Nuk merr fund bota se bie një qeveri…

662
Sigal

Interesat kombëtare duhet të jenë gjithmonë të pazëvendësushme dhe mbi interesat politike, partiake dhe financiare. Dorëheqja e një qeverie, në interes të Kombit- përballë krizave të pazgjidhshme politike është masa më e ndershme, më demokratike dhe më patriotike që mund të marrë një udhëheqës që e do popullin dhe vendin e vet. Pas kësaj duhet që qeveria e re të mos jetë një riciklim i së vjetrës

Nga Frank Shkreli

…madje edhe kur është fjala për një qeveri shqiptare, nuk bëhet nami. Raste të tilla ka pothuaj çdo vit anë e mbanë botës dhe gjatë gjithë historisë së pas Luftës së Dytë Botërore janë shënuar shumë raste të tilla. E sidomos kur meriton të bie, për arsye korrupsioni e keq-qeverisjes.

Rasti i fundit, si të thuash në mëhallë të trojeve shqiptare, ndodhi në Austri, kur fund javën që kaloi, Kancelari Sebastian Kurz shpërbëri koalicionin qeverisës ndërsa bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së zëvendësit të tij, Heinz-Christian Strache, udhëheqës i Partisë së Lirisë, një forcë politike që përfaqëson ekstremin e djathtë në atë vend. Kjo ndodhi, pasi Zëvendës Kancelari i Austrisë, Heinz-Christian Strache dha dorëheqjen të shtunën, ndërkohë që dy gazeta të njohura gjermane, “Der Spiegel” dhe “Sueddeutsche Zeitung”, publikuan pamje filmike ku zyrtari i lartë austriak shfaqej duke i ofruar kontrata shtetërore një investitoreje të dyshuar ruse, gjatë një takimi në Spanjë. Sipas lajmeve, Zëvendës Kancelari Strache shfaqej në videon e publikuar duke diskutuar mundësitë e dhënies së kontratave shtetërore në këmbim të favoreve.

AUSTRIA-POLITICS-FAR-RIGHT-SCANDAL-ELECTIONS-KURZ

Si përfundim, Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz shpërbëri koalicionin qeverisës dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme pasi zëvendësi i tij, Heinz-Christian Strache, udhëheqës i Partisë së Lirisë, një forcë politike që përfaqëson ekstremin e djathtë, dha dorëheqjen nga detyra e tij. Pas shpërbërjes së qeverisë, Kancelari Sebastian Kurz, bëri thirrje për zgjedhje të reja të parakohshme, duke i dhënë kështu fund qeverisë së koalicionit. Ndërkohë, Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen tha të dielën që kaloi se propozon një fillim të ri për vendin e tij, duke sugjeruar që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen “sa më shpejt”, në fillim të shtatorit, me qëllim që sipas fjalëve të tija të, “rivendoset besimi i popullit tek qeveria”, ka thënë Presidenti austriak.

Një rast tjetër në mëhallë të Shqipërisë është edhe rasti i Italisë ku për arsye të ndryshme, përfshirë korrupsionin dhe skandalet ekonomike dhe politike gjatë viteve, qeveritë italiane kanë renë, bien dhe janë shpërndarë shpesh para skadimit të afatit qeverisës. Në të vërtetë, Italia është e njohur për ndryshim qeverish si pasojë e krizave të ndryshme politike. Gjatë pothuaj 70-viteve të fundit, pas rënies së fashizmit, Italia ka pasur, mesatarisht, një qeveri të re në vit, duke zgjatur në pushtet pak më shumë se një vit.

Megjithëkëtë, ndonëse nuk është e rekomandueshme një ndryshim i tillë i shpeshtë i qeverive, Italia vazhdon si shtet pa trazira të mëdha politike, ashtu siç po vazhdon edhe Austria në këtë ndërkohë. Nuk bëhet nami pra nëse bie një qeveri e sidomos kur ka arsye, që për shkaqe korruptive dhe keq-qeverisje, të ketë ndryshime në drejtimin e vendit, madje edhe të bjerë qeveria duke përfunduar në zgjedhje të reja, për cilindo vend qoftë fjala. Edhe në Shqipëri, si pasojë e trazirave dhe krizës politike që ka pllakosur atë vend, po bëhen thirrje për shpërbërjen e qeverisë dhe të për mbajtjen e zgjedhjeve të lira – si një mënyrë demokratike për të dalë nga ky ngërç politik që po e çon vendin në prag të katastrofës. Nuk bëhet nami në Shqipëri as nuk merr fund bota, në qoftë se – në mungesë të një dialogu të mirëfilltë midis palëve për zgjidhjen e çështjeve me të cilat përballet vendi – të shpërbëhet qeveria, të formohet një qeveri teknike dhe të shpallen zgjedhje të reja. Mos kini frikë nga sovrani! Bëni më të mirën për vendin dhe Kombin!

Nuk është gjë e re të thuhet se në Shqipëri mbizotëron korrupsioni në të gjitha nivelet e pushtetit dhe të qeverisë. Këtë e kanë thënë vendasit dhe e thonë edhe ndërkombëtarët. Nuk besoj se ka nevojë për publikimin e ndonjë videoje, ashtu siç ndodhi në Austri kohët e fundit, për të provuar përhapjen e korrupsionit në Shqipëri.

Në lidhje me skandalin e fundit në Austri, organizata Transparency International (TI) që merret me luftën kundër korrupsionit anë e mbanë botës, u shpreh se një rast i tillë si siç është dorëheqja e Zëvendës Kancelarit austriak Heinz Christian Strahe, pasqyron faktin se sa e lehtë është që të ndodhë abuzimi i pushtetit dhe manipulimi i arenës politike, madje edhe në vende si Austria, që konsiderohen si shtete që kanë një nivel të ultë korrupsioni. Transparency International rekomandon, ndër të tjera, një transparencë të vërtetë, sidomos kur është fjala për kontratat e Partneritetit Publik Privat (PPP). (Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria ka nivelin më të lartë të PPPS-s, në Ballkan). TI bën gjithashtu thirrje për ligje më të forta për financimin e partive politike si dhe për marrjen e masave të bashkërenduara më mirë dhe kundër pastrimit të parave, në nivel ndërkombëtar.

“Videoja Strache është një shembull se politikanët e korruptuar i konsiderojnë kontratat publike si një mjet për të siguruar favore politike” për miqtë e tyre dhe për veten, është shprehur Drejtoresha e Transparency International, Patricia Moreira. Ajo ka shtuar se, “Anë e mbanë botës, kontratat publike dhe projektet e infrastrukturës janë ndër më të dalluarat që bien pre e korrupsionit.” Në deklaratën e saj, ajo theksoi gjithashtu edhe rëndësinë që ka shtypi i lirë në luftën kundër korrupsionit. “Në një vend ku gazetarët nuk mbajnë përgjegjës politikanët për punët dhe veprimet tyre, në atë vend lulëzon korrupsioni”, ka thënë zyrtarja e Transparency International, në një deklaratë me rastin e publikimit të videos që çoi në dorëheqjen e qeverisë austriake të koalicionit.

Më në fund, organizata që lufton korrupsionin anë e mbanë botës, Transparancy International thekson se videoja Strache nuk duhet të shikohet si një incident i izoluar që përfshin vetëm politikanët, parti ose disa vende, por të shikohet si një problem sistemik korrupsioni që prekë shumë vende, anë e mbanë botës.

Por në shumë raste të botës, e sidomos në vendet që e konsiderojnë veten demokratike, kur përballen me raste të tilla korruptive të përmasave të mëdha në nivelet qeveritare – në interesin kombëtar — ato marrin masat e nevojshme për tu përballur me situata të tilla në mënyrë demokratike – përfshirë edhe dorëheqjen e qeverisë, ashtu siç bëri qeveria e Kancelarit austriak, Sebastian Kurz.

Asgjë në këtë botë nuk është e përhershme, asgjë dhe askush në këtë botë, përfshirë edhe një kancelar, një kryeministër ose një qeveri, nuk janë të pazëvendësueshëm dhe as të përgjithmonshëm. Por, interesat kombëtare duhet të jenë gjithmonë të pazëvendësueshme dhe të përgjithmonshme dhe mbi interesat politike, partiake dhe financiare, qoftë për një zëvendës Kancelar ose një një kryeministër, i cilitdo vend qoftë. Dorëheqja e një qeverie, në interes të Kombit – përball krizave të pazgjidhshme politike — është masa më e ndershme, më demokratike dhe më patriotike që mund të marrë një udhëheqës që e do popullin dhe vendin e vet. Nuk merr fund bota se bie një qeveri…Pyetja me rëndësi është se çfarë vjen pas një dorëheqje të tillë të mundshme, ashtu që qeveria e re të mos jetë një riciklim i të vjetrës.

Jam i vetëdijshëm se Shqipëria nuk është as Austria e as Italia, por nga ana tjetër, kur marrim parasysh zhvillimet aktuale dhe gjendjen e krijuar atje, e cila me të vërtetë kur e vëren madje edhe nga larg, një valë e pamëshirshme ndjenjash të kaplon shpirtin dhe mendjen. Kur njeriu sheh se në mbarë botën gjërat ndryshojnë sidomos përball krizash, veç në Shqipërinë tonë, jo. Edhe kur ndryshon atje ngjyra e qeverive, fatkeqësisht, duket se mjerimet mbeten të njëjta për atë vend dhe për atë popull.