/Gazeta TELEGRAF
Të gjashtë ditët e ekipit tonë kombëtar të ngarkuara me tre ndeshje për kualifikueset në grup për eleminatoret e botërorit “Katar 2022” kanë prodhuar shumë diskutime në opinionin tonë sportiv. Në fakt këto diskutime, që shpesh herë marrin dhe trajtën e debateve e kanë nxitur vetë paraqitja e ekipit tonë kombëtar në ndeshjen me Andorrën, Anglinë dhe San Marinon. Pavarësisht se në tre ndeshje ekipi mori dy fitore dhe pësoi një humbje , ajo që nuk kënaq fort është loja aspak bindëse që ka zhvilluar skuadra jonë kombëtare. Pra, fituan me rezultatin 0-1 me Andorrën dhe me rezultatin 0-2 me San Marinon , si humbën në fushën tonë 0-2 me Anglinë. Duke i parë më në detaj këto ndeshje në plan të parë na rezulton se kemi fituar ndaj dy skuadrave të futbollit amator dhe që kanë popullsinë sa ka sot një lagje e Vlorës dhe kemi humbur ndaj shpikëseve të futbolliit anglezëve ndaj të cilëve në 5 ndeshje të humbura kemi shënuar vetëm një gol dhe kemi pësuar 14 gola. Por, në analizën që bëhet nuk dolën llogaritë që bënte dhe vetë trajneri Edi Reja kur në prononcimin për shtyp në prag të këtyre ndeshjeve pyetjes se me sa pikë do të kënaqeshit në tri ndeshjet kundër Andorrës, Anglisë dhe San Marinos është përgjigjur se: Mirë do të ishte 9 pikë, por edhe nuk janë keq…(qesh). Përtej batutës, mendoj se do të ishim vërtet të kënaqur me 7 pikë. Duhet të jemi realist”. Tani që të tre ndeshjet janë zhvilluar dhe në 6 ditë janë fituar 2 ndeshje dhe kanë marrë 6 pikë dhe jo 7 pikë sa kishte objektivin trajneri Reja, me të drejtë themi se Edi Rejës nuk i dalin llogaritë.
Por përtej kësaj loja jo e mirë e zhvilluar në këto tre ndeshje eliminatore ka vendosur në qendër të kritikave, trajnerin italian, Edi Reja, i cili akuzohet nga tifozët dhe analistët e futbollit se zhvillon shumë lojë mbrojtëse dhe ndryshon gati çdo ndeshje rreshtimin e ekipit, duke mos pasur akoma një formacion bazë. Edhe shpesh herë në “emisionet analyze” ka një përplasje mendimesh midis atyre që e thonë qartë dhe hapur se loja që ka zhvilluar deri tani ekipi ynë kombëtar nuk bind aspak dhe atyre që bëjnë “specialistin”, sepse kështu ka marrë urdhër. Dhe këta tip “specialistash’ që për fat të keq nuk janë të pakët rëndësi ka që Shqipëria fitoi me Andorrën dhe San Marinon, duke kryer mirë detyrën dhe pak rëndësi ka cilësia e lojës. Por këta ‘ustallaër” të emisioneve sportive, që janë dehur nga 6 pikët që ka marër në këto tre ndeshje ekipi ynë kombëtar dhe harrojnë se Shqipëria këto pikë i ka marrë ndaj skuadrave që kanë harruar të shijojnë dhe barazime në ndeshjet në fushën e tyre. Por po të dëgjoje këta të vetëquajtur “specialista” të futbollit në dy ndeshjet ato ndaj Andorrës dhe San Marinos se si komentonin dhe trasmetonin këto ndeshje vërtet ndiheshe keq me ato fjalë dhe etusiazëm i shfrenuar që të ngarkonte veshët. Dikush shkon dhe më tej kur “fluturon” me këto dy fitore që bëjnë 6 pikë dhe që janë një bazë e mirë në përballjet e rradhës ato të muajit shtator ndaj Polonisë dhe Hungarisë .
Por nuk mungojnë dhe ata që në opinionet e tyre i bëjnë këto dy ndeshje të fituara edhe pa u zhvilluar. Një fakt i tillë kërkon të thotë motivim me të keqen , sepse në këto tre ndeshje Shqipëria ishte një hije e vetvetes në shumë drejtime. Fakti që në ndeshjen me Andorrën me shumë vështirësi arritën të shënonin golin e fitores dhe në atë me San Marinon për më shumë se 60 minuta nuk arritëm të godasin më shumë se një herë portën kundështare janë faktet që duhen analizuar për të bërë ndryshimin. Pak ditë më parë skuadra e vendit fqinje e Maqedonisë të Veriut arriti të merrte fitore 1-2 ndaj Gjermanisë, duke shënuarr një sukses historik, jo vetëm, sepse pas 20 viteve gjermanët humbisnin një ndeshje zyrtare në fushën e tyre dhe maqedonasit shkruanin një rekord të historisë të tyre të re sportive dhe të gjithë kanë gëzuar dhe festuar me maturi. Në studion e tyre sportive është folur dhe lakuar ky sukses i merituar si një sukses kolektiv dhe jo meritë e trajnerit dhe autorëve të shënimit të golave. Mediat gjermane reagojnë të shokuar pas humbjes së papritur të ekipit kombëtar gjerman në ndeshjen me Maqedoninë e Veriut në Duisburg 1:2. Surpriza e mbrëmjes ishte Maqedonia e Veriut, që mundi në transfertë Gjermaninë, me rezultatin 1-2. Golat e suksesit historik u shënuan nga Pandev dhe Elmas. Humbja e Gjermanisë bëhet edhe më historike, për faktin se është e para për Gjermaninë në kualifikueset e një Botërori pas 20 vitesh, që prej asaj disfate në Mynih në vitin 2001 kundër Anglisë, ku mundej 1-5.” -shkruanin në mbrëmje të 31 marsit 2021 agjesitë sportive të lajmeve, ndërkohë që gazetarët, kometatorët dhe analisët e këtij vendi fqinjë edhe pse kishin arsye të festonin dhe gëzonin si pak kush për këtë sukses historik të futbollit të tyre me shumë optimizëm dhe larg vetëkënaqësisë janë shprehur për të qenë të matur dhe me këmbë në tokë për gjithëçka në ndeshjet e ardhshme.
Trajneri Igor Angelovski është treguar më i përmbajtur kur është shprehur: “Fituam një ndeshje jo titull dhe kupë”. Kemi ende ndeshje përpara dhe nuk duhet të gëzojmë përpara kohe për atë që dunam të realizojmë si objektiv “. E sollëm këtë shembull për të treguar se fqinjët tanë kanë arsye për ta kthyer në një festë të futbollit këtë sukses , sepse kanë fituar një ndeshje në fushën e një superfuqie të futbollit botëror siç është Gjermania , por nuk janë nxituar, kurse Shqipëria dhe “specialistët e studiove “ e quajën sukses të madh fitoren ndaj Andorrës dhe San Marinos dhe 6 pikët që ka për momentin ekipi ynë kombëtar. Llogaritë më të mira bëhen në fund , ku fotofishi tregon gjithëçka. Gjithsesi ajo çfarë është prodhuar deri tani nuk ka asgjë bindëse në lojë dhe në rezultate edhe pse ka raste që nuk mungojnë vetvlerësimet kur thuhet “jeni një skuadër me grup të mirë me futbollistë cilësorë”. Pa shumë ngjyrime të ndezura dhe të tepruara paraqitja e ekipit tonë kombëtar në këto tre ndeshje ishte një dështim i plotë edhe pse trajneri Reja kërkon t’i mbulojë defektet e mangësitë me fjalët justifikuese se “Andorra ishte ekip i bezdisshëm dhe Anglia është një superfuqi”. Nga llogaritë që bëhen rezulton se Shqipëria po nuk ju mori pikët e plota skuadrave të doëeta dhe po nuk shfrytëzoi mirë faktorin fushë në përballjen me të fortët e grupit, s’mund t’i realizojë objektivat, që janë për të qenë në tre vendet më të mira? Trajneri Reja i di mirë këto ndaj pas cdo ndeshje ku nuk bind loja, ku lë për të dëshiruar skema e zgjedhur për të vënë në funksion manovrën sulmuese justifikimet janë të pranishme. Kjo skuadër e ndërtuar kështu ku mungojnë futbollistët e kampionatit shqiptar dhe ata që bëhen pjesë e saj aktivizohen në skuadra të niveleve të ulëta, ose kanë humbur vendin e titullarit nuk mund të pretendohet për skuadër që të luajë futboll rezultativ.
Në kohën afërsisht dy vjeçare që trajneri Reja drejton ekipin tonë kombëtar janë provuar 43 futbollisët , ku pjesa më madhe vijnë nga kampionatet e huaja, kurse futbollistët e kampionatit janë harruar fare. Për trajnerin Reja ka rëndësi rezultati i një ndeshje dhe aspak e ardhmja e skuadrës. Po të shikosh listën e bërë zyrtare nga trajneri Reja për këto tre ndeshje në 28 futbollistët e listuar vetëm një Hoxhallari i Tiranës vinte nga kampionati shqiptar. Por të shkosh më tej , jemi përballë faktit se është futbollisti bardhebluve, që u bë pjesë e kësaj dhe liste ishte më shumë për të prishur syrin , sepse jo vetëm që nuk mori minuta loje edhe në ndeshjet përballë kundështarëve modest, por nuk është parë as në proces nxehmjeje. Ka disa vite që trajnerët e ekipit kombëtar harrojnë që në Shqipëri ka një kampionat që zhvillohet , nga i cili kanë dalë futbollistë që sot i vlerësojmë të domosdoshëm për ekipin kombëtar. Cikalleshi, Kallaku, Roshi, Trashi , Selmani, Doka dhe Yzuni janë “prodhime” të futbollit shqiptar dhe kampionatit të tij. Edhe këto vlera futbollistike shumë pak për të mos thënë fare janë parë në fushën e lojës. Tek drejtuesit e skuadrës është krijuar një mendim që ka disa vite që apikohet: ku rëndësi ka të jesh pjesë e një skuadre jashtë vendit dhe e ke gati vendin e titullarit në ekipin kombëtar. Në 18 ndeshjet që drejton ekipin kombëtar, trajneri italian Reja futbollistët nga kampionati shqiptar janë harruar të bëhen pjesë e skuadrës kombëtare.