ambasadorët e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.  Në vitet 1994 dhe 1995 shkon dy herë në Iran ku pritet nga drejtuesi më i lartë i fondacionit të Ehli-Bejtit, Z. Hossein Miri si dhe personalitete të lartë fetarë nga Irani, India dhe Kuvajti.  Në mars të vitit 2001, Dede Reshati, ftohet në audiencë të veçantë nga Papa Gjon Pali në Vatikan. Në gusht të vitit 2002, në Haxhi Bektash të Turqisë, pritet midis të tjerëve nga Kryeministri turk i asaj kohe, Eçevit. Në tetor të vitit 2002, merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të OSBE-ODIR, në Azerbaxhan, ku përshëndet në emër të bektashinjve.

Në tetor të vitit 2003 ftohet në Vatikan, ku merr pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës, së bashku me lider fetarë të ardhur nga e gjithë bota. Pritet sërish nga Papa Gjon Pali dhe autoritete të lartë fetarë katolikë.  Në shkurt të vitit 2004, gjithashtu, merr pjesë në Konferencën Botërore për Paqe dhe Tolerancë të organizuar nga Patriarkati Ekumenal si dhe fondacioni “Apel Ndërgjegjes”. Fjala e tij në këtë veprimtari pritet me ovacion. Në prill të vitit 2004, Dede Reshati, merr pjesë në simpoziumin e alevi-bektashive në Gjermani. Në tetor të vitit 2005, pret në Tiranë me rastin e Kongresit VIII Botëror të Bektashive, Ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Z. Atilla Koç, Prefektin e Nevshehirit, dhe Kryetarin e Bashkisë së qytetit Haxhi Bektash.  Në dhjetor të 2005, përshëndet në Prishtinë Kongresin e Lidhjes Shqiptare në Botë, ku pritet gjithashtu nga Ministri i Kulturës të Kosovës Z. Astrit Haraçia.  Në maj të vitit 2006 ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, Sekretarin e Shetit të Vatikanit, Z. Xhovani Lajola, ku, midis të tjerave, miku u shpreh: “Ju jeni Papa i bektashinjve!” Në qershor 2006, Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi, pret në Selinë e Shenjtë në Tiranë Kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Z. Bylent Arinç. Ky i dorëzon Kryegjyshit dekoratën “Për shërbime të shquara të paqes”, të parlamentit të Turqisë. Në gusht 2006, Haxhi Dede Reshat Bardhi ka marrë pjesë në Konferencën Botërore të Liderëve Fetarë në Kioto të Japonisë. Ai është takuar aty me personalitetet më të shquar fetarë të krejt botës. Në korrik 2007, është pritur në Prishtinë nga Z. Kushner (aktualisht Ministër i Jashtëm i Francës). Me rastin e ringritjes së teqesë së Gjakovës, ka pritur përfaqësuesin evropian në Kosovë, Z. Joakin Ryker.  Në tetor 2007, në krye të një delegacioni bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi pritet në Stamboll nga lideri mysliman i Turqisë, Prof. Ali Bartokogly si dhe Kryemyftiu i Stambollit Mustafa Cagrici.  Në nëntor 2007 merr pjesë në konferencën botërore për harmoninë ndërfetare në Ohër të Maqedonisë. Përshëndet këtë Konferencë dhe pritet aty nga Kryeministri i Maqedonisë, Z. Gruevski.  Në qershor 2008, Kryegjyshi Botëror ftohet në Ankara nga lideri mysliman i Turqisë, Prof. Ali Bartakogly. Ai merr pjesë në ceremoninë e dekorimeve të Ansamblit të Muzikës Mistike si dhe fal namazin në Koxha, xhami e Ankarasë. Pritet gjithashtu nga lider teologë myslimanë. Në shtator 2008 është pritur në Tiranë nga Kryeministri i Turqisë Taip Erdogan. Më 13 tetor 2009, u prit nga Senatori Kanadez Noel A. Kirsella, gjatë vizitës së tij në Tiranë.  Në maj të vitit 2010, në Çorum të Turqisë, pritet nga Ministri i Shtetit i Turqisë dhe i jepet statuja simbolike e paqes, për kontributin e tij të shquar, në rrafsh të tolerancës fetare.

Vlerësime për klerikun e lartë

Pas një sëmundje të rëndë, Dede Reshati, ndërroi jetë më 2 prill të vitit 2011. Ai është dekoruar me medaljen “Pishtar i Demokracisë”; Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”; Urdhrin, “Gjergj Kastrioti Skënderbe” etj… Në shtator të vitit 2015, (pas vdekjes), i jepet Urdhri “Flamuri Kombëtar” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, si dhe është qytetar nderi i Tiranës, Krujës, Kukësit, Beratit, Frashërit, Kavajës, Bulqizës, Gjirokastrës, Mallakastrës, Elbasanit.

Ai mbetet një figurë e shquar e bektashizmit në qëndrimin e pa lëkundur të udhës së Hakut, kontribuoi dhe ringriti bektashizmin në Shqipëri dhe konsolidoi lidhjet dhe bashkëpunimin me komunitetet bektashiane në botë.

Përgatitur për botim nga Kujtim Boriçi