De Biazi: “Janë të fortë, por ne i luftojmë me dy sulmues”

462
Sigal

Sot, Shqipëri-Islandë/ Trajneri i Kombëtares: “As ne dhe as Islanda nuk është si Spanja”

Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, është para një sprove force, por dhe dinjiteti, kur Shqipëria të përballet sot me Islandën në “Qemal Stafa” (19:00), ndeshja e tretë e fushatës kualifikuese të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. Në takimin e tij të parë zyrtar, përfaqësuesja fitoi ndaj Qipros (3-1), ndërkohë që humbi 2-0 në Zvicër. Italiani pranoi gjatë konferencës për shtyp se, atmosfera në skuadër është ngrohtë, dhe se ai pret një reagim pozitiv nga skuadra. “Djemtë i kam parë të gjithë në gjendje të shkëlqyer dhe shumë më mirë se për ndeshjen ndaj Qipros, një muaj më parë. Duke qenë se nuk jemi as Real Madridi dhe as Spanja, atëherë duhet që me kundërshtarë si Islanda, që janë pothuajse dora jonë, të luftojmë, duke u treguar të kujdesshëm, duke u përpjekur të gabojmë më pak dhe duke krijuar sa më shumë raste të rrezikshme përpara” – tha De Biazi.

– Mister, pak orë nga ndajnë nga ndeshja me Islandën. A janë gati futbollistët?

– Skuadrën e kam parë shumë mirë. Djemtë janë në gjendje të shkëlqyer dhe shumë më mirë se për ndeshjen ndaj Qipros, një muaj më parë. Gjithsesi, fusha do ta tregoj nëse jemi përmirësuar, apo jo.

– Me çfarë formacioni do të luajmë kundër Islandës?

– Mund edhe t’iu jap, por duke qenë se kemi një stërvitje pasdite dhe nuk dihet kurrë se çfarë mund të ndodh, nuk do të ishte e respektueshme krahas futbollistëve të tjerë për të dhënë emrat.

– Kërkohen gjashtë pikë në këto dy ndeshje. Mos ndoshta kjo mund të shndërrohet në një ngërç psikologjik?

– Ky është shqetësimi juaj, unë mendoj se të gjitha ndeshjet duhen luajtur përpara se të fitohen jashtë fushe. Duke qenë se nuk jemi as Real Madridi dhe as Spanja, atëherë duhet që me kundërshtarë si Islanda, që janë pothuajse si ne, të luftojmë, duke u treguar të kujdesshëm, duke u përpjekur të gabojmë më pak dhe duke krijuar sa më shumë raste të rrezikshme përpara. Islanda është një kundërshtar të cilin e kemi studiuar dhe e kemi parë, janë vërtetë të fort, ndaj e përsëris që duhet të përqendrohemi vetëm tek ata. Ndeshja me Slloveninë ne nuk na intereson aspak. Do të luajmë me Islandën dhe jemi të përqendruar pikërisht aty.

– Cilat janë pikat më të forta të Islandës dhe pikat më të dobëta?

– Le të themi që pika të dobëta nuk kanë, por kanë shumë të forta. Janë një skuadër e cila pëson gol më vështirësi. Mbrojnë mirë dhe dinë të nisen në kundërsulm, duke pasur sulmues të shpejtë. Duhet të jemi të përqendruar dhe të kujdesshëm në të njëjtën kohë.

– Sulmi duket që po kalon një formë të mirë dhe kjo gjë u pa edhe në ndeshjen e kontrollit, ku shënuan të gjithë. Mos ka ardhur momenti që të jemi më ofensiv në këtë ndeshje, në kërkim të fitores?

– Më ofensiv se kaq. Do të luajmë me katër përpara, më shumë s’mund të bëj, pasi 11 në sulm s’mund të luash.

– Sa i rëndësishëm mund të jetë roli i mesfushës në këtë ndeshje, duke qenë se në momente të caktuara, Islanda mund të luajë në kundërsulm?.

– Nëse jemi të gjithë 100%, atëherë mund të marrim atë që kërkojmë, por duhet të jemi të durueshëm dhe të kemi qetësinë për të goditur atëherë kur të vijë momenti. Publiku ndoshta do të kërkojë që ne të fitojmë 3-0 që pas dy minutash, por nuk është kështu.

 

PARALAJMËRIMI

Trajneri i Islandës, Lagerbak, foli me superlativa sidomos për mbrojtjen dhe organizimin e saj pas dy ndeshjeve ndaj Norvegjisë dhe Qipros. “Është e vërtetë ajo që thua dhe mendoj se në të dy ndeshjet që kanë luajtur, meritonin më shumë se katër pikë që kanë marrë. Të mos harrojmë që mundën Norvegjinë, e cila është një skuadër që në renditjen FIFA është shumë vende përpara tyre, që janë mbi vendin e 90-të. Pra, e përsëris që janë një skuadër e mirëorganizuar dhe që të lënë të luash, por në momente kyçe të ndeshjes, nëse nuk je i vëmendshëm, mund edhe të të godasin”, – tha De Biazi.