Shkelje tenderash 1.4 miliardë lekë, KLSH kërkon ndëshkim për 70 punonjës të Bashkisë Fier dhe 6 drejtorët që dridhnin zinxhirin

131
Sigal

Ky dëm ka ardhur për mospagesë të taksave të infrastrukturës nga legalizimet informale, mosllogaritjen dhe arkëtimin e taksave dhe për mosllogaritje dhe vjeljen e gjobave nga Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistikë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje të shumta në Bashkinë e Fierit. Pas një auditi të zhvilluar në të këtë bashki. Institucioni i drejtuar nga Arben Shehu ka rekomanduar masa disiplinore për 74 punonjës, pasi është zbuluar një dëm ekonomik prej 1.4 miliardë lekësh.

Sipas njoftimit të KLSH, janë kërkuar 17 masa organizative; 12 masa për shpërblim dëmi në vlerën rreth 150 milion lekë, konkretisht: Në fushën e zbatimit të kontratave, për punime të pakryera, por të situacionuara dhe paguara. Në fushën e prokurimeve, për vlerësim të gabuar të Ofertave Ekonomike nga operatorët ekonomik pjesëmarrës në procedura. Në fushën e urbanistikës, kryesisht për përllogaritje të gabuar të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga shoqëritë sipërmarrëse, realizuese të investimeve me fonde private).

KLSH ka kërkuar gjithashtu, 7 masa për eliminimin e efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe për menaxhimin me ekonomicitet, evidencë dhe efektivitet të fondeve publike (3E-të) në vlerën rreth 1.4 miliard lekë.

Ky dëm ka ardhur për mospagesë të taksave të infrastrukturës nga legalizimet informale në vlerën 61 milion lekë; për mosllogaritjen dhe arkëtimin e taksave në vlerën 120 milion lekë; për mosllogaritje dhe vjeljen e gjobave nga Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistikë në vlerën 26 milion lekë dhe për mosllogaritje të taksë për zënie të hapësirave publike në vlerën 44 milion lekë;

Për personat përgjegjës, KLSH ka kërkuar nga Kryetari i Bashkisë Fier që në vlerësim të shkeljeve të konsideruara të urdhërojë Komisionin Disiplinor për fillimin e procedurave përkatëse për shqyrtimin dhe dhënien e masave disiplinore në zbatim të ligjit. nr. 152/2013, datë 30.05.2013, “Për nëpunësin civil”, të marrë masa nga “mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në gjashtë muaj” apo “pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë, përfshirë rritjen në shkallën e pagës për një periudhë deri në dy vjet”; deri në, “Largim nga shërbimi civil”, dhe konkretisht: 2 Administratorë të Përgjithshëm; 2 Administratorë të Njësive Administrative; 6 Drejtorë Drejtorie në aparatin e bashkisë dhe institucionet e varësisë; 5 Përgjegjës Sektori;19 Specialistë; 40 Punonjës të bashkisë në cilësinë e anëtarëve të njësisë të hartimit të dokumenteve të tenderit dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave”,- shprehet KLSH.