Rekord vjedhjesh në Elbasan, policia në gjumë

518
Sigal

11 vjedhje në rrugën e “Blirëve”, tmerrohen qytetarët e biznesmenët

Maksim TUFA

 

Rikthimi i maskave dhe grabitjeve me dhunë duket se nuk ndalet, aq sa policia nga ana e saj e ka të pamundur të përballet me furinë e këtij fenomeni që ka prekur pothuajse gjithë qytetet e vendit. Rritje drastike ka patur edhe në numrin e bandave të vjedhësve dhe gjithçka duket sikur është e kurdisur qysh më parë. Elbasani është qyteti ku vjedhësit dhe grabitësit me maska dhe pa maska, kanë zaptuar prej disa javësh rrugën e cila mban emrin “Rruga e Blirëve” (por edhe zona të tjera) për shkak të pemëve të blirit të mbjella qysh para 45 vitesh atje. Prej 20 ditësh, banda vjedhësish dhe grabitësish me maska dhe pa maska, kanë nën pushtetin e tyre rrugën e bukur  të  “Blirëve”, e cila nis nga godina qendrore e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” deri tek busti Kristoforidhit, duke vjedhur pothuajse çdo natë 2-3 lokale, banesa, makina dhe biznese të tjera. Por rekordin e tyre, bandat e vjedhësve e kanë shënuar natën e të dielës, kur u regjistruan plot 11 raste grabitjesh dhe vjedhjesh të lokaleve, makinave dhe bizneseve që gjenden në dy krahët e saj. Gjithçka është munduar të mbahet e fshehtë nga policia, e cila edhe pse nuk e ka nën kontroll situatën, e cila sa vjen dhe përkeqësohet, deklaron se “hë mo se janë drogaxhinjtë e natës, nuk kemi çfarë t’i bëjmë, janë shtuar shumë”. Deklaratë e një institucioni dhe e segmenteve të strukturave policore të shtetit, e cila tregon, se papërgjegjshmëria për ta kryer detyrën dhe zbatuar ligjin, mbetet në nivelet më të larta. Përgjatë gjithë natës së të dielës, u vodhën dhe grabitën një banesë, e cila ishte bosh pasi familjarët  ishin në një ceremoni festive, një lokal bar-kafene, një fugon i mbushur me mallra konfeksione, një kamionçinë me ngarkesë mallra ushqimore, një pikë tregtimi kafeje dhe pjesa tjetër; makina kryesisht të shtrenjta, duke i vjedhur e shkatërruar, ndërkohë që dëmi shkon në miliona lekë.

 

“Rruga e Blirëve” kthehet në rrugë tmerriTë gjitha vjedhjet, grabitjet dhe shkatërrimet kanë ndodhur tek “Rruga e Blirëve” e cila prej 10 ditësh është edhe pa ndriçim rrugor natën, duke u dhënë shkas grabitësve, të cilët  pasi marrin frymëzimin nga hashashi, u turren  lokaleve, banesave dhe bizneseve të tjera, duke i zhveshur nga gjithçka. Duke përfituar nga ndeshja e futbollit Partizani-Skënderbeu në “Elbasan Arena”, përqendrimi i afro 300 trupave policore atje dhe konfliktet e papara fizike që ndodhën gjatë dhe pas, të cilat zgjatën afro 2-3 orë, duket se bandat e grabitësve kishin llogaritur  mirë gjithçka. Përballë kësaj situate, si për ironi, qëndron një polici e mundur nga furia e krimeve të rrugës dhe krimeve të tjera të mirë organizuara nga elementë me precedentë penalë, të cilët shpallen paraprakisht nga uniformat blu “të ikur në drejtim të paditur”, pa kryer hetime intensive. Banorët e pallateve dhe banesave private tek “Rruga e Blirëve” u shprehën për “Telegraf” të frikësuar dhe të indinjuar nga puna e dobët dhe aspak rezultative e policisë. Sipas një gruaje, e cila ka një lokal shumice tek kjo rrugë, “ka dy javë që bëjmë gjumin me copa me burrin dhe djalin, sepse kemi frikë, pasi ngjitur me ne para 5 ditësh hajdutët hapën një Butik, e boshatisën dhe policia pavarësisht se u njoftua ka ardhur në ora 06.30 të mëngjesit, por më e turpshme ishte, se thanë që “Hë mo se drogaxhinj janë, janë shtuar shumë nuk kemi çfarë t’u bëjmë”. Përballë deklaratave të tilla nga uniformat e shtetit, padyshim qytetarët shprehen të shqetësuar dhe skeptikë lidhur me sigurinë e jetës, banesës dhe biznesit të tyre. Ata madje shprehen se, “gjithçka duket e kurdisur, sepse rruga ka mbi 2 javë  pa ndriçim,  natën nuk shikon një patrullë policore të kalojë këtej dhe kjo favorizon  ata që po vjedhin  çdo natë  banesat dhe bizneset e qytetarëve”. Natyrisht rritja e numrit të krimeve të rënda, duket se ka lënë “mbrapa listës” krimet e rrugës  nga policia, siç janë edhe vjedhjet dhe grabitjet e lokaleve, banesave dhe bizneseve. Mungesa e hetimeve serioze, mungesa e parandalimit dhe arrestimit të autorëve, ka krijuar një klimë të paparë terrori psikologjik  tek qytetarët, ndërkohë që për uniformat blu, vjedhjet klasifikohen si “diçka normale për kohën”. Statistikat tregojnë, se edhe përgjatë vitit 2016, policia nuk ka arritur të zbulojë  dhe arrestojë as 35 për qind të autorëve të veprave të tilla penale. Kaq mjafton për të menduar se, kjo polici jo vetëm është e pazonja profesionalisht, por edhe e lidhur me segmente të veçanta të krimit të rrugës.